Një nga kushtet më të forta të vendosura për hapjen e negociatave mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian do të jetë zhvillimi i zgjedhjeve në bazë të standardeve ndërkombëtare dhe pranimi i tyre nga të gjitha forcat politike. Dje nga Kryetari i Komisionit të Marrëdhënieve me BE të Bundestagut gjerman Gunther Krichbaum, njëherazi edhe kryetar i Grupit parlamentar CDU-CSU ka folur qartë dhe prerë në Tiranë. Ai ka hequr dorashkat dhe ka lexuar pesë kriteret e vendosura nga BE dhe dy kushte shtesë nga Gjermania.
Berlini ka vendosur të jetë i prerë me Tiranën zyrtare. “Zgjedhjet nuk duhet të manipulohen”, thotë Krichbaum. “Sa i përket zgjedhjeve duhet të bëhet më shumë punë për mosmanipulimin e zgjedhjeve. Zgjedhjet duhet të zhvillohen në përputhje me standardet evropiane, e theksoj me vullnetin dhe angazhimin e të gjitha palëve politike”, tha Krichbaum.
Mjaft i prerë ka qenë parlamentari gjerman në lidhje me moszbatimin e ligjit të dekriminalizimit, i cili është po ashtu një pengesë për hapjen e negociatave. Krichbaum ka folur qartë, duke thënë se të zgjedhur të inkriminuar vazhdojnë të jenë në krye të qeverisjes lokale, duke lënë të kuptohet se flet në këtë rast për Roshët dhe Bushët.
“Ligji për dekriminalizimin duhet të zbatohet në mënyrë të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse. Ka ende persona të inkriminuar në funksione publike. Kjo është e papranueshme për ne si grup parlamentar dhe për mua personalisht. Këto janë pritshmëritë tona që ne kemi. Të gjitha këto reforma bëhen, sepse ju do të jeni qytetarë të Bashkimit Europian”, tha Krichbaum.
“Duam që qytetarët e Shqipërisë të përfitojnë nga avantazhet e statusit të të qenit anëtarë të BE. Duam që negociatat me Shqipërinë të çelen kur të jenë krijuar kushtet e nevojshme. Krijimi i shtetit të së drejtës ka rol thelbësor. Sot është ende e paqartë se kur do të hyjë në fuqi Reforma në Drejtësi, pasi Gjykata Kushtetuese e ka pezulluar.
Deri tani, ky kusht nuk është përmbushur. Deri tani nuk janë përmbushur numri 2 dhe numri 3 i prioriteteve kyçe. Rezultatet e deritanishme janë të pamjaftueshme. Për këto arsye do t’i rekomandoj qeverisë federale të mos miratojë hapjen e negociatave. Nuk ka kuptim që në Shqipëri të ketë ekspertë ndërkombëtarë rekomandimi, nëse nuk merren parasysh rekomandimet dhe standardet evropiane. Qytetarët shqiptarë presin procese të drejta ligjore”, tha Krichbaum.
Një pikë tjetër problematike për Gjermaninë është niveli i lartë i korrupsionit të përhapur në të gjitha fushat e qeverisjes. “Lufta ndaj korrupsionit në Shqipëri është ende në nivele të pamjaftueshme. Që nga progres-raporti i fundit nuk shënohen hapa përpara. Korrupsioni mbetet në Shqipëri i përhapur gjerësisht në shumë sektorë, përfshirë drejtësinë dhe policinë. Janë shtresat e varfëra që e vuajnë më shumë korrupsionin. Lufta ndaj korrupsionit është testi më i fuqishëm për të provuar shtetin e së drejtës”.
Një pikë mjaft e fortë e deklaratës së Krichbaum kanë qenë hapat pas që qeveria ka bërë me drogën, duke e kthyer vendin në një plantacion gjigant për drogën në Europë. “Lufta ndaj trafikut të drogës duhet të rritet ndjeshëm. Në luftën ndaj trafikut të drogës janë bërë hapa pas. Kjo duhet të shndërrohet në një detyrë parësore. Të gjitha këto prioritete kyçe duhet të përmbushen përpara se të jepet një votë pro. Ligji për kthimin e pronave është në përpunim e sipër, por duhet të bëhet më shumë transparencë në lidhje me këtë proces. Shqipëria ndodhet larg standardeve evropiane në këtë drejtim”, tha Krichbaum.
“Në raport-progresin e Komisionit Evropian propozon çeljen e negociatave të anëtarësimit, pasi të jenë shënuar arritje të besueshme dhe të prekshme në Reformën në Drejtësi. Dua të paraqes ato fusha, të cilat aktualisht në këndvështrimin tonë janë ende pengesë për hapjen e negociatave të anëtarësimit, sepse në këndvështrimin tonë nuk janë plotësuar kushtet themelore në pesë reformat kyçe”, tha Krichbaum.
Asnjë progres për drogën, korrupsionin e krimin
Kryetari i grupit më të madh parlamentar gjerman CDU-CSU tha dje se, Shqipëria nuk ka bërë asnjë hap përpara në luftën ndaj korrupsionit, drogës dhe krimit të organizuar dhe se vendimi për hapjen e negociatve do të shtyhet për në vitin 2018.
“Lufta ndaj korrupsionit dhe së treti në luftën kundër krimit të organizuar dhe trafikut të drogës, pothuajse nuk ka pasur asnjë progres. Në këtë mënyrë nuk janë përmbushur as këto prioritete kyçe, pra numri dy dhe numri tre. Me të drejtë, KE-ja në mënyrë të përsëritur ka tërhequr vëmendjen për Reformën Zgjedhore dhe për zbatimin e ligjit të dekriminalizimit, kushti katër dhe pesë. Në të dyja këto fusha, rezultatet janë të pamjaftueshme.
Në pikëpamjen e grupit parlamentar të jepet një rekomandim për çeljen e bisedimeve për anëtarësi. Për këtë arsye, grupi parlamentar i CDU-së dhe CSU-së do t’i rekomandojë qeverisë federale që të mos miratojë çeljen e negociatave derisa të përmbushen ato pika të formuluara në dokumentin e paraqitur në 7 pritshmëritë. Këto nuk janë pritshmëri të tepruara.
Nuk është vetëm një vend që shprehet kundër çeljes së negociatave, por është emërtimi dhe shprehja e qartë e asaj çka duhet të realizohet në mënyrë që kapitujt për negocim të negociohen në mënyrë sa më të shpejtë. Nëse këto pritshmëri do të përmbushen deri në raportin e ardhshëm të Komisionit Evropian në pranverën e vitit 2017, varet nga vullneti politik i të gjithë partive politike shqiptare”, tha Kricgbaum.
Deputeti gjerman tha se vendi do të pranohet në Bashkimin Europian vetëm kur të ketë një konsensus dhe bashkëpunim mes pozitës dhe opozitës.
“Nuk është e mundur që këto forca politike të bllokojnë ecjen e vendit drejt Bashkimit Evropian. Ne duam që vendi të anëtarësohet në BE, por kjo do të ndodhë vetëm atëherë, kur të gjithë forcat shoqërore, ku përfshihen edhe forcat politike të bashkohen për një qëllim të përbashkët. Kjo është një përgjegjësi ndaj kombit. Për këtë arsye, do të jetë e nevojshme të bëhen përpjekje më të mëdha për reformim. Në këtë drejtim, Grupi i parlamentar i CDU-CSU, do të marrë këtë vendim vetëm pasi të jetë publikuar progres-raporti i BE-së në vitin 2018.
Budestagu ka të drejtën të shprehet me qëndrimin e tij përpara se të çelen negociatat për një vend kandidat. Ndaj, pa vendimin e Bundestagut, kancelarja gjermane nuk mund të shprehet pro çeljes së negociatave të anëtarësimit me një vend kandidat. Bundestagu gjerman mban mbi supe një përgjegjësi të madhe”, tha Krichbaum.
Kontroll të plotë 800 gjyqtarëve dhe prokurorëve
Deputeti i Bundestagut gjerman, Gunther Krichbaum, theksoi se për çeljen e negociatave për anëtarësim duhet të ketë zbatim të plotë dhe me fakte të Reformës në Drejtësi.
Gjatë konferencës për shtyp në Tiranë, ku paraqiti edhe vendimin e Grupit të parlamentar të CDU-së së Merkelit kundër hapjes së negociatave për Shqipërinë, theksoi se duhen të kontrollohet imtësisht figura e 800 gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe ndëshkimin e tyre ligjor. Ai thotë se ekspertë ndërkombëtar të monitorimit duhet ta ndjekin nga afër këtë proces dhe se pala shqiptare duhet të ndjekë rekomandimet e tyre.
Krichbaum: Së pari, në lidhje me reformën në administratën publike duhet të provohet në praktikë se sa i qëndrueshëm është zbatimi i ligjeve të miratuara.
Së dyti, Reforma në Drejtësi duhet të zbatohet në mënyrë të qëndrueshme dhe të plotë me qëllim që të forcohet në mënyrë tërësore niveli i profesionalizmit dhe integritetit në fushën e drejtësisë. Për të përmbushur këtë qëllim duhet të ketë hyrë në fuqi Reforma në Drejtësi dhe të jenë miratuar ligjet e nevojshme dhe të ketë filluar zbatimi i tyre. Ky proces duhet të jetë në përputhje me standardet evropiane.
Pjesë e domosdoshme është verifikimi i rreth 800 gjyqtarëve dhe prokurorëve i ashtuquajtur proces i Vettingut. Ky proces duhet të ndjekë parimet e dhëna nga Komisioni Evropian. Kjo do të thotë se nuk duhet të ketë afate parashkrimi apo procesimi. Duhet të krijohen rregullime ligjore për dëshmitarët kyç. Duhet verifikim i plotë të pasurisë. Të mos ketë asnjë kufizim të rolit të ekspertëve ndërkombëtarë të monitorimit. Këshillat e ekspertëve ndërkombëtarë të monitorimit duhet të ndiqen dhe të zbatohen në praktikë.
Një kusht për çeljen e bisedimeve të anëtarësimit, përbën verifikimi shterues i të gjithë gjyqtarëve dhe prokurorëve të gjykatave të larta dhe të gjykatave të Apelit dhe pas verifikimit të merren masa ligjore dhe individuale.
Për forcimin e shtetit të së drejtës në Shqipëri, Reforma në Drejtësi ka një rol vendimtar, veçanërisht në luftën ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar. Për realizimin e tyre, Reforma në Drejtësi duhet të hyjë në fuqi me të gjithë pjesët përbërëse. Tani për tani, me vendimin e 25 tetorit të Gjykatës Kushtetuese ky proces është shtyrë. Ne po presim që së shpejti të ketë sqarim të kësaj çështjeje.
Nga pikëpamja e grupit parlamentar të CDU-së dhe SCU-së duhen arritur rezultate konkrete, të cilat dëshmojnë dhe vërtetojnë se Reforma në Drejtësi po zbatohet në përputhje me kërkesat e Bashkimit Evropian, në mënyrë që të jemi të sigurt se zbatimi i mëtejshëm do të përfundojë me sukses. Kjo edhe për informacionin tuaj është trajtuar edhe në vende të tjera në të njëjtën mënyrë. Kjo nuk do të thotë se në Shqipëri kemi një procedurë të posaçme.
Për shembull në Serbi, shteti i së drejtës ka rëndësi themelore. Në fund të fundit, bëhet fjalë për besimin e qytetarëve në shtetin e tyre. Për këtë, dua të përmend këtu ngritjen pa vonesa të institucioneve përgjegjëse për zbatimin e Reformës në Drejtësi dhe pajisjen e tyre me burimet e nevojshme. Po kështu duhet të aplikohen aspekte të rëndësishme si urdhra gjyqësor të pagesës dhe mbështetja financiare për shpenzimet gjyqësore.
Arben SHAHINI