Ish-presidenti i Milanit i cili tani e drejton klubin Monza, Silvio Berlusconi ka komentuar krizën te ish-klubi i tij kuqezi, duke thënë se kushdo që do ta kishte blerë klubin pas tij, do ta kishte të vështirë ta zëvendësonte atë.
Ish-kryeministri i Italisë e kishte marrë pronësinë e gjigantit italian, Milan, në vitin 1986 dhe e kishte mbajtur atë për 31 vjet, para se ta shiste në vitin 2017.
Më 5 gusht të vitit 2016, kompania Fininvest kishte bërë të ditur se do t’i shiste aksionet që i kishte në Milan, ndërsa më 13 prill të vitit 2017 Berlusconi e shiti Milanin te kompania Rossoneri Sport Investment Lux për 830 milionë euro.
Milani është përballur me kriza të shumta – si financiare, ashtu edhe me ndërrimin e shpeshtë të pronarëve dhe drejtuesve – që nga largimi i Berlusconit, i cili tha se nuk është e lehtë të gjendet një zëvendësues për të.
“Për të marrë rezultate të mira, lojtarët duhet të kenë gjëra të mira në mendje. Atyre u duhet një klub që i afron lojtarët dhe u duhet një trajner i aftë”, ka thënë Berlusconi.
“Është e rëndësishme t’u ofrohet përkrahje edhe nga presidenti i klubit, unë gjithmonë di gjithçka për çdo lojtar timin, ata më shohin mua pothuajse si vëlla më të madh”.
“Nuk është e lehtë të gjendet zëvendësues për mua. Mendoj se bëra çfarë mund të bëj, unë jam ende i afërt me Milanin dhe tentoj t’ua jap të gjitha sugjerimet të cilat mendoj se do t’u kryenin punë”.
Milani do të kthehet në fushën e loëjs, pas pauzës tremujore shkaku i koronavirusit, me ndeshjen gjysmëfinale të Kupës së Italisë kundër Juventusit. Ndeshja e parë në San Siro kishte përfunduar me rezultat 1:1.