Berluskoni do rimarrë Milanin

Silvio Berluskoni mund të rimarrë sërish pronësinë e Milanit. Nëse marrëveshja me grupin kinez nuk mbyllet deri në datën 13 dhjetor, manjati italian do të rikthehet në krye të klubit kuqezi. Diçka të tillë e la të kuptohet vetë Silvio Berluskoni në një intervistë për mediat italiane. Gjasat janë që Milani të kalojë në duart e kinezëve, por nëse kjo nuk ndodh deri më 13 dhjetor të këtij viti, Berluskoni e ka gati një plan B dhe ai është të rimarrë sërish Milanin. “Nëse marrëveshja nuk mbyllet do ta rimarr me shumë kënaqësi klubin dhe do të ndryshoj strategji. Do të jetë një Milan shumë i ri në moshë dhe me shumë futbollistë italianë brenda”, theksoi fillimisht 80-vjeçari.
Deklarata këto të kavalierit që vijnë fill pas atyre frazave të thëna nga Berluskoni përpara derbit të së dielës së kaluar ndaj Interit. “Nuk besoj se ky do të jetë derbi im i fundit, pasi unë dhe Galliani mund të qëndrojmë”, nënvizoi Berluskoni përpara sfidës mes Milanit dhe Interit që u zhvillua në “San Siro” fundjavën e kaluar. Në pritje të asamblesë që do të zhvillohet më 13 dhjetor mbetet për t’u parë se çfarë do të ndodhë me të ardhmen e Milanit. Berluskoni në vijim të intervistës së tij shtoi se nuk është penduar për t’ua shitur klubin kinezëve edhe pse theksoi se një vendim i tillë i ka dhembur jo pak. “Milani ka nevojë për t’u rikthyer në nivelet më të larta, por paratë sot në futboll janë gjithçka dhe më duhej ta merrja një vendim të tillë. Jam munduar për të gjetur binzesmenë italianë për t’ua shitur klubin, por kjo ka qenë e pamundur, doja ta shndërroja Milanin si Barcelona apo Reali i Madridit, por në fund më duhet të pranoja një ofertë të vetme dhe zgjodha atë të kinezëve”, deklaroi në fund Silvio Berluskoni.

Artikulli paraprakARMO, 7 vjet pa paguar drita e ujë, i sekuestrohen 5190 m² tokë e ndërtesë
Artikulli tjetërEto’o, rrezikon 10 vjet burg