Pas 30 vitesh, Silvio Berluskoni ka vendosur t’i japë lamtumirën Milanit. Më në fund ekziston një akord real mes grupit “Fininvest” që zotëron 99,93% të kuotave të klubit dhe një grupi investitorësh kinezë. Ata do të shpenzojnë 740 milionë euro (ku përfshihen 220 milionë euro borxhe), për të blerë të gjitha aksionet që zotëron familja Berluskoni. Palët do të takohen në Vila Çertoza për të firmosur marrëveshjen paraprake, ndërsa brenda fundit të vitit do të bëhet kalimi i plotë i aksioneve.
Milani i ri do të jetë me pronësi kineze, por i një grupi të tretë që doli në skenë së fundmi. Nuk është ai “Fosun”, i cili bashkëpunon me menaxherin Horge Mendes, por është një menaxher tjetër kinez, Jonghong Li që mundësuan marrëveshjen në fshehtësi të plotë. Grupi që do të zotërojë Milanin quhet “Sino-Europe Investment Management Changxing” dhe kontrollon mes të tjerave edhe “Haixia Capital”, fondin shtetëror kinez për zhvillimin dhe investimet.
Gjithçka është konfirmuar nga vetë klubi i Milanit nëpërmjet një njoftimi zyrtar në të cilin bëhej e qartë se këta investitorë kishin premtuar investime të rëndësishme për të ardhmen e klubit.
Grupi “Fosun” i miliarderit Guo Guangçang, njeriu i 18 më i pasur i Kinës, ka si bashkëpunëtor një personazh shumë të njohur të botës së futbollit, menaxherin Horge Mendes, i cili përfaqëson emra si Kristiano Ronaldo dhe Zhoze Murinjo.
Grupi “Fosun”, një fond investimesh me të ardhura 11,1 miliard euro, është gati të ofrojë të njëjtat shifra si grupi i kinezëve të përfaqësuar nga Galatioto: 500 milionë euro për blerjen, si dhe të marrin përsipër 240 milionë euro borxhe të prapambetura, për të siguruar menjëherë 100% të aksioneve të klubit. Milani vazhdon turneun në SHBA, ku është ndeshur me Çelsin, në një ndeshje të humbur me shifrat 3-1, ku rezultati u vendos vetëm në pjesën e dytë falë golave të Oskar.
Tifozët e Milanit dje mësuan edhe një tjetër të vërtetë të hidhur që kësaj here u erdhi nga Spanja. Musakio do të vazhdojë të mbetet një ëndërr për “djallin” për aq kohë sa ai nuk do të futet në merkato me para në dorë. Nga ana tjetër, edhe Kuadrado duket se do të jetë një objektiv i parealizueshëm për Milanin. Menaxheri i kolumbianit tha dje se mes tij dhe “djallit” nuk ekzistonte asnjë tratativë. Në udhëtimin e tij të fundit në Ibiza, Adriano Galiani ka kuptuar se me Vijarealin nuk do ta ketë aspak të lehtë që të negociojë për Musakion nëse nuk ofron para. Nga takimi më i fundit me “nëndetësen e verdhë”, administratori i deleguar i Milanit ka mësuar se nuk do të ketë mundësi që të afrojë lojtarin nëpërmjet formulës aq të dashur për atë (huazim me të drejtë blerje).
Për këtë tratativë foli dje edhe numri një i Vijarealit. “Musakio te Milani? Shpresoj që kjo tratativë të zhbllokohet sa më shpejt sido që të jetë fundi”, tha Fernando Roig Alfonso, i cili la të kuptohej se do të zgjidhte të ardhmen e mbrojtësit shumë shpejt. Në këtë tratativë, Milani do të dilte i fituar vetëm nëse paraqitet i gatshëm për ta blerë që tani mbrojtësin.