Suksesi në Doha rihap edhe një herë dhomën ku Milani mban të mbyllur trofetë, për të lënë në vitrinë edhe Superkupën e Italisë. Krishtlindjet në Milano do të jenë më të bukura, mbi të gjitha në shtëpinë e Silvio Berluskonit, i cili dje arriti të triumfonte për herë të 29-të në epokën e tij si president. Në një periudhë 30-vjeçare, ai thuajse ka fituar një trofe për çdo vit qëndrimi në krye të Milanit.
Në këtë mënyrë, ai ka barazuar “Santiago Bernabeun”, duke fituar po aq sa ish-drejtuesi i Realit. Berluskoni ka fituar 8 kampionate, 1 Kupë Italie, 7 Superkupa, 5 Champions, 5 Superkupa Europe dhe 3 Botërore klubesh.
Në vitin e tratativave dhe bisedave me kinezët për shitjen e skuadrës, vjen një trofe si qershia mbi tortë për ta falënderuar presidentin në mënyrën e duhur. Por, nga ai mund të priten çudira. Gjatë kësaj kohe ka lënë gjithçka të hapur për qëndrimin në skuadër dhe ky trofe i fituar mund t’i rikthejë dëshirën për të qëndruar akoma në krye të skuadrës.
Në fushën e Dohas zbritën shumë lojtarë të rinj dhe, për më tepër, italianë, ashtu siç do Berluskoni. Kjo është gjenerata e re e kuqezinjve me Donarumën, Romanjolin, De Shiljon, Lokatelin, Bonaventurën, Suson. Ky është grupi i Montelës, i cili pati një ecuri fantastike gjatë këtij sezoni. E ardhmja e Milanit është e ndritur.