Bernadeschi është i Juventusit

Goditja e radhës për Juventusin është Federico Bernadeschi. Kampionët e Italisë kanë arritur të sigurojnë shërbimet e sulmuesit të talentuar, për të cilin është rezervuar një kontratë 5-vjeçare, si dhe një pagë vjetore prej 4 milionë eurosh në sezon, ndërsa në arkat e Fiorentinës, skuadër në të cilin është aktivizuar 23-vjeçari do të shkojnë 40 milionë euro. Tratativat e gjata mes klubeve patën një fund të lumtur, ndërkohë që Bernadeschi pritet të mbërrijë në Torino ditën e hënë, ku do të kryejë vizitat mjekësore, si dhe do të firmosë kontratën e tij të re, më pas do të niset menjëherë në drejtim të SHBA, aty ku Juventusi po zhvillon fazën përgatitore, për t’iu bashkuar pjesës tjetër të skuadrës.
Në radhët e tifozërisë së Fiorentinës ka patur një lloj irritimi ndaj Bernadeschit në lidhje me vendimin e tij për t’u transferuar tek bardhezinjtë. Sidoqoftë  drejtuesit e “Zonjës së Vjetër” kanë gjetur gjuhën e përbashkët me homologët e tyre të klubit vjollcë, fakt që garanton shmangien e ndonjë surprize të pakëndshme në minutën e fundit. Tashmë akti final i kësaj marrëveshjeje është zyrtarizimi, i cili do të bëhet ditën e hënë. Kjo është goditja e dytë e Juventusit në vetëm pak ditë për vijën e parë të sulmit. Federico Bernadeschi prej 2014 ishte pjesë e Fiorentinës dhe përgjatë këtyre tri viteve, në total në 82 paraqitje ai ka arritur të realizojë 23 gola. Tashmë ai është gati për të nisur një aventurë të re, si dhe për të dhënë kontributin e tij maksimal me fanellën e kampionëve të Italisë.
Ditë vendimtare për Renato Sanches te Milani. Klubi kuqezi do të tentojë të mbyllë marrëveshjen me Bayern Munich për mesfushorin portugez. Formula e operacionit është ajo e huazimit për 7-8 mln euro, me të drejtë blerjeje përfundimtare të kartonit për 30 mln euro. Mësohet se dhe trajneri i bavarezëve, Ancelotti ka dhënë miratimin e tij për këtë transferim.
Një tjetër largim nga Fiorentina. Kroati Hrvoje Miliç transferohet te Olympiacos, me drejtorin e Përgjithshëm, Corvino që gjeti akordin me klubin grek për 28-vjeçarin. Megjithatë klubi vjollcë po punon edhe për të blerë lojtarë të rinj. Dy nga emrat më të kërkuar nga skuadra e Piolit janë Matias Kranevitter dhe M’Baye Niang.
Mattia de Sciglio komenton largimin nga Milani për të veshur fanellën e Juventusit. Mbrojtësi italian shprehet se kishte ardhur momenti i duhur për të, për të ndryshuar ambient dhe për të provuar stimuj të rinj. 24-vjeçari është i bindur se ka bërë zgjedhjen e duhur, pasi bardhezinjtë janë ekipi më i mirë me të cilët mund të firmoste.
Ciro Immobile zbulon disa prapaskena të merkato. Sulmuesi i Lazio-s, në një intervistë për mediat italiane shprehet se në drejtim të tij kanë ardhur disa oferta, por që nuk ka marrë asnjë në konsideratë. Kjo pasi 27-vjeçari ndihet shumë mirë te bardhekaltërit dhe do të largohet vetëm nëse dhe klubi e dëshiron diçka të tillë.

Exit mobile version