Bernardo Silva: S’mund ta refuzoja Guardiolën

Manchester City bën goditjen e parë të madhe të merkatos ende pa u mbyllur sezoni futbollistik. Sikurse pritej, Citizens kanë zyrtarizuar blerjen e Bernardo Silvës nga Monaco, për 50 milionë euro. I saposhpallur kampion me skuadrën nga Principata, mesfushori portugez pasi kaloi testet mjekësore u bë blerja e parë e Pep Guardiolës, nën urdhrat e të cilit do të jetë për 5 vitet e ardhshme që nga data 1 korrik. Ky është transferimi i tretë më i shtrenjtë i kryer nga klubi francez pas Anthony Martial dhe James Rodriguez, që gjithashtu kanë luajtur me Monacon.
22-vjeçari ka rezultuar një nga pikat më të forta të skuadrës franceze përgjatë këtij sezoni, teksa ka shënuar 11 gola dhe ka dhënë 12 asiste.
Në një intervistë të publikuar nga sajti zyrtar i Manchester City-t, Bernardo Silva u shpreh se ka marrë vendimin e duhur për t’iu bashkuar skuadrës së Guardiolës, një ndër më të mirat në botë.
Portugezi shtoi gjithashtu se e kishte të vështirë t’i thoshte jo Guardiolës, të cilin e konsideron nga trajnerët më të mirë në botë.

Exit mobile version