Për të siguruar zbatimin e suksesshëm të projekteve me financim nga huamarrja shtetërore, Ministria e Financave, ka filluar të organizojë takime të rregullta, të përbashkëta me palët implementuese të projekteve dhe me Kreditorin përkatës që financon projektet përmes huamarrjes me Qeverinë e Republikës se Kosovës. Ditë më parë, Ministria e Financave ka mbajtur takimin me KfW-në, ndërsa sot mbajti takimin me BERZH-in. Në këtë takim u diskutua për procesin e implementimit të projekteve me Kreditorët përkatës konkretisht për projektet me BERZH-in. Ky është takimi i parë me këtë institucion të rëndësishëm financiar.
Gjatë takimit të udhëhequr nga zëvendësministri Agim Krasniqi, në të cilin morën pjesë përfaqësuesit nga Zyra e BERZH-it në Kosovë u diskutua për portofolin me BERZH-in, ku rëndësi ju kushtua projektit për rehabilitimin e hekurudhës dhe projektit të rrugëve regjionale. Qëllimi i organizimit të këtyre takimeve nga Ministria e Financave është që të diskutohet kryesisht për tejkalimin e sfidave, të cilat mund të shkaktojnë probleme në implementimin e suksesshëm të projekteve dhe adresimin e tyre si dhe të sigurohemi që obligimet ndaj kreditorëve të përmbushen në kohën e caktuar dhe duke u bazuar në marrëveshjet e arritura nga palët përkatëse.