Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim ka realizuar një vrojtim me vendet e Ballkantit Perëndimor për performancën dhe pengesat në bërjen e biznesit. Në Shqipëri, pengesat më të mëdha lidhen me konkurrencën e pandershme, kostot energjetike, aksesin ndaj financës apo edhe administrimi i taksave. Në anketim kanë marrë pjesë 1,800 pronarë dhe menaxherë sipërmarrjesh në Shqipëri, Bosnje–Hercegovinë, Maqedoni, Kosovë, Mal i Zi dhe Serbi. Nga analiza rezultoi se në rajon vihet re një nivel i lartë i konkurrencës së pandershme nga sektori informal, por gjithashtu renditen edhe faktorë të tjerë. Sidoqoftë efekti është i ndryshëm nga sektori në sektorë, nga orientimi i tregut, nga përvoja menaxheriale, lloji i pronësisë etj.Në analizë janë marrë 15 barriera.
Konkurrenca nga sektori informal
Kjo është veçanërisht më e dëmshme në Maqedoni, ku 26% e sipërmarrjeve e kanë renditur si pengesën më të madhe, të ndjekur nga Kosova (23.3%) dhe Shqipëria 16.8%. Raporti, thekson se që nga momenti kur ka nisur vrojtimi qeveria shqiptare ka ndërmarrë një fushatë të madhe kundër informalitetit.
Aksesi ndaj financës
Është gjithashtu një nga barrierat që shqetëson sipërmarrjet ballkanase, duke qenë 12.7%. Shumë biznese kanë raportuar se ata kanë nevojë për kredi, por iu është refuzuar. Interesat e kredive kanë shënuar rënie. Megjithatë ky ka qenë një problem më pak shqetësues se në vitet e tjera.
Stabiliteti politik
Ky është një problem, i cili theksohet si i rëndë veçanërisht nga sipërmarrjet në Bosnje–Hercegovinë (30.2%), e ndjekur nga Serbia (26.7%).
Niveli i taksave
Rreth 11.9% e të anketuarve në vendet e Ballkanit Perëndimor e kanë cilësuar si problem. Bizneset malazeze e kanë cilësuar si një problem të madh, ndoshta për shkak të nivelit të lartë të TVSH-së nga 17-19%.
Korrupsioni
Sistemi i korrupsionit është një tjetër problem i vazhdueshëm për Ballkanin Perëndimor. Megjithatë është vënë re se disa vende kanë bërë progres në luftën ndaj këtij fenomeni. Përjashtim bën vetëm Kosova, e cila është në “fazat e para” të luftës kundër korrupsionit.