BERZH: Shqipërisë dhe Ballkanit mund t’ju duhen 200 vite të arrijnë standardin e BE

Vendet e Ballkanit Perëndimor kanë në axhendën e tyre një seri reformash të brendshme, por edhe të lidhura me njëra-tjetrën që synojnë ngushtimin e hendekut që ekziston mes Bashkimit Europian dhe këtij rajoni. Kjo vjen në kushtet kur integrimi mbetet busulla e orientimit për të gjitha këto vende. Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim në një raport të fundit të saj bën një vlerësim të konvergjencës së Ballkanit Perëndimor me mesataren e standardit të jetesës në BE. Sipas kësaj analize janë nxjerrë tre skenarë, optimist, skenari bazë dhe pesimisti.
“Konvergjenca e plotë me mesataren e standardit të jetesës në BE mund të marrë shumë dekada. Një skenar bazë që përdor rritjen mesatarë për periudhën 2001-2016 tregon se 6 vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor në mesatare mund të arrijnë një GDP-në për frymë mesatare të BE-së për gati 60 vite.
Një skenar optimist që përdor nivelin e rritjes së periudhës së para krizës tregon se, mund të arrihet standardi i jetesës i BE brenda më pak se 40 vite, ndërkohë që në skenarin pesimist që përdor mesataren e rritjes së post krizës rezulton që arritja e BE-së do të vinte pas 200 vitesh. Shpejtësia me të cilën kapet ritmi do të varet nga shpejtësia me të cilën do të adresohet sfidat që pengojnë zhvillimin e rajonit në potencialin e tij të plotë”, thuhet në raport.

Sipas të gjitha gjasave vendet e Ballkanit Perëndimor në skenarin bazë kapin BE-në në vitin 2078, në skenarin optimist në 2053 dhe në atë pesimist në 2220.
Rritja mesatare e GDP-së për frymë në gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor është sa gjysma e mesatares së 11 vendeve të Europës Lindore dhe sa një e katërta e rritjes në ekonomitë e zhvilluara të Europës Perëndimore. Problemi që duket se kërkon edhe zgjidhjen e shpejtë sipas BERZH është garantimi i një rritje produktive afatgjatë.
Arsyet që mbajnë peng këtë rritje produktive që mbetet e ulët sipas analizës së Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim variojnë nga vite të tëra me investime të ulëta në insitucione të dobëta dhe një mjedis biznesi të vështirë.
“Sektori privat është kontribuuesi kryesor në ekonomi në të gjitha këto vende gjithsesi shteti ka një rol dominat në disa industri kyçe dhe kanë para një axhendë të ngjeshur privatizimesh. Ndërmarrjet e vogla dhe të mesme dominojnë sektorin privat dhe llogarinë për të paktën dy të tretat e vlerës së shtuar në mesatare”, thuhet në analizë.

Exit mobile version