Besart Berisha mbetet madhështor në Australi, megjithatë këtë herë fatin nuk ishte në krah të sulmuesit shqiptar. Sulmuesi 31-vjeçar ishte protagonist në finalen e titullit në A-League, ku skuadra e tij Melbourne Victory u mposht me penallti nga Sydney.
Berisha zhbllokoi ndeshjen në minutën e 20-të, duke realizuar golin e katërt në finalet e titullit të futbollit australian dhe të 21-in në këtë sezon. Por, ndërsa tre ndeshjet e mëparshme e kishte fituar trofeun, këtë herë gjërat shkuan ndryshe.
Sydney barazoi shifrat me Rhyan Grant në minutën e 69-të. Besart Berisha provoi pa sukses ta frenonte topin, ndërsa rezultati 1-1 nuk ndryshoi as në kohën shtesë.
Në ekzekutimin e penalltive, lojtarët e Sydney ishin më të saktë duke fituar 4-2 ndërsa për Melbourne Victory nga pika e bardhë gabuan Valeri dhe Rojas. Besart Berisha ishte i pesti në radhë, por me Sydney-n që triumfoi nuk i erdhi radha ta ekzekutonte penalltinë.
Pas disfatës në finale, sulmuesi i përfaqësueses së Kosovës mund të ngushëllohet me Këpucën e Artë, çmimin e golashënuesit më të mirë të sezonit, si edhe me faktin që është goleadori historik në Australi.