Besnik Mustafaj i përgjigjet Lolitës: Luaj në kazino, por nuk ndjehem i turpëruar

Një nga kundërshtarët më të mëdhenj të Lulzim Bashës pas zgjedhjeve të fundit, Besnik Mustafaj i ka shkruar një letër “Lolitës” për ta sqaruar lidhur me një shkrim të kësaj faqeje të njohur në Facebook, ku ai së bashku me Astrit Patozin etiketohen si “kumarxhinj”.
Faqja “Lolita”  postoi pak ditë më parë një fotografi të publikuar edhe më parë nga media të tjera, ku shfaqej Astrit Patozit në një kazino.
Duke u nisur nga kjo foto, “Lolita” shkruan se Patozi dhe Mustafaj (që në fakt nuk është personi tjetër në foto), janë bixhozçinj, që tani duan të marrin PD-në.
Dje, Besnik Mustafaj ka reaguar duke replikuar duke i dërguar një letër “Lolitës”.
Reagimi i ish-ministrit Besnik Mustafaj:
E dashur Lolita, për hir të simpatisë që kam për ty, po ta sqaroj se burri, të cilit i ke vënë emrin tim, nuk jam unë. Unë kam shkuar në kazino më shumë se një herë. Por kurrë me Astrit Patozin.
Nuk kam patur rast. Madje as nuk e di nëse atij i pëlqen ky argëtim. Kam qenë me të tjerë miq politikanë, madje edhe të niveleve të larta, shqiptarë dhe të huaj, si dhe me shkrimtarë dhe artistë po ashtu shqiptarë dhe të huaj.
Pra, me siguri që do të shkoj përsëri kur të kem rast. Një nga shkrimtarët dhe filozofët e mi më të dashur, Albert Camus, fitues i Çmimit Nobel, thotë për veten e tij se ka shumë vese, por nuk është rob i asnjërit.
Unë jam i tillë. Por nuk kam bërë kurrë në jetën time diçka për t’u ndjerë më pas i turpëruar. Ky sqarim ka vlerë për ty, e dashur Lolita, që je manipuluar kësaj here, por u drejtohet edhe të gjithë dashamirëve dhe dashakëqinjve të mi. Secili prej tyre le ta lexojë sipas mënyrës së vet.

Artikulli paraprak200 mijë lekë për të mos votuar në Tiranë
Artikulli tjetërVasili-Ramës: Je një kryeparazit që duhet të ikësh i pari