“Besojmë te Shqipëria, Koalicioni Euroatlantik në krah të familjeve”, Basha: Çdo ditë në çdo lagje, rrugë dhe rrugicë, për të dëgjuar qytetarët dhe për të ndërtuar bashkë me ta ndryshimin

Drejtuesi politik i Koalicionit Euroatlantik, Lulzim Basha, i shoqëruar nga kandidatet për deputete të Njësisë 10, zhvilloi disa takime me qytetarët dhe bizneset e kësaj zone në kryeqytet. Ai theksoi se shqiptarët kërkojnë një qeveri që u shërben atyre, jo një pakice të lidhur me pushtetin.
Basha prezantoi angazhimet kryesore të programit: taksë e sheshtë 9%, heqje taksash për biznesin e vogël, mbështetje për shtresën e mesme dhe fondi për mirëqenien e familjes që përfshin ndihmë për bebet, çiftet e reja dhe familjet në nevojë.
Në qendër të këtij programi qëndron familja shqiptare. Basha theksoi se është koha që qeveria të rikthejë sytë ndaj familjes si themel i shoqërisë, jo vetëm me fjalë, por me mbështetje konkrete. Paratë e taksapaguesve nuk do të shkojnë më për koncesione të dyshimta, por për mirëqenien e familjeve shqiptare, përmes një fondi të posaçëm që mbulon nga lindja e fëmijës, mbështetjen për fëmijën e tretë, e deri te subvencionimi i interesave për blerjen e shtëpisë për çiftet e reja. Programi përfshin edhe ndihmën ekonomike të dyfishuar për familjet në nevojë, pagesë të barabartë me 70% të pagës minimale për personat me aftësi të kufizuara dhe mbështetje të drejtpërdrejtë për gratë sipërmarrëse dhe ato që punojnë në sektorin artizanal apo bujqësor.
Basha premtoi zgjidhje përfundimtare për çështjen e pronës, përmes një skeme të re të kompensimit me obligacione shtetërore, brenda dy viteve të para të qeverisjes.
Në mbyllje, Basha theksoi se ai dhe ekipi i Koalicionit Euroatlantik do të jenë çdo ditë pranë njerëzve, në çdo lagje dhe rrugicë, për të dëgjuar qytetarët dhe për t’iu ofruar zgjidhje të vërteta.

Artikulli paraprakQytetari nuk ka ujë në lokalin e tij! Habit përgjegjësi i UKT në Pustec: Mund ta marrë me legen ose zorrë…
Artikulli tjetërKoalicioni Euroatlantik premton: Teatri “Petro Marko” drejt statusit Kombëtar – Një hap i madh për kulturën në Vlorë