Beteja e fundit me SPAK, e trimave legjendarë dhe benefitarë!

Nga Edlira Devolli

Pjesëmarrja e nesërme në protestë ka në themel një gurë të vetëm, luftën kundër institucionit më të rëndësishëm në Shqipëri, SPAK.

I ka tulatur trimat legjendarë e benefitarë pushtetëshkuar e pushtetashmë.
Ne të gjithë e dimë se SHBA janë investuar posaçërisht për këtë organ të rëndësishëm të drejtësisë.

Ndaj rehatia e gjumit të natës i ka lënë me kohë, por tashmë nuk kanë më as ditë të qeta për të shijuar pasuritë e fituara nga pazaret e gjirizeve.

Shqiptarët e ndershëm asnjëherë nuk patën mundësi të flenë qetë, por vetëm të vrapojnë të punojnë fort e në fund të muajit të mos ndajnë dot asnjë kacidhe mënjanë, dhe si të mos mjaftoj litari i jetës në fyt, karrigen nga këmbët ia heq largimi i fëmijëve në emigrim.
Largohen të rinjtë sepse pas çdo skandali kemi një kryeministër që forcon pushtet, me ndihmën e paraardhësit të tij i cili rri aty si garant për regjimin e tij.

Protesta e nesërme ka tre kolona Berisha, Meta, Rama. Ata kanë qenë bashkë, bashkë janë dhe do vazhdojnë bashkë për pandëshkueshmëri, gjë që nuk e arrijnë dot, por përpjekjet po i bëjnë.

Kanë kaq vite që kordinohen sikur shahen, por në fakt shtojnë e ndajnë pasuritë bashkë.
E shkelën me këmbë rehatinë tonë, jo pak ditë por dekadash, na e flakën tej të tashmen tonë, po kërkojnë të nxijnë të ardhmen e fëmijëve tanë.

Protesta e nesërme ka një oxhak nga ku del tymi i zi i korrupsionit dhe frikës së përballjes me të vërtetën.

Nuk ka asnjë interes për hallet e shqiptarëve. Por si të ruajnë ç’kanë gllabëruar babëzitshëm, e të mos dënohen.
Më thoni dot kur ka rënë një qeveri në vendin tonë nga protestat e opozitës?

Në vendin tonë kemi pa fund histori protestash, edhe të dhunshme, ju kujtoj shtatorin 1998 kur Berisha e përdori arkëmortin e të ndjerit Hajdari si “kokë dashin” për të thyer dyert e selisë së PDSH.
Mori disa institucione të cilat i dorëzoi sërish. Psenë nuk e tha kurrë.
As nuk pati kush ta pyeste.

Protestë e dhunshme, me të plagosur e 4 viktima pati në 21 janar 2011.
A ra Berisha nga pushteti?
Jo!

Rezultati i protestave dihet, se kanë një preçedent. Rezultati i dhënies fund të pandëshkueshmërisë mbetet për t’u parë.
Nga frika që shfaqin pushtetëshkuarit dhe pushtetmbajtësit duket se do i përngjajë një seriali tragjikokomik.

Sa do vonoj ta shohim këtë?
Aq sa mund të qëndrojë në këmbë një ndërtesë me një gurë në themel, tre kolona e një oxhak pa çati.

Artikulli paraprakKreshnik Spahiu: Berisha s’ka mbështetje popullore, prandaj djeg karriget në Parlament me 20 ushtarë që i kanë mbetur
Artikulli tjetërLetër ushtarit të mirë Shvjek