Sekretari për Reformën Zgjedhore në PD, Rezart Kthupi, përmes një komunikimi të drejtpërdrejtë në studion e News24 ka komentuar betejën ligjore mes demokratëve për vulën e Partisë Demokratike.
Kthupi u shpreh se vendimi i fundit nga Gjykata e Lartë është pozitiv pasi ka zgjidhur problematikën e njohjes së dy palëve, por edhe ka urdhëruar shqyrtimin në themel të çështjes nga Apeli.
Sipas tij brenda PD-së janë të sigurt se Kuvendi i 11 Dhjetorit i organizuar nga ish-kryeministri Sali Berisha nuk do të njihet.
Sa i përket afateve kohore, Kthupi tha se çështja mund të zgjidhet para pranverës së vitit të ardhshëm, ndërsa i pyetur se çfarë do të ndodhë nëse gjykata i jep të drejtë Rithemelimit, ai u shpreh se “kjo do t’i lihet kohës”.
“Vendimi i Gjykatës së Lartë është shumë pozitiv dhe zgjidh problematikën e njohjes së dy palëve. E dyta është kërkesa që i besuam Apelit, shqyrtimi në themel i çështjes. Gjykata e Apelit refuzoi ta bënte këtë, por Gjykata e Lartë e kërkoi.
Ne kemi kërkuar që rasti të zgjidhet sa më shpejtë. Ne jemi të bindur që do të provohet se Kuvendi i 11 Dhjetorit nuk i zbaton kriteret dhe ligjet për partitë politike. Ndaj ne besojmë se kursimi i kohës në shkallët e drejtësisë është gjë pozitive. Sot zyrtarisht njihet PD me kryetar Lulzim Bashën.