Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka marrë pjesë në Kuvendin zgjedhor të degës 8 dhe 2 në Tiranë ditën e sotme.
“Është beteja e një pakice që do të mbajë këtë gjendje. Të mbajë kontrollin në një grusht njerëzish, që menaxhojnë vendin.” – u shpreh Basha.
Basha: Ju falenderoj për procesin e mundimshëm, procesin e ringritjes së PD në këto gjashtë muaj. Është një kohë e vështirë për shqiptarët dhe Shqipërinë. Një kohë me sfida për mbarë globin. Lufta mes Rusisë dhe Ukrainës, është lufta mes autokracisë dhe demokracisë. Kjo luftë po zhvillohet kudo, jo me armë, por me armë të ftohta në cdo shesh, rrugë e qytete, në veçanti në Shqipëri.
Është beteja e një pakice që do të mbajë këtë gjendje. Të mbajë kontrollin në një grusht njerëzish, që menaxhojnë vendin.
Synimi është i qartë, fatet e këtij vendi t’i kontrollojë një pakicë obsolute. Kjo është autokracia, sundimi i njerëzve që e kanë marrë pushtetin dhe e mbajnë atë për veten e tyre dhe klientët e tyre.
Kjo është më afër asaj që lamë pas 34 vite më parë. Një diktaturë e një tipi të ri. Kështu e duan Shqipërinë, pa drejtësi, pa prona e pa kujtesë historike. E deshën Shqipërinë edhe pa PD, por nuk ia arritën këtë falë jush.
PD është këtu falë jush. Rruga përpara nuk është e lehtë. Ne nuk jemi si ata, ata nuk kanë lidhje me vlerat tona.
Betejat nuk fitohen nga më të fortit, por nga më të vendosurit. Dhe demokratët e Shqipërisë demonstruan këto dy vite vendosmëri, për mos t’u përkulur para ortekut.
Sulmohemi sepse ne nuk pranojmë të futemi në vathin e autokracisë politikë, oligarkisë ekonomike qe sot operohet nga të njëjta duar, që ditën bëjnë teatrin e gjoja ndeshjen politike dhe natën numërojnë paratë e pasuritë që ju grabisin së bashku shqiptarëve.
Jemi e vetmja parti politike jashtë sistemi të zullumit. Do të qëndrojmë jashtë sistemit të zullumit, do ta mundim zullumin dhe do t’ja japim shqiptarëve shpresën që meritojnë.