Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ish-Kryeministri Sali Berisha, deputetë, drejtues të FRPD, drejtues të pushtetit vendor e personalitete të tjera të kësaj partie janë përkulur dje në nderim të Dëshmorëve të Kombit.
Kurora me lule u vendosën në monumentin “Nënë Shqipëri” për të përkujtuar sakrificën që bijtë dhe bijat e kombit shqiptar dhanë për lirinë për demokracinë, për rendin dhe sigurinë.
“Sot, kujtojmë dhe nderojmë sakrificën më të lartë për atdheun, për lirinë, për kombin, flijimin në altarin e lirisë të Dëshmorëve të Kombit në luftërat çlirimtare, luftërat për pavarësi dhe liri që shqiptarët kanë zhvilluar në shekuj e dekada për lirinë e Shqipërisë, për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, për të drejtat e tyre në Maqedoni, Luginën e Preshevës.
Nderojmë heronjtë pra, bijtë dhe bijat e këtij kombi që dhanë jetën për liri. Përkulemi me nderim të thellë para atyre që u flijuan edhe për vlera të tjera pa të cilat jeta e njeriut nuk ka kuptim siç është demokracia, siç është liria nga tirania e krimit, liria nga terrorizmi. Pra, përkulemi dhe para bijve dhe bijave të kombit shqiptar që kanë dhënë jetën nën uniformën e Forcave të Armatosura, Policisë së Shtetit dhe atyre që bënë të mundur përmes sakrificës së tyre sublime ardhjen dhe konsolidimin e demokracisë shqiptare.
E sotmja është edhe një ditë reflektimi. Reflektimi i Partisë Demokratike para gjakut të Dëshmorëve të Kombit është vendosmëria për të vazhduar deri në fitore betejën tonë për një Shqipëri të lirë, të njerëzve të lirë, për një Shqipëri demokratike, për një Shqipëri të çliruar nga krimi dhe korrupsioni.
Lavdi përjetë Dëshmorëve të Kombit!”.
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha dhe drejtues të PD kanë përkujtuar dje dhe heronjtë e demokracisë, Azem Hajdarin dhe Besim Çerën.
“Në ditën e 5 Majit, përkujtimit të sakrificës të Dëshmorëve të Kombit nuk kishte si të mungonte nderimi për tribunin e lirisë dhe demokracisë, frymëzimin e përditshëm dhe të përnatshëm të çdo demokrati dhe të çdo shqiptari të lirë, Azem Hajdarit dhe mikun e tij Besim Cerës.
Ne vijmë sot këtu në këtë monument të ri të Azem Hajdarit dhe Besim Cerës, për heroin tonë, për simbolin tonë, por edhe me përkushtimin dhe bekimin tonë se përsëri do ta mundim krimin e veshur me uniformën e shtetit dhe shtetin e veshur me veshjet e krimit. Për t’i dhënë shqiptarëve një Shqipëri demokratike, të lirë dhe europiane siç e ëndërruan studentët e dhjetorit dhe kryedëshmori i demokracisë Azem Hajdari. Nderim përjetë dëshmorëve të demokracisë! Lavdi përjetë Azem Hajdarit!”.
Zoti Basha kreu vizita edhe në familjet e dëshmorëve Mehmed Deda, Altin Dizdarit dhe Azem Hajdarit.