Me betimin e Donald Trump si Presidenti i 47-të i SHBA-ve ditën e djeshme bëri që gjithë globi të ketë sytë nga administrata e tij. Në situatën aktuale, mandati i dytë i Trump pritet që të sjellë një sërë ndryshimesh, në ekonominë amerikane, luftërat, por dhe klimën politike globale.
Ndikime pritet që të ketë dhe në vendin tonë. Analisti Preç Zogaj në emisionin “Opinion” tregoi dy të “panjohurat” e administratës së Donald Trump në Shqipëri. Në vend të parë ai renditi shpalljet “non grata” në vendin tonë.
“Dy të panjohurat të politikës së Trump në Shqipëri, të administratës së tij, janë qëndrimi ndaj drejtësisë dhe qëndrimi ndaj shpalljeve “non grata”. Nuk është një shpallje “non grata”, Shqipëria ka disa. Nëse vjen në shqyrtim shpallja e “non gratave” sepse ka shpallur dhe administrata e Trump “non grata” në Shqipëri”, tha Zogaj.
E panjohura e dytë sipas analistit është drejtësia, ku ai u shpreh optimist sa i përket ndikimeve që do të sjellë në Shqipëri.
“Qëndrimi ndaj drejtësisë së re. Unë mendoj dhe kam bindje se qëndrimi i administratës së re ndaj drejtësisë së re në Shqipëri jo vetëm që nuk do të ndryshojë, por mendoj se do të jetë dhe më i fortë sepse do të inkurajojë që hetimet e SPAK-ut dhe drejtësia të jetë më pak e ndrojtur ndaj palës në pushtet”, përfundoi Preç Zogaj.