Betis, i rrezikshëm!

Barcelona tashmë e eliminuar nga Championsi, do të luajë një transfertë të vështirë me Betis Sevillan, ku do të synojë ruajtjen e vendit të parë, që i kërcënohet nga të dyja skuadrat madrilene, Atletico dhe Real. Konferencën e rastit për shtyp, trajneri i blaugranave, Luis Enrique e nisi me një koment rreth zërave se futbollistët e Betisit do të bëjnë gjithçka që titullin të mos e fitojë Barcelona. “Është normale që lojtarë të një ekipi të kenë preferencat e tyre. Edhe futbollistët profesionistë mund të jenë tifozë, por kjo nuk më shqetëson aspak. Betisi nuk ka objektiva? Ndoshta ky fakt e bën një skuadër më të rrezikshme”, u shpreh Enrike.
Pyetjes rreth blerjes së mundshme të Saul Niguez nga Barcelona, Enrique iu përgjigj prerë: “Nuk e kam zakon të flas për lojtarë që nuk kanë të bëjnë fare me aktualitetin e Barcelonës. Në galaksinë e futbollistëve ka shumë lojtarë që mund të na interesojnë”.
Neymar javët e fundit nuk po shfaqet me nivelin e tij të zakonshëm, por Enrique si gjithmonë u del në mbrojtje lojtarëve të tij. “Jam i kënaqur me rendimentin e të gjithë futbollistëve të mi, pa përjashtim. Do të ishte e padrejtë, nëse do të veçoja Neymar. Jemi në këtë pozicion për meritë të të gjithëve. Të jesh futbollist i Barcelonës përbën lajm në çdo moment”, tha ai.
Luiz Suarez mbetet favorit për t’u shpallur golashënuesi më i mirë i La Ligas, por Enrique kujton se synimi kryesor i uruguajanit është titulli kampion, më pas vijnë trofetë individualë.
Përplasjet e fundit mes Totit dhe Spaletit kanë ngritur dyshime, nëse kapiteni do të rinovojë me Romën, apo do të firmosë për një skuadër tjetër. Ditët e fundit shtypi i huaj ka ngritur pikëpyetje për një kalim të mundshëm të tij në Spanjë me skuadrën e Barcelonës.
I fundit që ka folur për këto hipoteza ka qenë trajneri Luis Enrike. “Toti te Barcelona? Nëse mund ta marrim me një çmim të mirë, përse jo?”, ka deklaruar ai sipas shtypit italian para ndeshjes me Betisin në kampionat.
“Si një tifoz i vogël i Romës dhe për atë që ka prezantuar dhe përfaqëson ende sot Françesko, do të më pëlqente që ta mbyllte karrierën te Roma. Ta shoh që të veshë një tjetër fanellë në këtë fazë nuk do të ishte ideale, por fjala e fundit i mbetet atij. Për mua duhet ta mbyllë karrierën te Roma”, ka thënë trajneri i Barcelonës.

Artikulli paraprakPogba: Dua të bëhem më i mirë se Pele e Maradona
Artikulli tjetërMoxhi: “Galiani kishte frikë nga unë”