Shefi i Urbanistikës në Durrës pezullohet nga detyra dhe merret nën hetim. Gjykata e Shkallës së Parë në këtë qytet miratoi kërkesën e Prokurorisë për të vendosur “Pezullim të ushtrimit të detyrës” së Drejtorit të Planifikimit dhe Zhvillimit të Territorit në Bashkinë Durrës, Adhurim Qehajaj.
Ky vendim u mor pas hetimit mbi dhënien e një leje ndërtimi nga Bashkia Durrës për objektin në pronësi të Ndriçim Domit, që ndodhet ndërmjet rrugës kombëtare tek “Ura e Dajlanit” dhe bregut të detit. Prokuroria arriti në përfundimin se leja e dhënë nga Bashkia është në kundërshtim me kriteret e ligjit “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit” i ndryshuar me Vendim të Këshillit të Ministrave.
Objekti me sipërfaqe 1516.8 m2 ndodhet brenda kufirit kufizues të përcaktuar si Zonë me Rëndësi Kombëtare, në pjesën e brezit bregdetar. Gjykata vendosi sekuestro preventive në lidhje me objektin dhe truallin, duke urdhëruar: Pezullimin e kryerjes së mëtejshme të punimeve të ndërtimit në objektin “Hotel 5-6 katësh dhe 1 kat nëntokë” si dhe pezullimin e kryerjes së transaksioneve së pasurisë në pronësi të Ndriçim Domi.
Prokuroria saktësoi se leja e zhvillimit dhe ndërtimit është dhënë për një zonë të përcaktuar si të Rëndësisë Kombëtare dhe është Këshilli Kombëtar i Territorit organ kompetent përgjegjës për të miratuar lejet e zhvillimit dhe ndërtimit në këto zona. Shef i Urbanistikës së Durrësit akuzohet për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.