Me urdhër të Ramës, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vendosi dje “amnistimin” e dy kryebashkiakëve socialistë, Tërmet Peçi i Tepelenës dhe Adriatik Zotkaj i Poliçanit, për të cilët Prokuroria kishte kërkuar heqjen e mandatit për shkak të precedentëve kriminalë që ata kishin fshehur në formularin e dekriminalizimit. Në mbledhjen e djeshme, vendimi u mor vetëm nga 4 anëtarë të mazhorancës në KQZ, ndërsa ata të opozitës u larguan para se të jepej verdikti për 21 subjektet politike, për të cilat Prokuroria kishte kërkuar verifikim, por për dy kryebashkiakët kishte kërkuar specifikimisht heqjen e mandatit. Kryeprokurori Adriatik Llalla i kishte bërë kërkesë KQZ-së për heqjen e mandatit të kreut të Bashkisë së Tepelenës, Tërmet Peçi dhe kreut të Bashkisë së Poliçanit, Adriatik Zotkaj. Sipas hetimeve të Prokurorisë rezulton se, këta dy drejtues bashkish nuk kanë deklaruar dënime, të cilët mund t’u hiqnin atyre të drejtën për ushtrimin e profesionit, në kuadër të ligjit për dekriminalizimin.
Prostitucion, dhunë e falsifikime, Zotkaj i dënuar pesë herë
Trafikim prostitucioni, ushtrim dhune, falsifikim të dokumentacioneve, kundërshtim të forcave të rendit e shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor. Janë këto pesë akuzat që rëndojnë ndaj kryebashkiakut socialist të Poliçanit, për të cilin Prokuroria zyrtarisht i kërkoi KQZ heqjen e mandatit. Mediat kanë zbardhur dëshminë e penalitetit të kryetarit të Bashkisë së Poliçanit Adriatik Zotkaj. Mediat kanë publikuar dëshminë e penalitetit, ku janë pasqyruar me detaje 5 dënimet penale të formës së prerë. Veç dëshmisë së penalitetit është dhe dokumenti për shkurtimin e vendimit të Gjykatës së Skraparit që mban vitin 1985, ku Zotkaj është dënuar për 4 muaj në riedukim për të kryer punë publike. Pikërisht këtë vendim, Zotkaj nuk e ka pasqyruar në formularin e parë të dekriminalizimit, duke u bërë shkak që Prokuroria t’i kërkojë KQZ ndërprerjen e mandatit të Zotkajt. Sipas Prokurorisë, mospasqyrimi i këtij dënimi në formular ka bërë që kreu i Bashkisë së Poliçanit të ketë konsumuar veprën penale të “falsifikimit të formularëve”, akuzë për të cilën tashmë edhe po hetohet nga Prokuroria. Nga ana tjetër, në kërkesën drejtuar Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ku kërkohet ndërprerja e mandatit të kreut të Bashkisë së Poliçanit, organi i akuzës argumenton se formulari i dytë, i korrigjuar nga Adriatik Zotkaj dhe i pranuar nga KQZ-ja nuk ka vlerë ligjore. Sipas akuzës, vetëm formulari i parë, i dorëzuar më 26 prill 2016 është i vlefshëm dhe brenda afatit ligjor. Çdo formular tjetër apo material, thuhet nga prokurori, i dorëzuar pas datës 26 prill 2016 në KQZ nuk mund t’i nënshtrohet verifikimit, pasi është marrë dhe administruar në kundërshtim të hapur të ligjit dhe është formular i pavlefshëm. Për këtë fakt, thonë prokurorët, kanë nisur edhe hetimet ndaj zyrtarëve të KQZ-së, pasi kanë pranuar korrigjimin e 29 formularëve të parë, në kundërshtim të ligjit. Ndërkohë Adriatik Zotkaj, sipas dëshmisë së penalitetit, është dënuar 5 herë me vendime penale. Në vitin 1985 nga Gjykata e Skraparit për akuzën e “fyerjes dhe goditjes për shkak të detyrës”. Në vitin 1992 Gjykata e Korçës e ka dënuar me 3 vjet burg për akuzën e “shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor”. Në vitin 2001 po Gjykata e Skraparit e ka dënuar me 10 muaj burg për kundërshtim të forcave të rendit. Në vitin 2002 Gjykata e Tiranës e ka dënuar me 12 muaj burg për veprime arbitrare dhe falsifikim të dokumenteve. Një vendim tjetër i Gjykatës së Beratit që mban vitin 2006.
Tërmet Peçi, dënim të formës së prerë për falsifikim dokumentesh
Sektori i Dekriminalizimit në Prokurorinë e Përgjithshme ka konstatuar se subjektit Tërmet Peçi i duhet ndërprerë mandati i kryetarit të Bashkisë, pasi rezulton se “Subjekti deklarues Tërmet Peçi, referuar Ligjit nr. 138/2015, ka dorëzuar një formular vetëdeklarimi të dorëzuar në datë 21.04.2016, të plotësuar në datë 10.04.2016, pra, brenda afatit ligjor të përcaktuar në vendimin nr. 17/2016, të Kuvendit të Shqipërisë. Më pas në datë 10.06.2016 subjekti ka dorëzuar dhe një formular vetëdeklarimi dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka pranuar ta administrojë, në shkelje të afateve ligjore. Sektori i Verifikimit të Integritetit ka verifikuar vetëm të dhënat e formularit të datës 10.04.2016, pasi sipas Ligjit 138/2015 dhe vendimit 17/2016 të Kuvendit të Shqipërisë, ky formular është i vetmi formular që është plotësuar duke respektuar afatet ligjore. Çdo formular tjetër apo materiale të tjera, nuk mund t’i nënshtrohen verifikimit pasi bien në kundërshtim të hapur me ligjin. Në formularin e parë të përcjellë për verifikim nga ana e sektorit është konstatuar se nuk është pasqyruar asnjë e dhënë në lidhje me vendime penale përfundimtare apo jo, masa sigurimi, dëbime apo hetime brenda apo jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka kryer verifikimet paraprake në zbatim të Ligjit 138/2015 dhe vendimit 17/2016 të Kuvendit të Republikës pranë Drejtorisë së Burgjeve dhe informon se ky subjekt është dënuar me vendim të formës së prerë, nr. 21, datë 27.04.2004 nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tepelenë, për veprën penale të “Përdorimit të dokumenteve të falsifikuar”, parashikuar nga neni 186/1 i Kodit Penal me 150 000 lekë gjobë. Këto të dhëna gjenden të pasqyruara dhe në dëshminë e Gjendjes Gjyqësore datë 30.05.2016, përcjellë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe shkresës datë 01.06.2016 të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, me anë të së cilës informohet Komisioni Qendror i Zgjedhjeve se subjekti vetëdeklarues, Tërmet Peçi, ka një vendim dënimi. Sektori i Verifikimit të Integritetit në Prokurorinë e Përgjithshme me shkresën nr. 454/2 prot., datë 17.02.2017 dhe nr. 451/4 prot., datë 21.02.2017, i është drejtuar me kërkesë Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve dhe Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër. Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve me shkresën nr. 679/1 prot., datë 27.02.2017 na ka vënë në dispozicion dëshminë e Gjendjes Gjyqësore të subjektit, nr. 11 prot., datë 23.02.2017, ku konfirmon të dhënat se subjekti z. Tërmet Peçi realisht ka një dënim penal të formës së prerë. Gjykata e Shkallës së Parë Gjirokastër ka vënë në dispozicion vendimin penal të formës së prerë, nr. 21, datë 27.04.2004, në emër të z. Tërmet Peçi, i cili është i dënuar për veprën penale të “Përdorimit të dokumenteve të falsifikuar”, parashikuar nga neni 186/1 i Kodit Penal me 150 000 lekë gjobë. Subjekti rezulton se nuk e ka deklaruar këtë vendim gjyqësor të formës së prerë, edhe pse ka pasur detyrimin ligjor për ta pasqyruar në pyetjen 1 të formularit të vetëdeklarimit. Ai i është përgjigjur me “Jo”, pyetjes nëse ka qenë ndonjëherë i dënuar me vendim të formës së prerë nga një autoritet gjyqësor shqiptar apo i huaj.