Biden: Nëse ne ndalemi dhe mposhtet Ukraina, çfarë mendoni se do të ndodhë me vendet e Ballkanit?

Presidenti amerikan, Joe Biden, e ka përmendur Ballkanin dhe rrezikun që i kanoset në rast se Shtetet e Bashkuara nuk vazhdojnë të dërgojnë ndihmë për Ukrainën, e cila po përballet me pushtimin rus, prej shkurtit të vitit 2022.

Duke folur pas një konference me kryetarë të shteteve amerikane, më 19 janar, Biden e ka përmendur pozitën e fuqishme të Shteteve të Bashkuara në botë, dhe për sfidat me të cilat po përballen vendet tjera.

“Nëse ne ndalemi, dhe Rusia vazhdon të luftojë dhe mposhtet Ukraina, çfarë mendoni se do të ndodhë me vendet e Ballkanit? Çfarë do të ndodhë me Poloninë deri te Hungaria? Seriozisht, mendoni për këtë. E ndryshon dinamikën”, ka thënë Biden, sipas Shtëpisë së Bardhë.

Shtetet e Bashkuara, të cilat kanë ndihmuar më së shumti Ukrainën, prej nisjes së luftës, aktualisht përballen me bllokadë të disa republikanëve konservatorë, të cilët kanë dalë kundër ndarjes së mëtejshme të ndihmës për këtë shtet. Në pakon e Bidenit për ndihmë parashihen 50 miliardë dollarë për Ukrainën dhe 14 miliardë për Izraelin.

Edhe Bashkimi Evropian nuk ka arritur të ndajë fonde në vlerë të 50 miliardë dollarëve për Ukrainën, për shkak të vetos që e ka përdorur Hungaria. Muajin e kaluar, shefja e Zyrës së SHBA-së për Buxhet, Shalanda Young, ka thënë në një letër dërguar udhëheqësit të Dhomës së Përfaqësuesve, Mike Johnson që, nëse ndihma ushtarake përfundon, atëherë Kievi do të gjunjëzohet ndaj pushtimit rus. Në total, Shtetet e Bashkuara kanë ndarë 111 miliardë dollarë për Ukrainën, prej nisjes së luftës, përfshirë 67 miliardë dollarë për blerje të pajisjeve ushtarake.

Presidenti rus, Vladimir Putin e quan luftën “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën. Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra. Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.

Edhe Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, pati përsëritur në nëntor të vitit të kaluar, se gjëja e fundit që do Perëndimi në rajonin e Ballkanit Perëndimor është rikthimi i konflikteve, teksa e pati përmendur rëndësinë e pranisë së NATO-s.

Pas sulmeve në Banjskë të Zveçanit, në shtator të vitit të kaluar, KFOR-i, misioni i NATO-s në Kosovë, e ka rritur praninë në këtë vend dhe tani numëron 4.500 pjesëtarë. Më 24 shtator, një grup i armatosur serb e ka sulmuar Policinë e Kosovës, duke e vrarë rreshterin Afrim Bunjaku.

Kosova e ka fajësuar shtetin e Serbisë për sulmin, ndonëse kjo e fundit ka mohuar gjithçka. Përgjegjësinë për sulmin e ka marrë Millan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë.

Agjencia Ndërkombëtare e Policisë (INTERPOL) tashmë ka lëshuar fletarrestim për të./REL/

Artikulli paraprakGol në kampionat, Odise Roshi realizon në Turqi, por mposhtet Sakaryaspor
Artikulli tjetërShëndetësia (jo) falas/ Rekordi i pagesave të shqiptarëve në Evropë