Bie me 13% sipërfaqja e lejeve të ndërtimit në kryeqytet në janar-mars

Pasi arriti rekord në vitin 2024, sipërfaqja e dhënë për leje ndërtimi ka shënuar rënie në tremujorin e parë të vitit. Të dhënat e INSTAT bënë të ditur se në kryeqytet në periudhën janar-mars u dhanë 72 leje ndërtimi, me një sipërfaqe prej rreth 201 mijë metra katror.

Në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë, sipërfaqja ka rënë me 13.3%. Së bashku me tremujorin e parë 2023, këto janë nivelet më të ulëta që janë dhënë që nga viti 2018.

Në 2024-n, sipërfaqja e lejeve të ndërtimi arriti një nivel rekord prej mbi 1.9 milionë metra katror. Kjo është sipërfaqja më e lartë e dhënë ndonjëherë për ndërtim për kryeqytetin, të paktën që nga viti 2005, kur INSTAT raporton të dhënat për Tiranën.

Në krahasim me vitin e mëparshëm, sipërfaqja e dhënë për ndërtimn në 2024-n u rrit me rreth 36%, ndërkohë që është dhe rreth 7% më e lartë se në 2022, kur shënohej rekordi i deritanishëm me 1.8 milionë metra katror.

Më pak leje në rang vendi

Sipas njoftimit të INSTAT, Në tremujorin e parë të vitit 2025, janë miratuar 258 leje ndërtimi për ndërtesa të reja, duke shënuar një ulje prej 17,0 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024, kur u miratuan 311 leje.

Sipërfaqja totale e parashikuar për ndërtimet në këtë tremujor, është 335.137 m², duke shënuar një ulje prej 6,3 %, në krahasim me tremujorin e parë të vitit 2024 (357.585 m²).

Vlera e përafërt e projekteve të miratuara (që përfshin si ndërtesat ashtu edhe punimet inxhinierike) arriti në
20,1 miliardë lekë, duke shënuar një rritje prej 47,6 %, krahasuar me një vit më parë (13,6 miliardë lekë).

Ndërtimet për banim përbëjnë pjesën më të madhe të lejeve të reja, me 188 leje dhe sipërfaqe ndërtimi 215.418 m².
• Ndërtesat jo-rezidente (si hotele, ndërtesa tregtare dhe industriale) zënë pjesën tjetër me 70 leje dhe 119.719 m² sipërfaqe.
• Qarku i Tiranës mban peshën kryesore me 72 leje ndërtimi të reja dhe 201.237 m², ndonëse me rënie nga një vit më parë.
• Rritje domethënëse e vlerës së projekteve ndërtimore u regjistrua në qarqet Durrës, Vlorë dhe Fier./ Monitor

Artikulli paraprakSiguria ushqimore lë për të dëshiruar! Policia Bashkiake ul kontrollet në rrugët e Durrësit
Artikulli tjetërDy lajme nga jashtë me rëndësi të madhe brenda