Prokurori i posaçëm Robert Mueller thotë se as Presidenti Donald Trump, as fushata e tij dhe as ndonjë tjetër i lidhur me këtë fushatë, nuk kanë komplotuar me Rusinë për të ndërhyrë në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016, sipas një përmbledhjejr të paraqitur të dielën nga kreu i Departamentit të Drejtësisë (Prokurori i Përgjithshëm) William Barr.
Por përsa i përket pyetjes nëse Presidenti Trump u përpoq të pengonte drejtësinë duke ndërhyrë ose duke u orvatur të prishë hetimin e prokurorit Mueller, zoti Barr tha, “Raporti nuk arrin në përfundimin se presidenti ka kryer ndonjë krim, por as nuk e përjashton këtë”.
Zoti Barr publikoi një përmbledhje të raportit të shumëpritur për hetimin që zgjati 22 muaj rreth akuzave se fushata e zotit Trump kishte bashkëpunuar fshehurazi me Rusinë për të ndikuar në zgjedhjet e 2016-s në favor të zotit Trump.
Prokurori i Përgjithshëm Barr ia dërgoi përmbledhjen e tij Kongresit dhe e bëri atë publik të dielën. Zoti Mueller e dorëzoi raportin e tij në Departamentin e Drejtësisë të premten.
“Hetimi i Prokurorit të Posaçëm nuk arrin në përfundimin se fushata Trump apo dikush i lidhur me të ka bashkëpunuar … me qeverinë ruse në aktivitetet për ndërhyrjen në zgjedhje,” thuhet në përmbledhjen e zotit Barr.
Zoti Barr thotë se raporti arrin pikërisht në këtë përfundim, megjithë “ofertat e shumta nga individë të lidhur me Rusinë për të ndihmuar fushatën Trump”.
Sipas zotit Barr, Prokurori i Posaçëm Mueller nuk nxjerr përfundime nëse Presidenti Trump ka penguar drejtësinë, duke ia lënë këtë çështje zotit Barr dhe Zëvendës Prokurorit të Përgjithshëm Rod Rosenstein. Kreu i Departamentit të Drejtësisë shkruan se nuk ka prova të mjaftueshme për të konkluduar nëse zoti Trump ka kryer krimin e pengimit të drejtësisë. Ai thotë se kjo nuk bazohet në ndonjë nocion se ndaj një presidenti në detyrë nuk mund të ngrihet aktpadi.
“Për të arritur në ngritjen e akuzave për pengim të drejtësisë dhe për t’i mbështetur këto akuza, – shkruan ai, – qeveria do të duhej të provonte përtej dyshimit të arsyeshëm se një person që vepron me synime të korruptuara, angazhohet në sjellje penguese”.
Megjithë pohimet e zotit Barr se raporti i Prokurorit të Posaçëm Mueller nuk e nxjerr presidentin plotësisht të pastër, zoti Trump shkruante kështu të dielën në Twitter: “Asnjë bashkëpunim i fshehtë, asnjë pengim i drejtësisë, pafajësi e plotë. Le ta mbajmë Amerikën të Madhe”.
Më vonë, ai u tha gazetarëve se hetimi ishte “gjëja më qesharake që kam dëgjuar ndonjëherë … është turp që vendit tonë iu desh të kalojë nëpër këtë sprovë… është një turp që presidenti duhej të kalonte nëpër këtë sprovë, madje qysh përpara para se unë të zgjidhesha – ky ishte një akt ipaligjshëm poshtërimi që dështoi dhe shpresojmë se dikush do të hetojë edhe palën tjetër.”
Deri tani ka patur vendime të shumta gjykatash që e mbështesin ligjshmërinë e hetimit të zotit Mueller. Në përmbledhjen e zotit Barr vihet në dukje se gjatë hetimit gati dy vjeçar, Prokurori i Posaçëm Mueller pati në dispozicion të tij 19 avokatë dhe 40 agjentë të FBI-së që punonin me të, lëshoi më shumë se 2.800 thirrje për paraqitje, bisedoi me rreth 500 dëshmitarë dhe kreu gati 500 urdhra për bastitje.
Dhoma e Përfaqësuesve votoi njëzëri këtë muaj për një rezolutë e cila kërkonte që raporti i plotë i zotit Mueller të bëhej publik. Shumë ligjvënës duan gjithashtu të shohin ndonjërën nga dëshmitë që e bënë zotin Mueller të arrinte në përfundimet e tij, sidomos tani që zoti Barr shkruan se raporti i Prokurorit të Posa]ëm Mueller “nuk e nxjerr të pafajshëm” zotin Trump, edhe nëse presidenti thotë të kundërtën.
“Letra e Prokurorit të Përgjithshëm Barr ngre po aq pyetje sa edhe jep përgjigje,” thanë në një deklaratë të përbashkët kryetarja demokrate e Dhomës Nancy Pelosi dhe udhëheqësi i demokratëve të Senatit, Chuck Schumer. “Duke pasur parasysh rekordin publik të zotit Barr për njëanshmëri ndaj hetimit të Prokurorit të Posaçëm, ai nuk është një vëzhgues neutral dhe nuk është në gjendje të bëjë përcaktime objektive rreth raportit”.
Kryetari i Komisionit Juridik të Dhomës, Jerry Nadler, tha se komisioni i tij do të thërrasë zotin Barr të dëshmojë në një të ardhme të afërt “në dritën e mospërputhjeve shumë shqetësuese dhe vendimit përfundimtar në Departamentin e Drejtësisë pas raportit të Prokurorit të Posaçëm, ku zoti Mueller nuk e nxjerr të pafajshëm presidentin.”
Disa kandidatë demokratë për president, Kirsten Gillibrand, Cory Booker, Kamala Harris dhe Elizabeth Warren thanë gjithashtu të dielën se një përmbledhje e raportit të zotit Mueller, e filtruar përmes “prokurorit të përgjithshëm” të presidentit, është i pakënaqshëm.
Por udhëheqësi i pakicës në Dhomën e Përfaqësuesve, republikani Kevin McCarthy, tha se letra e zotit Barr e bën “mjaft të qartë dhe pa asnjë hije dyshimi, se nuk ka patur bashkëpunim të fshehtë”. Ai tha se vendi i mirëpret përfundimet e raportit.
Një nga aleatët më të afërt të Presidentit Trump, senatori republikan Lindsey Graham, tha se zoti Mueller bëri një “punë të madhe” dhe e quajti të dielën një “ditë të mirë për sundimin e ligjit” dhe një “ditë të keqe për ata që shpresonin se hetimi i zotit Mueller do ta rrëzonte Presidentin Trump”.
“Tani është koha të ecim përpara, të qeverisim vendin dhe për të përgatitemi për të luftuar Rusinë dhe aktorët e tjerë të huaj në prag të zgjedhjeve të 2020-s,” shkruante ai të dielën.
“VOA”