Profili i eksporteve shqiptare drejt Serbisë dhe Kosovës ka pësuar ndryshime të ndjeshme gjatë 11-mujorit.
Sipas të dhënave nga doganat shihet se shitjet e mallrave shqiptare në Serbi kanë shënuar një rritje me 34% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Nga 2.9 miliardë lekë që ishte vlera e eksporteve në janar-nëntor të 2015, në të njëjtën periudhë të 2016-s ato kaluan të 4 miliardë lekët.
Në të kundërt, ekspansioni i shitjeve në Kosovë nga bizneset vendase ka rënë ndjeshëm. Gjatë së njëjtës periudhë u eksportuan 14.8 miliardë lekë mallra nga 19.5 miliardë lekë që u eksportuan në të njëjtën periudhë të një viti më parë me një rënie 23%.
Nga statistikat e INSTAT shihet se, me Serbinë janë dyfishuar eksportet e produkteve të peshkut. Gjithashtu janë rritur ndjeshëm eksportet e perimeve dhe këpucëve. Një vit më parë Donika Mici, e Donianna, që ka realizuar ciklin e mbyllur të prodhimit të këpucës në vend pohoi se kishte siguruar kontrata të suksesshme shitjeje në Serbi.
Në rënien e tregtisë me Kosovën duket se kanë ndikuar më së shumti eksporti i materialeve të ndërtimit dhe kryesisht materialeve të hekurit, të cilat u ndikuan negativisht nga falimenti i eksportuesit më të madh shqiptar, kompanisë Kurum.
Tregtia me Serbinë shihet të jetë nxitur këtë vit edhe nga një relaksim i marrëdhënieve mes dy vendeve pas vizitave të shpeshta të Kryeministrit Edi Rama me vendin fqinjë. Ndërsa tregtia me Kosovën vijon të vuajë pasojat e një konkurrence për shkak të profilit të njëjtë prodhues që kanë të dy vendet.