Bilanc lufte, 11 të vrarë në 24 orë, vendi pa siguri dhe rend

11 persona kanë mbetur të vdekur dhe dhjetëra të tjerë janë plagosur gjatë 24 orëve të fundit, ndërsa rendi ndodhet jashtë kontrollit. Vrasje, grabitje dhe përsëri vrasje në të gjithë vendin, ndërsa Rama dhe Tahiri mashtrojnë qytetarët me gjoja rritje të sigurisë në vend.
Pas atentatit të së dielës në Vlorë ku u vranë dy persona dhe vrasjes në Patos, një tjetër vrasje ka ndodhur dje pasdite në Përmet. Sipas policisë viktima është shtetasi Elidjan Pashaj, 28 vjeç. Ai është qëlluar me armë gjahu nga 65-vjeçari Kujtim Bejollari, banues në Durrës. Mësohet se shkak i vrasjes kanë qenë konfliktet e pronësisë. Po paraditen e  djeshme, dy gra humbën jetën në një spital në Tiranë si pasojë e një zjarri të qëllimshëm.
Në Patos në orët e mbrëmjes së të dielës, burri ka goditur disa herë me thikë bashkëshorten, duke i shkaktuar vdekjen. Një grindje për motive banale ka qenë pikënisja e konfliktit në familjen Goxhaj, që degjeneroi deri në dhunë fizike dhe më pas goditje me armë të ftohtë. Nga të dhënat e policisë dyshohet se autori i krimit, Kovaç Goxhaj ka konsumuar pije alkoolike dhe mund të ketë qenë nën efektin e alkoolit. Bashkëshortja e tij 52-vjeçarja Resmije Goxhaj, ka gjetur vdekjen nga hemoragjia si pasojë e plagëve nga goditjet e thikës, të cilat i kishin dëmtuar rëndë organet jetësore.
Ndërsa të dielën u vra një i ri në Kukës. 29 vjeç Miraim Isa u qëllua disa herë me thikë nga Ismail Memishi (Alidini) dhe si pasojë e plagëve ndërroi jetë në Spitalin e Kukësit. Burime pranë policisë së Kukësit bënë të ditur se, dy familjet Memishi (Alidini) dhe Isa ishin në hasmëri, ndërkohë që konflikti është rindezur pas një tjetër incidenti që ka ndodhur mes autorit dhe viktimës.
Po të deilën një person ka humbur jetën aksidentalisht gjatë punës në fshatin Shtyllë të Korçës. Sipas burimeve, M.M 35 vjeç banues në fshatin Sheqeras, duke prerë me troko një gur, aksidentalisht i është prerë mjeti i punës dhe e ka goditur në trup, ku për pasojë ka gjetur vdekjen e menjëhershme.

y të vrarë dhe një i palgosur në Vlorë

Si pasojë e breshërisë së plumbave kanë mbetur të vdekur shtetasit, Ilir Deromemaj, 45 vjeç dhe Dhimitër Çani, 60 vjeç, ndërsa është plagosur Krenar Runaj, 50 vjeç, i cili dodhet në gjendje të rëndë në spital. Sipas burimeve nga vendi i ngjarjes, autori qëlloi me breshëri kallashnikovi nga një fuoristradë “Xhip” me targa AA 201 FS, e cila u gjet tre orë më vonë e djegur në fshatin Aliko, në afërsi të varrezave. Makina rezulton e vjedhur dy muaj më parë në Fier. Dyshohet se objektiv i atentatit ishte Deromemaj. Sipas policisë, ai kishte precedentë penalë dhe akuzohej se në vitin 1998 kishte vrarë Lame Gockajn. Grupi hetimor sqaron se po verifikohen të gjitha konfliktet e mundshme që 45-vjeçari Deromemaj ka patur kohët e fundit.
Dëshmitarë i thanë policisë se mjeti ngadalësoi shpejtësinë përpara lokalit dhe autori, që gjendej në vendin e parë të pasagjerit, zbrazi një karikator të plotë. Deromemaj ishte ulur në një nga dy tavolinat që lokali kishte përpara, në pjesën e jashtme. Viktima tjetër, Dhimitër Çani, që punonte si kambist dhe i plagosuri Krenar Runaj, nuk kishin lidhje me të. Policia ende nuk ka mundur të identifikojë dhe arrestojë autorët e kësaj masakre.

Dy fëmijë dhe një grua vdesin në aksident

Një grua, vajza e saj 9 muajshe dhe një tjetër fëmijë vetëm 18 muajsh humbën jetën në një aksident të rëndë në aksin Gjirokastër-Tepelenë, mesditën e të dielës. Mjeti tip “Furgon” me rreth 10 persona në të, të gjithë të afërm me njëri-tjetrin, po ktheheshin nga Saranda, kur në fshatin Mashkullorë, janë përplasur me një veturë me targa zvicerane ku udhëtonte një familje kosovare.
Si pasojë e goditjes kanë humbur jetën në vendngjarje nënë e bijë Albana Hasani, vajza e saj 9 muajshe me iniciale D.D, si edhe djali 1 vjeç e gjysmë nga Kosova me iniciale L.L. i cili ndodhej në mjetin me targa zvicerane.
Të tre viktimat kanë mbërritur të pajetë në Spitalin Rajonal të Gjirokastrës, ndërkohë që të plagosurit, pas trajtimit të shpejtë mjekësor, u dërguan drejt Tiranës. Tre prej tyre në gjendje më të rëndë, u nisën me helikopterë. Mjekët në Spitalin e Traumës, shpjegojnë gjendjen e tre prej të aksidentuarve më rëndë, Leombra Hasanaj, Ened Gjyli dhe Irfan Hasanaj. Ndërsa me fraktura por jashtë rrezikut për jetën janë Hasan Dedja, Genci Sherifi, Kejdi Gjyli, Entel Gjyli dhe Pajtesa Hasanaj.

R.POLISI

Exit mobile version