Një aksident automobilistik ndodhi këtë të diel në aksin Berat-Dimal, pranë fshatit Otllak.
Një 34-vjeçar banues në Kuçovë duke drejtuar automjetin tip BMW, ka humbur kontrollin dhe për pasojë automjeti ka dalë nga rruga. Si pasojë e daljes nga rruga e automjetit, ka humbur jetën pasagjeri, shtetasi, Lorenc Llangozi 33 vjeç, banues në Kuçovë.
Nga hetimet e para, dyshohet se shkak i aksidentit ka qenë shpejtësia e lartë, me të cilën po udhëtonin dy të rinjtë si dhe lagështia në rrugë. Drejtuesi i automjetit është shoqëruar në Komisariat për veprime të mëtejshme.
Aksi Berat Dimal njihet si njolle e zeze në hartën e akseve automobilistike. Ne këtë aks, kohët e fundit ka pasur aksidente me pasoja fatale.
Kjo javë ka shënuar një bilanc tragjik, pasi numri i viktimave arriti në tetë. Të premten humbi jetën një 51-vjecar në Kukës.
Ndërkohë 6 viktima u regjistruan vetëm gjatë së enjtes ku katër të rinj humbën jetën në Fushë-Prezë, ndërsa një mësuese 59-vjeçare në gjimnaz u përplas për vdekje në Bulqizë.
Viktima tjetër ishte një i mitur katër vjeçar, i cili u përplas nga një furgon që doli nga rruga në aksin Klos-Burrel. Fëmija 4 vjeç u transportua menjëherë në spital për ndihmë mjekësore dhe më pas u dërgua në spitalin e Traumës ku dhe ndërroi jetë disa orë më pas, mbrëmjen e së enjtes.