Bilanc tragjik nga përmbytjet në Laç

Një person ka gjetur vdekjen si pasojë e përmbytjeve në Laç. Kolë Menga, 48 vjeç nuk e kishte menduar se dalja nga shtëpia për të shpëtuar dyqanin ku tregtonte këpucë të përdorura ishte dhe e fundit për të. Ngjarja ka ndodhur pranë qendrës së qytetit. 48 vjeçari u rrëmbye nga rryma e fuqishme e ujit, ndërsa trupi është gjetur disa orë më vonë disa kilometra larg. Babai i 2 fëmijëve ka lënë pikëllim dhe hidhërim tek familjarët që përjetuan tmerr nga përmbytjet e mbrëmjes së të hënës. Asnjë ndihmë nuk u është ofruar familjeve që po luftonin me ujin në mes të natës. Edhe pse banorët kanë kërkuar ndihmë, nuk është dhënë asnjë ndihmë nga Qeveria. Asnjë zyrtar nga pushteti vendor dhe qeveria nuk ka shkuar pranë tyre.
Ndërkohë, Laçi vazhdon të notojë nën ujë, ndërsa dhjetëra banesa e biznese janë përmbytur. Bëhet e ditur se 60 banesa në zonën e Laçit, rreth 500 ha tokë janë përmbytur si pasojë e reshjeve intensive të shiut. Po ashtu janë mbytur 110 krerë dhi. Ditën e djeshme janë evakuuar 50 familje në Milot dhe Laç.
Në zonën e quajtur “Kodra e Bushit” në Laç, janë të përmbytura 9 shtëpi. Vërshimi i përrenjve ka marrë 15 koshere bletësh, një hambar me 60-70 kv misër, si dhe dëmtime të bazës ushqimore të blegtorisë. Gjithashtu, në Mal të Bardhë, nga vërshimi i përrenjve, është dëmtuar një stallë bagëtish të imta dhe uji ka rrëmbyer rreth 110 krerë dhi.
Në shtëpitë e familjes Dani, dëmet janë të mëdha. Uji ka arritur në nivelin e 1 metër. Familjarët kanë evakuuar fillimisht gratë dhe fëmijët, duke i ngjitur në tarracat e shtëpive. “Derisa ra gjendja e tensionuar, fëmijët kanë ndenjur lart mbi çati”, tha një nga pjesëtarët e familjes Dani.
Dëme ka dhe në tokat bujqësore dhe në blektori kanë përjetuar rreth 60 familje në qytetin e Laçit. Papastërtitë dhe qeset e hedhurinave në përrua janë dëshmi e një gjendjeje skandaloze. Banorët dhe bizneset, kërkojnë kryerjen e plotë të inventarizimit që qeveria dhe bashkia të kryejnë dëmshpërblimet.
Banorët e Shullazit kanë pohuar se kanë pësuar dëme të mëdha materiale dhe se niveli i ujit arrin në 1 metër. “Kemi pësuar dëme të mëdha materiale. E dyta herë që përmbytemi në këtë mënyrë. Mbrëmë niveli i ujit arriti deri në 1 metër”, kanë thënë banorët. Gjatë paradites në qytetin e Laçit niveli i ujit ka rënë, në fshatra mbetet i lartë.
I gjithë tregu i Kurbinit është mbuluar nga balta, pas tërheqjes së ujit që kishte shkuar mbi 1 metër gjatë natës. Tregtarët e Laçit kanë thënë se, kanë pësuar dëme të mëdha nga përmbytjet. Ata thonë se, shkak i përmbytjeve ka qenë mospastrimi i kolektorëve. “Përmbytjet na shkaktuan dëme të mëdha. Shkak i kësaj situate është mos pastrimi i kolektorëve”, kanë deklaruar tregtarët.
Në rrethin Kurbin, nga dendësia e madhe e reshjeve të shiut, janë përmbytur rreth 300 hektarë të mbjella me kultura bujqësore, konkretisht në fshatrat Gjorm, Fushë-Gjorm, Sanxhak dhe Shullaz.

“Baba na ndihmo”! Si u shpëtuan famijët nga uji që vërshoi në dhomë

Banorët që u prekën nga përmbytjet në Laç shprehen se uji u vërshoi papritmas në banesa dhe për pak u mori fëmijët. Ata e kaluan natën jashtë, kurse ditën e djeshme nuk arritën të futen në banesa për shkak të ujit që i ka përmbytur. Njëri nga banorët është shprehur se, me ndihmën e komshinjve arriti që të shpëtonte fëmijët që ishin në rrezik nga uji që i përmbyti shtëpinë. “Kalamajtë erdhën duke bërtitun; Babë, babë, hajde na shpëto nga uji! Kur hyra në dhomën e tyre, uji një metër në dhomë. Çava rrjetën, theva dritaren dhe i kërkova ndihmë lagjes, dhe fqinjët më shpëtuan fëmijët. Uji kishte rrëzuar murin e banjës, kishte depërtu në dhomë”, tregon ai.
Një tjetër banore rrëfen momentet, kur uji furishëm vërshoi në banesën e saj. “Pasi erdhi uji, unë veç direkt kam dalë nga njëra dhomë, kam hy e kam qit fëmijët prej dollapit e i kam qit jashtë. Nuk ka shpëtuar asgjë. As frigoriferi, as lavatriçja, asnjëra nuk bën më, kanë dalë jashtë pune”, thotë ajo.
Një natë e tmerrshem ka qenë edhe për të moshuarën 100-vjeçare, e cila është shpëtuar nga nusja e shtëpisë. “Kemi qëndruar gjithë natën jashtë. I nxorrëm jashtë të gjithë familjarët, fëmijët. Nuk kemi çfarë të bëjmë, kam edhe nënën 100-vjeçe”, shprehet banorja.
Një tjetër banor thotë se uji dhe përmbytjet kanë shkaktuar shumë dëme materiale. “Kjo histori gjithmonë. Bie shiu, dalim jashtë se kemi frikë se na merr uji me vete. Nuk janë pastruar kanalet njëherë”, shprehet banori.

Situatë e vështirë në Milot

Në Shullaz dhe në Malbardhë, në Njësinë Administrative Milot, situata ka qenë më e vështirë, sepse dalja e ujërave të përroit ka sjellë përmbytjen e rreth 50 banesave. Në afërsi të autostradës me ndihmën e forcave të policisë janë evakuuar 6 familje, më të rrezikuarat. Në fshatin Delbënisht janë dëmtuar segmente të rrugës kryesore, duke ndërprerë lëvizjen e mjeteve. Në të gjithë Qarkun e Lezhës hidrovoret po punojnë me kapacitet të plotë dhe nuk ka patur ndërprerje të energjisë elektrike.

Dëmtime banesash në Mirditë

Në fshatin Lurth, për shkak të reshjeve intensive ka patur dëmtime të banesave, në bagëti dhe në prodhime bujqësore. Janë evakuuar 2 familje, por niveli i ujërave më pas ka rënë.
Në Njësinë Administrative Komsi, Bashkia Mat, për shkak të reshjeve intensive ka ndodhur një rrëshqitje dheu, duke dëmtuar një banesë. Gjithashtu, në këtë njësi për shkak të daljes së ujërave të përroit nga shtrati ka patur edhe në zonën përreth Uzinës rrezikim të banesave. Bashkia Mat ka evakuuar vetëm 1 familje.

Kol Menga vdiq duke shpëtuar biznesin e tij

Kol Menga ka humbur jetën mesnatën e të hënës dhe trupi i tij u gjet nga policia në një kanal në vendin e quajtur “Kodra e Bushit”. Lajmi u konfirmua edhe nga Prefekti i Lezhës, i cili tha se Kol Menga u mor nga vërshimi i ujërave, ndërkohë që ishte duke shpëtuar biznesin e tij. “Po tentonte të shpëtonte mallin e tij. Ka qenë i pamundur përballimi i vërshimeve të mëdha. Për 3 orë ka pasur 100 mm shi çka e bënte të pamundur kontrollimin e situatës”, tha ai.
Kol Menga punonte prej disa vitesh në tregun e Laçit, duke treguar rroba të përdorura, ndërsa mbrëmjen e të hënës, pasi filluan reshjet e dendura të shiut dhe rreziku ishte potencial që prurjet e përroit të përfshinin edhe biznesin e tij të vogël, ai shkoi për të zhvendosur mallin. Gjatë tentativës për të hequr mallin, 48-vjeçari është përpirë nga dallgët e përroit që kalon përmes qytetit. Trupi i viktimës është gjetur 300 metra nga vendi ku e mori rrjedhja e lumit. 48-vjeçari Kol Menga ishte babai i dy fëmijëve.
“Kodra e Bushit” është kthyer në një vend të mallkuar për të gjithë banorët e qytetit të Laçit, pasi brenda dy viteve ka marrë tre jetë. Pas vdekjes së mësuesit me vajzën e tij para dy vitesh, mbrëmë gjatë natës rrjedhja e lumit ka marrë edhe tregtarin 48-vjeçar.

150 banesa e dhjetëra biznese të përmbytura në Kurbin

Në Kurbin janë përmbytur më shumë se 150 banesa e dhjetëra biznese, ndërkohë, 6 familje janë evakuuar ditën e djeshme. Si pasojë e rritjes së prurjeve të përroit, pati dalje të ujërave nga shtrati. Të hënën rreth orës 19:00 pati stuhi me intensitet shumë të lartë, duke u krijuar gjendje kritike për banorët e qytetit, kryesisht në lagjen nr.4, tek Konviktet dhe përgjatë unazës së qytetit.
Janë përmbytur 30 banesa në zonën e stadiumit, 20 banesa të lagjen “Demokracia”, si dhe disa banesa në lagjen Sanxhak.
Në oborret e banesave poshtë kanalit të ujërave të larta ka pasur prezencë uji, kurse në tokat bujqësore ka dëme të kulturave bujqësore të stinës.
Në Shullaz dhe në Malbardhë, në Njësinë Administrative Milot, situata ka qenë më e vështirë, sepse dalja e ujërave të përroit ka sjellë përmbytjen e rreth 50 banesave.
Në afërsi të autostradës me ndihmën e forcave të policisë janë evakuuar 6 familje, më të rrezikuarat.
Në fshatin Delbënisht janë dëmtuar segmente të rrugës kryesore, duke ndërprerë lëvizjen e mjeteve.
Edhe në këtë Njësi Administrative, forcat e ushtrisë dhe të policisë janë angazhuar intensivisht për të ndihmuar komunitetin dhe largimin e ujërave nga banesat.
Në të gjithë Qarkun e Lezhës hidrovoret po punojnë me kapacitet të plotë dhe nuk ka patur ndërprerje të energjisë elektrike.
Reshjet me intensitet të lartë, që vijojnë ende, kanë shkaktuar përmbytjen e rreth 60 banesave, dhjetëra bizneseve si dhe disa dhjetëra hektarë tokë bujqësore janë nën ujë në zonën e Kurbinit.
Situata më problematike paraqitet në qytetin e Laçit, ku dalja nga shtrati i kanalit të ujërave të larta që përshkon qytetin ka përmbytur biznese dhe banesa në zonën përreth stadiumit dhe në lagjen “Demokracia”.
Po ashtu në Njësinë Administrative të Milotit situata është pothuajse jashtë kontrollit. Nga vërshimi i ujërave është bllokuar rruga e vjetër Milot-Laç si dhe hyrja e qytetit të Laçit. Situatë problematike paraqitet edhe në fshatrat Lurth dhe Sheshaj të Mirditës, ku rrezikohen disa banorë.
Situate në Qarkun e Lezhës, pas përmbytjeve të fundit, deri në orën 13.00 të ditës së djeshme ka qënë pa probleme. Në rrethin e Lezhës, reshjet e fundit kanë pasur ndikime të vogla, kryesisht në territorin e Pllanës, Njësia Administrative Zejmen.
Në rrethin Kurbin, nga dendësia e madhe e reshjeve të shiut, janë përmbytur rreth 300 hektarë të mbjella me kultura bujqësore, konkretisht në fshatrat Gjorm, Fushe-Gjorm, Sanxhak dhe Shullaz.
Në Laç, në zonën e quajtur “Kodra e Bushit”, janë të përmbytura 9 shtëpi. Vërshimi i përrenjëve ka marrë 15 koshere bletesh, një hangar me 60-70 kv misër, si dhe dëmtime të bazës ushqimore të blegtorisë.
Gjithashtu, sipas raportimeve që vijnë nga Drejtoria e Bujqësisë Lezhë dhe Shtabi i Emergjencës, në Mal të Bardhë, nga vërshimi i prronjëve, është dëmtuar një stallë bagëtish të imta dhe uji ka rrëmbyer rreth 110 krerë dhi. Hidrovorët janë në punë me kapacitet të plotë, ndërsa probleme me energjininë nuk ka pasur.

Rexhep POLISI

Artikulli paraprakTonelata droge çdo ditë në Itali e Greqi
Artikulli tjetërNoka: Droga çau detin, por pasi u kap në Itali na del aksion i përbashkët