Këshilltarët bashkiakë të Partisë Demokratike në Bashkinë e Tiranës denoncuan sot bilancin 1-vjeçar të punës së kryebashkakut Erion Veliaj, si bilanc rrënimi e paligjshmërie. Kreu i këshilltarëve, Leonard Olli deklaroi se, Tirana ka mbyllje masive të bizneseve, rritje taksash, abuzime me fondet publike si dhe projekte klienteliste.
“Sot, në bilancin 1-vjeçar të Erion Veliajt për të cilën ai krenohet, kemi mbylljen e një të tretës së bizneseve të këtij qyteti, mbetjen pa punë të dhjetëra mijërave familjareve e rritje papunësie tek të rinjtë, dhe për më tepër sot qytetarët e Tiranës paguajnë shërbimin e transportit publik 10 lekë më shtrenjtë dhe nuk marrin shërbim më të mirë. Ka përkeqësim, sepse klientët e aferës 6 milionë dollarëshe nuk mund të jenë të interesuar për shërbim ndaj qytetarit, por vetëm për përfitime personale. Sot, ka të drejtë të krenohet Erion Veliaj, sepse Bashkia e Tiranës është e fundit për transparencën për nga 61 bashkitë e vendit. Sot, ka të drejtë të krenohet Erion Veliaj se mbi 30 tendera janë bërë me prokurim të drejtpërdrejtë dhe kanë përfunduar në xhepat e klientëve dhe lidhjeve personale të tij e shefit të tij Rama. Sot ka të drejtë të krenohet Erion Veliaj se edhe fëmijët 6-vjeçarë duhet të paguajnë për të udhëtuar në autobuzët e Tiranës. Sot, ka të drejtë të krenohet Erion Veliaj, sepse gjithçka e lidhur me qytetin është e destinuar vetëm për një gjë; interesat e klientit dhe interesat e betonit. Sot ka të drejtë të krenohet Erion Veliaj, sepse me përjashtim të projekteve të gatshme që gjeti nga ish-kryebashkiaku Basha nuk ka bërë absolutisht asgjë. I vetmi qëllim i tij është rrënimi i biznesit, zhdukja e iniciativës së lirë, rrënimi i të drejtave kushtetuese të qytetarëve dhe mbi të gjitha instalimi i etatizmit dhe diktaturës së urisë e asaj financiare”, tha Olli.
Këshilltarja Argyrina Jubani tha se, Erion Veliaj i ka kushtuar vetëm 1% të buxhetit të rinjve, duke mos pasur projekt për punësimin e tyre. “Sot të rinjtë e Tiranës janë më të pashpresë se kurrë. Ka të drejtë Erion Veliaj, kur mburret me punën që ai është duke bërë në bashki kur ndërkohë projektet për rininë zënë vetëm 1% të buxhetit. Pra, kaq të rëndësishëm janë të rinjtë e Tiranës, sot, për kryebashkiakun. Punësimi është një nga problemet më të mëdha dhe projektet, të cilat do të nxisnin punësimin në Bashkinë e Tiranës, mungojnë. Ka të drejtë Erion Veliaj që mburret se sot e vetmja shpresë e të rinjve të Tiranës është që të largohen nga Shqipëria”, tha Jubani.
Ndërsa këshilltari Akil Kraja u shpreh se, Bashkia nuk jep më asnjë llogari për qytetarët dhe nuk dëgjon më zërin e qytetarëve. “Një bilanc i cili është tejet negativ me dialogun qytetar për mënyrën sesi janë menaxhuar shpronësimet e pronave familjare të qytetit të Tiranës. Janë me dhjetëra shembuj si tek Unaza e Tiranës, tek ish-Hekurudha, familjarë të cilët janë përzënë me dhunë nga shtepitë e tyre, nga trojet e tyre, pa marrë asnjë kacidhe rimbursim për pronën legjitime të tyre. Po kështu anembanë qytetit të Tiranës, qytetarët kërkojnë dialog, kërkojnë të dëgjohen, të respektohen ligjet. Sot një vit më pas, ne shohim një qeverisje lokale propagandistike, e cila nuk respekton qytetarin dhe e shkel atë në mënyrë të përditshme”, tha Kraja.