Bilanci i 2016 në Tiranë: 18 të vrarë, 58 të vdekur e 4 grabitje bankash

Viti që lamë pas ka shënuar një bilanc tragjik për vrasjet me armë zjarri në Tiranë. Sipas drejtuesve të policisë së Tiranës, në 2016 kanë ndodhur 18 vrasje, 6 vrasje më shumë se në 2015. Shtimi i numrit të vrasjeve ka rritur pasigurinë tek banorët e kryeqytetit. Pavarësisht se viti 2016 është quajtur i suksesshëm nga Policia e Tiranës përsa i përket rendit dhe sigurisë në kryeqytet, gjatë vitit që lamë pas, sipas drejtuesve të policisë, ka pasur 6 vrasje më shumë se një vit më parë dhe 16 aksidente më shumë me pasojë vdekjen. Gjatë analizës vjetore, drejtori i Policisë së Tiranës, Ervin Hodaj pranoi se në vitin që lamë pas, ka patur 6 vrasje më shumë në krahasim me një vit më parë. Por ka patur mjaft vrasje që nuk janë publikuar ose janë cilësuar si vetëvrasje nga policia për të ulur numrin e të vrarëve në ngjarje kriminale.
Në tetor të vitit 2016 u vra me armë zjarri një person në Shëngjergj të Tiranës, ndërsa policia e klasifikoi si vetëvrasje. Një ditë më parë Prokuroria bëri të ditur se në bazë të ekspertizës ligjore rezulton se, Besnik Pudja nuk është vetëvrarë, por është vrarë nga persona të tjerë për motive që mund të kenë lidhje me drogën. Ka mjaft raste të kësaj natyre, të cilat policia i ka klasifikuar si vetëvrasje.
Ndërkohë, 70 për qind e vrasjeve nuk janë zbuluar ende, ndërsa kreu i Policisë së Tiranës deklaroi se vetëm një vrasje ka mbetur pa u zbuluar autorët. Ajo që bie në sy gjatë vitit që lamë pas, rezulton se muaji janar ka pasur edhe numrin më të madh të ngjarjeve, 12 të tilla. Ndërkaq, gjatë muajve shkurt, korrik, shtator, tetor dhe nëntor, kanë ndodhur nga 8 ngjarje kriminale, ku viktimat janë ekzekutuar nga plumbi, nga thika apo kanë gjetur vdekjen si pasojë e dhunës fizike me sende të forta. Gjatë muajit gusht, kanë ndodhur 7 ngjarje të rënda me pasojë vdekjen e disa personave. Në 3 muaj të tjerë, marsi, prilli dhe dhjetori shënojnë nga 6 ngjarje të rënda kriminale, ku numri i viktimave të plumbave, thikës apo mjeteve të forta është i lartë. Ndërsa muajt me më pak ngjarje kriminale kanë qenë muaji maj.

58 të vdekur dhe 128 të plagosur rëndë në aksidente

Gjatë vitit 2016 janë shtuar viktimat si pasojë e aksidenteve në Tiranë. Sipas kreut të Policisë së Tiranës, rezulton se numri i aksidenteve është rritur në krahasimin me një vit më parë. Vetë kreu i Policisë së Tiranës pranoi gjatë analizës vjetore se numri i akisdenteve nuk është ulur gjatë vitit 2016. “Qarkullimi rrugor ka pasur për vitin 2016 si objektiv reduktimin e numrit të aksidenteve rrugore në masën 15% dhe reduktim të aksidenteve me pasojë vdekjen në masën 3%. Ky objektiv nuk është realizuar”, deklaroi Hodo.

4 grabitjet e bankave pa autorë

Gjatë vitit 2016 janë kryer katër grabitje bankash në kryeqytet ku mund të përmendim supergrabitjen në Rinas më 30 qershor. Persona të armatosur dhe me maska grabitën më shumë se 11 milionë euro, ndërsa autorët nuk janë zbuluar ende nga policia. Paratë e grabitura në Rinas kishin dalë nga Banka e Shqipërisë dhe destinacioni i saj ishte Viena. Grabitësit kanë prerë rrethimin e pistës dhe bashkë me automjetin e tyre kanë hyrë në brendësi të rrethimit të aeroportit. Makina e grabitjes e braktisur dhe djegur nga autorët. Grabitja u krye në një nga ditët e shtimit të masave të sigurisë nga policia për shkak të akteve terroriste që ndodhën në Francë. Paratë janë grabitur në pistën e avionëve në Rinas. Avioni i linjës udhëtonte drejt Italisë dhe kishte rreth 150 persona, të cilët do të udhëtonin në drejtim të shtetit fqinj. Pikërisht nga ky avion janë marrë katër thasë me para. Supergrabitja në Rinas është ende pa autor dhe dyshohet se grabitja është kruer nga persona që kanë lidhje me zyrtarë të lartë të policisë.
Po ashtu më 19 dhjetor të vitit të kaluar u grabit filiali i një banke që ndodhet tek kryqëzimi i “21 Dhjetorit” në kryeqytet. Në bankë kanë hyrë dy persona të dyshuar me armë zjarri dhe të maskuar me shall dhe kapele, të cilët, pasi kanë neutralizuar sigurimin e bankës, kanë vazhduar drejt kasës. Grabitësit kanë goditur punonjësit e sigurisë dhe kanë marrë një shumë të madhe parash që nuk u publikua nga policia. Dyshohet se maskat kanë grabitur rreth 5 milionë lekë, ndërsa autorët nuk janë zbuluar ende.
Më 19 gusht u grabit një bankë në zemër të Tiranës tek ish-Blloku. Dy persona kanë çarë murin e bankës dhe kanë arritur të grabisin më shumë se 2 milionë klekë. Ngjarja ka ndodhur përballë Kryeministrisë, ku forcat e policisë kanë qenë të shtuara në numër. Ndërkohë që ende nuk janë zbuluar autorët e grabitjes së bankës tek Stacioni i Trenit që në shkurt të vitit 2015.

15 shpërthime me eksploziv

Gjatë vitit që lamë pas u rrit edhe numri i shpërthimeve me eksploziv ndaj bizneseve, automjeteve apo banesave në kryeqytet. Sipas drejtorit të Policisë së Tiranës, gjatë vitit 2016 kanë ndodhur 15 raste të shkatërrimit të pronës me eksploziv nga të cilat janë zbuluar 3 raste. Nga një analizë e këtyre ngjarjeve rezulton se në të gjitha rastet kanë patur ndezje mekanike nëpërmjet fitilit, dhe asnjë nuk ka qenë e sofistikuar. Në vetëm një rast shpërthimi ka vënë në rrezik jetën e personave, ndërsa rastet e tjera kanë qenë me sasi të papërfillshme, dhe ka patur vetëm dëme të lehta materiale. Gjithsesi kjo analizë nuk e justifikon punën e pamjaftueshme dhe intesitetin e energjive për të parandaluar dhe zbuluar këto vepra penale”, deklaroi Hodo.

93 të vrarë në të gjithë vendin

Mesatarisht 1 shqiptar çdo katër ditë ka humbur jetën gjatë vitit të kaluar si pasojë e ngjarjeve të rënda kriminale. Tahiri foli në ditët e para të muajit janar për vetëm për 71 vrasje gjatë 2016-ës, por në fakt gjatë këtij viti janë vrarë 93 persona. Në të gjitha ngjarjet e rënda kriminale të ndodhura gjatë vitit 2016, ka pasur viktima të armës, thikës apo edhe sendeve të forta. Sipas statistikave, rezulton se gjatë vitit 2016, kanë ndodhur 85 ngjarje të rënda kriminale, ku për pasojë janë vrarë me armë, thikë, mbytje e sende të forta 93 persona.
85 ngjarje kriminale me pasojë vrasjen e 93 personave kanë ndodhur në Shqipëri gjatë vitit 2016. Statistikat janë bazuar në njoftimet e Policisë së Shtetit dhe ngjarjet e evidentuara çdo ditë të vitit që lamë pas. Sipas këtyre të dhënave, rezulton se në Shqipëri gjatë vitit 2016 kanë gjetur vdekjen nga arma, thika, mbytjet apo sendet e forta 93 persona. Në këtë listë, nuk janë përfshirë rastet e vetëvrasjes apo edhe aksidentet me pasojë vdekjen, që fatkeqësisht kapin një shifër alarmante.
Nga vëzhgimi i ngjarjeve gjatë gjithë vitit 2016, rezulton se në 85 ngjarje kriminale, kanë gjetur vdekjen nga plumbat, goditjet me thikë, mbytjet apo sende të forta për ngjarje të caktuara qoftë edhe një sherr banal 93 persona.
Kjo shifër e 93 viktimave nuk është zyrtarizuar ende nga Policia e Shtetit, e cila referuar statistikave të viteve të kaluara, nuk i përfshin në skedarin statistikor të vrasjeve, ngjarjet ku viktimat kanë gjetur vdekjen nga të goditurat me thikë. Apo edhe rastet, ku viktima ka gjetur vdekjen si pasojë e goditjeve me mjete të forta, qoftë edhe në rastet kur viktima është goditur nga grabitës me qëllim vjedhjen e banesës së tyre. Nga ana tjetër, rezulton se numri më i madh i këtyre viktimave, ka gjetur vdekjen nga arma e zjarrit, qoftë për hakmarrje, të çastit, për lëndën narkotike apo edhe vrasje me pagesë.

R.POLISI

Artikulli paraprakNdryshim i shpejtë në Shqipëri
Artikulli tjetërShoferi i Tahirit i dënuar për vrasje dhe grabitje