BILANCI I 2023/ Kreu i Gjykatës së Lartë: U hoqën 24 mijë dosje stok! Administrata, humbëse në 70 për qind të gjyqeve (paguan shteti)

Sokol Sadushi e konsideroi të parapnueshme që edhe ata që njohin ligjin paraqesin rekurse të pabazuara, çka dëshmon nivel të ulët përfaqësimi sikurse vuri theksin se janë hequr rreth 24 mijë stok

Paraqitja e rekurseve, edhe nga vetë institucionet, që nuk arrijnë të kalojnë testin e pranueshmërisë, ishte një nga problemet më të mëdha gjatë këtij viti.

Në një konferencë për mediat, duke bërë një rezyme të punës së Gjykatës së Lartë gjatë vitit 2023, kryetari i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, zbuloi numrin e lartë të rekurseve që janë nuk janë pranuar, ndërsa tha se institucionet publike humbin 70 për qind të gjyqeve. Megjithatë, pavarësisht këtij fakti, duket se pas fshihet një tjetër “dramë”. Dëmi i shkaktuar paguhet nga buxheti i shtetit dhe taksapaguesit, ndërsa askush nuk mban përgjegjësi individuale.

Kryetari i Gjykatës së Lartë Sadushi, vuri theksin te dosjet e pa shqyrtuara, të mbetura stok prej vitesh. AI tha se çështjet me interes publik janë trajtuar dhe kanë më shumë përparësi sesa çështjet e individëve. Kreu i Gjykatës së Lartë shtoi se është për t’u vlerësuar fakti se janë hequr rreth 24 mijë dosje dhe nëse hiqen edhe dosjet e viteve 2017-2018, puna e gjyqtarëve do të bëhet edhe më e lehtë. Megjithatë, Sadushi tha se vonesat e tepruara janë të pajustifikueshme.

“Çështjet me interes publik janë trajtuar me përparësi. Duke parë në balancë këtë situatë mes individitet dhe çështje me interes, Gjykata e Lartë i trajton me përparësi. Do synojmë cilësi dhe kjo do shkojë në kurriz të sasisë. Duke pasur parasysh jemi trup me 18 gjyqtare, ritmi do të jetë shumë më i lartë”.

“Të gjitha çështjet që kanë impakt publik, do kenë përparësi në shqyrtim. Kemi arritur të heqim 24 mijë çështje, jam i bindur që do duhet një 2 vjeçar për shqyrtimin e dosjeve të depozituara. Nëse arrimë të heqim fluksin më të madh të dy viteve, 2017 dhe 2018, çështjet e tjera do kalojnë më shpejt”- theksoi Sokol Sadushi

“Për vitin 2023 nuk e kalojnë këtë test 36% e rekurseve në Kolegjin Civil, 70% në Kolegjin Administrativ dhe 70% në Kolegjin Penal”.

“Por nëse do shohim raportin ndërmjet individëve/personave juridik privatë, nga njëra anë dhe organeve publike nga ana tjetër, rekurset e papranueshme në fushën administrative dhe civile i përkasin më tepër organeve publike. Për këtë vit, organet publike rezultojnë gjyq-humbëse në 70% të çështjeve administrative (1.441 çështje) dhe 73% të çështjeve civile (701 çështje). Individët/personat juridik privatë rezultojnë gjyq-humbës në 30% të çështjeve administrative (629 çështje) dhe 27% të çështjeve civile (263 çështje). Ky raport është i ndryshëm në fushën penale, ku prokuroria rezulton gjyqhumbëse në 33% të çështjeve (521 çështje), ndërsa individët rezultojnë gjyq-humbës në 67% të tyre (1039 çështje)”, shtoi më tej kreu i Gjykatës së Lartë.

Më tej, kreu i Gjykatës së Lartë vë në dukje se është përgjegjësi e avokatëve që paraqesin rekurse haptazi të pabazuara. Mënyra se si paraqiten rekurset përbën një problem tepër serioz që dëshmon për nivelin e ulët profesional të përfaqësimit, sipas tij.

“Moskalimi i testit të pranueshmërisë adreson shqetësimin tek avokatët privat, Avokatura e Shtetit dhe prokuroria. Është e papranueshme për ata që prezumohet se kanë njohuri për ligjin, të vijojnë të paraqesin rekurse haptazi të pabazuara. Duhet të kuptohet qartë se përfundimi që nxjerrë Gjykata e Lartë për një rekurs haptazi të pabazuar nuk ka ndonjë dallim nga rasti, kur evidentohet kryerja e një veprimi abuziv nga avokati apo përfaqësuesi i shtetit, të cilët nuk mund dhe nuk duhet lënë pa u ndëshkuar, si nga Dhoma Kombëtare e Avokatisë, ashtu edhe nga Avokatura e Përgjithshme e Shtetit.

Mënyra se si paraqiten rekurset përbën një problem tepër serioz që dëshmon për nivelin e ulët profesional të përfaqësimit. Pavarësisht masave që merr Gjykata e Lartë, qoftë edhe me gjobitjen e avokatëve, paraqitet i domosdoshëm ndryshimi i mentalitetit juridik, por edhe kuptimi për mjetet e ankimit, në përgjithësi dhe rekursit, në veçanti. Avokatët duhet të kuptojnë se Gjykata e Lartë është një gjykatë ligji dhe jo një gjykatë fakti. Nevojitet që ata të ndjekin praktikën gjyqësore, me qëllim që të mos e investojnë Gjykatën për çështje të panevojshme, me rekurse të pasuksesshme dhe haptazi të pabazuara”.

Vetëm gjatë vitit 2023, nga ky proces seleksionues në fushën administrative janë vlerësuar haptazi të pabazuara 42% e rekurseve të paraqitura.

Exit mobile version