Bilanci i Milanit

Për Milanin sezoni i ri në kampionatit italian nisi pa shumë bujë. Një merkato e varfër, pa shumë emra të njohur. Erdhi një trajner i ri, Vicenzo Montella, të cilit iu besua një skuadër, e cila prej disa sezonesh ndodhej në agoni. Nisi me një temë shumë delikate. Presidenti i Milanit, Silvio Berlusconi vendosi të shesë skuadrën, të cilën ai e drejton për më shumë se 30 vite, por kur marrëveshja me kinezët dukej pranë përfundimit, Berlusconi bëri hapa pas. Duket se pavarësisht gjendjes së vështirë ekonomike, presidenti e ka shumë të vështirë ta braktisë skuadrën, të cilën e ngjiti në majën e futbollit botëror.
Sidoqoftë, 2016 mund të konsiderohet një vit pozitiv për kuqezinjtë. Nën drejtimin e Vicenzo Montellas, skuadra ka rigjetur ritmin e duhur. Është aty, në top 5-shen, duke konkurruar për një biletë në kupat e Europës. Arriti të fitonte Superkupën e Italisë përballë një Juventusi që ka pesë vite që dominon Seria A. Nuk është pak për një skudër, që gradualisht po tenton të rikthehet në ditët më të mira të saj. Milani i këtij sezoni ka dhe një veçori tjetër. Futbollistë, të cilët askush nuk i njihte, kanë marrë mbi supe fatet e skuadrës, pavarësisht moshës së re.
Gianluiggi Donnarumma, gardiani i portës së kuqezinjve e me gjasa në të ardhmen edhe i asaj të kombëtares italiane nuk i ka mbushur ende 18 vjeç, por duket sikur ka një jetë që luan në këtë rol. Surprizë është dhe një emër tjetër, sulmuesi Suso 23-vjeçari është kthyer në një element shumë të rëndësishëm për skemat e Vicenzo Montellas duke realizuar 5 gola dhe 6 asiste. Manuel Locatelli, vetëm 18 vjeç ka shpirtin dhe grintën e duhur për t’u shndërruar në një emër të madh të futbollit italian. Ka dhe nga ata që janë aty prej një kohe më të gjatë, ky sezon ka bërë që këta futbollistë të rilindin. Tekniku Montella duhet të ndihet me fat që ka nën urdhrat e tij një lojtar si Jack Bonaventura, një element që mund të luajë në reparte të ndryshme dhe arrin t’i japë frymëmarrje ekipit. Në mbrojtje po tregon karakter Gabriel Palleta, i cili të paktën deri më tani është shfaqur i pakalueshëm. Pra, një gjysmë sezoni më shumë se pozitiv, ku sigurisht të gjithë luten e shpresojnë që i tillë të jetë edhe 2017-ta. Me Milanin kompetitiv, e sigurisht me një rikthim në kupat e Europës.

Exit mobile version