Bilanci i sulmit terrorist në Britani, janë 22 të vdekur

Të paktën 22 veta, përfshirë edhe fëmijë, u vranë dhe 59 të tjerë u plagosën nga pasojat e një shpërthimi të hënën mbrëma në një arenë të Mançesterit ku sapo kishte përfunduar një koncert i yllit të muzikës pop Ariana Grande.
Kryeministrja britanike, Theresa May, tha se incidenti po trajtohet si sulm terrorist, më vdekjeprurësi që nga sulmet e korrikut të vitit 2005 në sistemin e transportit në Londër, kur kishin humbur jetën 52 veta.
Policia tha se sulmuesi hodhi veten në erë pak pas orës 10 e 33 sipas kohës lokale në arenën që ka hapësirë për 21 mijë veta. Në mesin e të vdekurve ka edhe fëmijë.
Zyrtari i policisë së Mançesterit, Ian Hopkins, tha se, “në këtë periudhë besohet se sulmi është kryer nga një person. Përparësi mbetet përcaktimi nëse ai ka vepruar i vetëm apo ishte pjesë e një rrjeti”.
Ai tha se sulmuesi ka vdekur në arenë. “Ne besojmë se ai mbante me vete një mjet të improvizuar shpërthyes”.
Të martën rreth mesditës, policia britanike shkroi në Twitter se ka arrestuar një 23-vjeçar në lidhje me sulmin. Arrestimi është kryer në jug të qytetit, tha policia, por pa dhënë hollësi të tjera.
Një dëshmitare që kishte ndjekur koncertin tha se kishte dëgjuar një shpërthim të fuqishëm që u pasua nga klithmat dhe vrapi i mijëra njerëzve që po përpiqeshin të largoheshin nga arena.
Këngëtarja 23-vjeçare, Ariana Grande, shkroi më pas në rrjetin Twitter: “E dërmuar. Nga zemra, më vjen shumë shumë keq. Nuk kam fjalë”. Kryeministrja Theresa May dhe udhëheqësi i laburistëve, Jeremy Corbyn, janë marrë vesh të pezullojnë fushatën për zgjedhjet e parakohshme të 8 qershorit.
Tani për tani askush nuk e ka marrë përsipër përgjegjësinë, por zyrtarët amerikanë e krahasuan me sulmet e bashkërenduara të nëntorit të vitit 2015 nga militantët islamikë në sallën e koncerteve Bataclan dhe pjesë të tjera të Parisit, që lanë pas vetes mbi 130 të vrarë.

Bota dënon sulmin në Mançester
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, e dënoi ashpër sulmin në Mançester, që sipas tij është kryer nga “humbës të këqinj”.
Duke folur në Bethlehem gjatë një takimi me presidentin palestinez, Mahmoud Abbas, ai tha se Shtetet e Bashkuara qëndrojnë në solidaritet të plotë me britanikët.
Kancelarja gjermane, Angela Merkel, duke shprehur pikëllimin e saj tha se, “ky sulm i dyshuar terrorist vetëm do të forcojë vendosmërinë tonë për të punuar me miqtë tanë britanikë, kundër atyre që planifikojnë dhe kryejnë akte të tilla çnjerëzore. Unë i siguroj njerëzit në Britani se Gjermania qëndron pranë jush”, tha ajo.
Presidenti francez, Emmanuel Macron, u shpreh i tmerruar me faktin se në mesin e viktimave të sulmit ka edhe fëmijë.
Sulmi u dënua edhe nga presidenti rus, Vladimir Putin dhe presidenti kinez, Xi Jinping.

Atentatori me lëndën shpërthyese në trup

Shpërthimi që ndodhi në koncertin e këngëtares të popit, Ariana Grande në Mançester të hënën në orët e vona, sipas të dhënave të fundit të policisë britanike është kryer nga një atentator vetëvrasës. Atentatori hodhi veten në erë në kohën, kur spektatorët po dilnin nga arena e Mançesterit.
Ky person e ka pasur në trup lëndën shpërthyese, bëri të ditur drejtori i policisë së Mançesterit, Ian Hopkins, në mëngjesin e së martës. Bashkë me atentatorin, numri i viktimave të tjera rritet në 22 vetë, ndër ta edhe disa fëmijë. Policia u shpreh, se duhet zbuluar, nëse ky person ka vepruar i vetëm apo nëse pas tij fshihet një rrjet i caktuar. Mediat bëjnë të ditur, se përkrahësit e të ashtuquajturit Shteti Islamik kanë festuar në rrjetet sociale, megjithëse deri në orët e para të së martës askush nuk e ka marrë përgjegjësinë për sulmin.
Reagime të tronditura vijnë pas sulmit në Mançester. Presidenti francez, Emmanuel Macron shprehu ngushëllimet më të thella për britanikët. Qeveria e Parisit do të vazhdojë të bashkëpunojë me britanikët në luftë kundër terrorizmit, thuhet në një deklaratë të presidencës franceze. Zëdhënësi i qeverisë gjermane, Steffen Seibert shkroi në Twitter: “Lajme të tmerrshme nga Mançesteri. Jemi me mendje e zemër tek viktimat dhe të plagosurit, tek ata që humbën e kërkojnë të afërmit”. Ministri i Jashtëm gjerman, Sigmar Gabriel e cilësoi sulmin “si të tmerrshëm”. Gabriel shkroi se, “mendimet tona janë tek mikeshat e miqtë tanë britanikë. Qëndrojmë të bashkuar”.

Fushata zgjedhore ndërpritet
Në Britaninë e Madhe u ndërpre fushata zgjedhore, si nga kryeministrja Theresa May, ashtu edhe nga kreu i laburistëve, Jeremy Corbin. Koncerti i këngëtares, Ariana Grande u ndërpre mbrëmjen e së hënës vonë nga atentati. Grande është veçanërisht e preferuar tek rinia dhe adoleshentët. Arena e Mançesterit ka kapacitet për 21.000 vetë.
Ky atentat është sulmi më i rëndë terrorist nga viti 2005 në Britaninë e Madhe, kur katër atentatorë vetëvrasës në autobusët dhe metrotë e Londrës vranë 52 vetë.

Shumë fëmijë dhe të rinj në mesin e viktimave të atentatit

Kryeministrja britanike, Theresa May tha se nuk “ka asnjë dyshim” se shpërthimi në Mançester ishte “sulm terrorist” dhe se policia ka zbuluar identitetin e sulmuesit. Duke folur pas takimit urgjent me kabinetin e saj, May tha se policia dhe shërbimet e sigurisë “po punojnë me shpejtësi për të krijuar një pamje të qartë”, të sulmit në Manchester Arena.
“Ne tani dimë se një terrorist ka detonuar një pajisje shpërthyese të improvizuar, në afërsi të njërës prej daljeve të sallës, duke zgjedhur kohën dhe vendin, që të shkaktojë sa më shumë vrasje”, tha May. May tha se në mesin e “atyre që janë vrarë dhe plagosur janë shumë fëmijë dhe të rinj”.
Kryeministrja britanike tha se autoritetet nuk do të publikojnë detaje mbi sulmuesin pasi hetimet janë në fazën e parë. Ndërkaq, policia britanike tha se ka arrestuar një 23-vjeçar, në lidhje me sulmin në Mançester.
Të paktën 22 persona janë vrarë – përfshirë edhe fëmijë – dhe 59 të tjerë janë plagosur nga sulmi që ka ndodhur në orët e vona të së hënës pranë një salle koncertesh në Mançester.
Policia britanike dyshon se prapa sulmit qëndron vetëm një person.
“Në këtë fazë, ne besojmë se sulmi i mbrëmshëm është kryer nga një person”, tha shefi i policisë në Mançester, Ian Hopkins.
“Mund të konfirmoj se sulmuesi ka vdekur në vendngjarje. Besojmë se ai e ka kryer sulmin me një pajisje shpërthyese të improvizuar”. “Prioritet i yni është që të kuptojmë nëse ai ka vepruar i vetëm apo është pjesë e ndonjë rrjeti”, tha Hopkins.
Dëshmitarët thanë se kanë dëgjuar një “shpërthim masiv” rreth orës 21:35, sipas kohës lokale, kur njerëzit ishin duke u larguar nga Manchester Arena, pas koncertit të këngëtares Ariana Grande.
Shërbimet emergjente në Britani thanë se kanë dërguar në spital 59 viktima të shpërthimit.
Duke folur nga Betlehemi, Trump shprehu “ngushëllimet më të sinqerta” për viktimat dhe familjet e tyre.
Ai tha se sulmi ka prekur “fëmijë të pafajshëm” dhe shtoi se kjo “ideologji e ligë duhet të zhduket plotësisht”.
Ndërkaq, kancelarja gjermane, Angela Merkel, shprehu pikëllimin e saj për ngjarjen në Mançester.
“Ky sulm i dyshuar terrorist vetëm do të forcojë vendosmërinë tonë për të punuar me miqtë tanë britanikë, kundër atyre që planifikojnë dhe kryejnë akte të tilla çnjerëzore. Unë i siguroj njerëzit në Britani se Gjermania qëndron pranë jush”, thuhet në deklaratën e Merkelit.
Presidenti francez, Emmanuel Macron, u shpreh “i tmerruar” pasi në mesin e viktimave të këtij sulmi ka edhe fëmijë. Ai tha se ai do të bisedojë me kryeministren britanike, May, për këtë ngjarje.
Presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, shprehu “pikëllimin e thellë” për këtë “sulm brutal”.
“Më thyhet zemra të mendoj se edhe një herë, terrorizmi ka gjetur mënyrën që të fusë frikën aty ku duhet të ketë gëzim”, tha ai.
Në deklaratën e Kremlinit thuhet se presidenti rus, Vladimir Putin, e dënon “këtë krim çnjerëzor”.
Presidenti i Kinës, Xi Jinping, i dërgoi një mesazh Mbretëreshës Elizabeth, ku i shprehu “ngushëllimet më të sinqerta”.
“Populli kinez qëndron pranë popullit të Britanisë në këtë kohë të vështirë”, citohet të ketë thënë Xi.

Artikulli paraprakVjen zyrtarizimi i parë te Reali
Artikulli tjetërNga vijnë të ardhurat e ISIS?