Tashmë e gjithë Shqipëria është e mbjellë me marijuanë, nën kujdesin dhe mbrojtjen e drejtpërdrejt të qeverisë. Këtë e konfirmojnë në mënyrë të përsëritur raportime nga shërbimet policore të vendeve të Bashkimit Europian, tregjet e të cilave po përmbyten nga ky produkt i qeverisë shqiptare.
Djegiet që serviren herë pas here në edicione lajmesh janë kurbani televiziv propagandistik ose eliminimi i konkurrencës të ndokujt që ka guxuar të ketë prodhim të strukturuar, jo të rastësishëm apo personal -pra, jashtë skemës kombëtare qeveritare për prodhimin, përpunimin dhe trafikimin e marijuanës.
Një pjesë e transportit të marijuanës drejt tregjeve europiane kryhet me avionë të vegjël, nën mbrojtjen e policisë dhe ushtrisë së një vendi anëtar të NATO-s -këto forca që paguhen me paratë e pastra të shqiptarëve nga taksat e rritura, janë sot qorrazi në shërbim të oligarkisë që ka zaptuar Shqipërinë në formën “demokratike” të qeverisë së “rilindjes socialiste”.
Fitimet nga aktiviteti i paligjshëm qeveritar futen në xhepat e pak njerëzve; xhepa “off shore”, nga ku pritet të dalin për të financuar vjedhjen e zgjedhjeve të vitit 2017, si domosdoshmëri për të mbajtur në këmbë këtë skemë kriminale. Prova e parë do të jetë, së afërmi, me zgjedhjet lokale në Dibër.
Paratë nga aktivitetet e paligjshme dhe vjedhja e fondeve publike -edhe këto të fundit sipas Kontrollit të Lartë të Shtetit arrijnë në miliarda euro- do të përdoren nga qeveria e sotme për të garantuar vazhdimin e pushtetit të saj politik, përmes grabitjes dhe manipulimit të votës së shqiptarëve.
Kjo është arsyeja pse nevojitet një qeveri teknike për të kryer procesin e zgjedhjeve: me këtë qeveri të kontrolluar nga interesa kriminale nuk mund të ketë zgjedhje të lira e të ndershme. Pa garantuar me çdo formë dhe mënyrë këtë proces, reformat e dekriminalizimit dhe ajo në drejtësi do të shndërrohen në një farsë kombëtare dhe ndërkombëtare.
Ajo pak demokraci e menaxhuar që kemi në Shqipëri është sot seriozisht e rrezikuar. E rrezikuar nga qeveria.
Ndaj kjo qeveri narkotrafikante, duhet shkulur nga rrënjët, njësoj siç shkulen bimët e kanabisit të paligjshëm.
Dhe i duhet “vënë flaka” njëherë e mirë, kësaj “qeverie rilindase”, e cila mu në mes të Europës u kthye në Karvanin e Marijuanës.
Çdo ditë krime, vrasje, hasmëri për shkak të drogës
Që ditën e parë, Partia Demokratike ka ngritur shqetësimin se droga është një krim që sjell krime. Sekretari për Aksionin Qytetar në PD, Ervin Salianji denoncoi dje vrasjet e kryera dy muajt e fundit për shkak të parcelave të drogës.
“Kemi denoncuar mbulimin e vendit me kanabis dhe ruajtjen e parcelave me banda të armatosura, si një biznes kriminal që jo vetëm po mbyt ekonominë e ndershme e po shfrytëzon asetet e vendit, por edhe si një tension i lartë social, si burim konfliktesh, armiqësish e hasmërish.
Mbrëmë gazetari investigativ që ka shkelur parcelat me drogë, Artan Hoxha, tha se informatori i tij është ekzekutuar, pikërisht pse ndihmoi atë të filmonte plantacionet me hashash.
Një dëshmi tronditëse kjo që tregon se deri ku kanë shkuar grupet kriminale dhe pushteti që ato kanë falë pushtetit që ndajnë me Edi Ramën.
Po ndërkohë dy vrasje kanë ndodhur këtë muaj, qartësisht për shkak të parcelave me drogë.
Elidjan Pashaj nga Mallakastra u vra në Këlcyrë nga një trafikant që kishte zaptuar tokat atje të mbjella me kanabis.
Altin Llani nga Fieri u vra në Tepelenë, pikërisht për tokat e mbjella me kanabis.
Shumë përplasje e sulme me armë që po ndodhin pothuajse çdo ditë në vend, në fshatra e qytete, kanë si motiv pikërisht zonat e influencës dhe pazaret e drogës.
Edhe lufta me armë në mes të Shkodrës dy netë më parë, besohet se ndodhi për shkak të drogës.
Edi Rama tenton t’i mbulojë këto ngjarje të rënda me njoftimet e policisë ku rëndom përdoret fjala, vrasje për motive të dobëta.
Tenton t’i mbulojë, pasi të vrarët, të plagosurit, të dhunuarit, janë viktima të fermës së tij të madhe me kanabis.
Sepse droga është motivi i vërtetë i këtyre krimeve.
Ky biznes kriminal nuk është zgjedhja e shqiptarëve, por zgjedhja e Edi Ramës, i cili takson me 30 për qind çdo rrënjë të mbjellë.
Shqiptarët nuk kanë votuar të sundohen e të urdhërohen nga bandat e Edi Ramës, të shfrytëzohen e rekrutohen prej tyre.
Shqiptarët kërkojnë dhe meritojnë punë të ndershme, rend dhe siguri.
Shqipëria do të jetë më mirë pa Edi Ramën”, tha kreu i Departamentit për Aksionin Qytetar, Ervin Salianji.