“Bild”: 7 arsye!

Italia konsiderohet si ‘macja e zezë’ e Gjermanisë, por këtë herë mediat gjermane flasin me bindje; Bordoja do të jetë fundi i aventurës së “Axurrëve” në këtë europian. Ajo që ka paralajmëruar fitoren e kampionëve në fuqi të Botës është prestigjiozja “Bild”, e cila rendit edhe shtatë arsye.
Arsyeja e parë, sipas “Bild”, është se Gjermania ka “mbretin” Boateng në një superformë, jo vetëm në fazën mbrojtëse, por edhe në atë sulmuese, që e tregoi në ndeshjen me Sllovakinë.
Së dyti, “Bild” kujton se gjermanët dijnë si të eleminojnë Antonio Conten, duke iu referuar këtu përballjes së çerekfinaleve në  Ligën e Kampionëve mes Juventusit dhe Bajernit në sezonin 2012-2013.
Së treti “Bild” radhit faktorin “Khedira”. “Luan tek Juventusi dhe i njeh mirë sekretet e mbrojtjes së fortë italiane, BBC (Barzagli, Bonucci, Chiellini)”, shkruan gazeta gjermane.
Së katërti, sipas “Bild”, Low nuk do të gabojë këtë herë, ndryshe nga gjysmëfinalja e 2012-ës.
Së pesti, shkruan “Bild”, Buffon është ‘i magjepsur’ nga Neuer. “Edhe kapiteni i italianëve, protieri me klas të padiskutueshëm, i ka bërë komplimente kolegut të vet kur ka deklaruar se nuk ka asnjë dyshim që Neuer është më i mirë se ai”.
Së gjashti, “Bild” rendit “arrogancën e italianëve”. “Besimi që italianët kanë tek përsëritja e historisë, së bashku me vetëbesimin e fituar pas ndeshjes me Spanjën, ka sjellë një siguri absolute për fitore në kampin e tyre”.
Së shtati, “Bild” rendit Gomez. “Kaloi një sezon të jashtëzakonshëm me Beshiktashin, ku u shpall edhe kampion. Shënoi 25 gola dhe meritoi besimin e Low, besim që deri më tani ka treguar që e meriton”, shkruan “Bild”.
Italia konsiderohet si ‘macja e zezë’ për Gjermaninë, por trajneri Joachim Low nuk i trembet skuadrës së Antonio Contes dhe për ta ilustruar zgjedh të kujtojë humbjen në gjysmëfinalen e katër viteve më parë. “Humbje kundër Italisë katër vite më parë i shërbeu këtij grupi. Kemi kuptuar gabimet tona dhe dhimbja për atë eliminim me ka ndihmuar që të rritem. Ishte një leksion i shkëlqyer”, deklaron Low.
Trajneri i kampionëve të Botës në fuqi mori edhe njëherë tjetër përgjegjësinë për atë humbje dhe gabimet në fushë, që thotë se nuk do të përsëriten në përballjen e së shtunës.
“Katër vite më parë, bëra një gabim të madh. Ideja ime ishte që të bllokonim Pirlon, por nuk funksionoi, pastaj ndodhën edhe gabime individuale, si në rastin e golit të Balotelit, ndërsa në golin e dytë e pësuam në kundërsulm pas një gabimi nga goditja jonë e këndit. Të gjithë nuk ishim në një ditë të mirë”, thotë ai.
Low gjen kohë që të lëvdojë edhe trajnerin e italianëve. “Italia sot nuk është vetëm katenaço dhe kjo falë Contes që e ka kuptuar se vetëm me katenaço nuk mund të fitohet një turne”, është shprehur ai.

Artikulli paraprakSouthgate, trajneri i përkohshëm i Aglisë
Artikulli tjetërKëlni gati të sakrifikojë Mavrajn