Ky është Arben Keshi, një ndër personat kyc në skemën e blerjes së votave në Dibër. Sipas përgjimeve të publikuara sot nga ‘Bild’, me të dëgjohet të komunikojë edhe kryeministri Edi Rama. Ky i fundit e pyet Keshin nëse e ka arritur apo jo objektivimin. Sipas përgjimeve të gazetës gjermane, Arben Keshi ishte drejtor në Ministrinë e Brendshme. Ndërkohë në një reagim të mëvonshëm, kryeminsitri Edi Rama, ka mohuar që Keshi të ketë punuar në Policinë e Shtetit asokohe.
Çfarë mjerimi dhe çfarë përpjekje e dëshpëruar për manipulimin e njerëzve dhe nxirjen e Shqipërisë! Çfarë gënjeshtre: “AK s’ka punuar në polici asokohe dhe ka qenë denbabaden kandidat komune në Maqellarë. E konfirmoj këtë bisedë dhe do e bëja prapë njësoj! Kush ka veshë le të dëgjojë”, shkruan Rama.
Por ndërkohë në një kronikë të Top Channel në nëntor të vitit 2017, rezulton se Arben Keshi, ishte shef komisariati në Bulqizë. Sidoqoftë përgjimet janë realizuar në vitin 2016. Në shkurt të vitit 2016, ai është denoncuar nga Partia Demokratike si një prej njerëzve të Edi Ramës, që blinte vota në zgjedhjet për Bashkinë Dibër. Mbetet për t’u verifikuar nëse Edi Rama gënjen për Arben Keshin apo askohe ai vërtet s’ka qenë pjesë e Policisë së Shtetit. E megjithatë kjo ka pak rëndësi. Keshi del nga përgjimet si truri i skemës së ngritur në Dibër për të blerë votat dhe për t’u bërë presion njerëzve.
Arben Keshi, drejtor në Ministrinë e Brendshme, ishte denoncuar nga Partia Demokratike për pjesëmarrje në manipulim votash në Dibër që në zgjedhjet e parakohshme lokale në këtë rreth.
Edhe pse e di që Kodi Zgjedhor është i qartë për dënimin që marrin pjesë në intimidimin e votuesve, Keshi ka vazhduar normalisht i mbrojtur edhe nga Rama në misionin e tij për të manipuluar votat në Dibër. Sipas të dhënave, Këshi që i zotohet Ramës se do të kapë rezultatin maksimal në Dibër, ishte drejtor i Qendrës së Mbyllur për të Huajt e Parregullt në Republikën e Shqipërisë.
3 vite më parë Partia Demokratike dorëzoi në Prokurorinë për Krime të Rënda një kallëzim penal, ku shkruante se në Dibër po vepronte një grup i strukturuar kriminal, që po blente votat dhe kërcënonte votuesit dibranë për llogari të kandidatit të mazhorancës, Muharem Rama.
Në listën me emrat që Partia Demokratike ka dorëzuar asokohe në Prokurori dhe që sipas saj, ishin pjesë e grupit kriminal që po blente votat dhe kanoste votuesit dibranë ishte dhe emri i Arben Keshit, i cili kryente veprimtarinë kriminale të shpërndarjes së parave në këmbim të votës në zonën e Maqellarës.
Por asnjë nga emrat që dërgoi Partia Demokratike nuk u hetuan nga Prokuroria e Përgjithshme.
Dokumenti i mëposhtëm, tregon se Keshi është pjesë e policisë, me gradën e komisarit dhe me rrogë 80 mijë lekë.
Dokumenti qartëson se ai është me profesionin “officer policie” me kohë të plotë.
Referuar këtij dokumenti, Keshi ka gradën komisar, ndoshta për shkak të arritjeve që pati me zgjedhjet në Dibër.
Biseda e Keshit me Ramën
Arben Keshi: Hë shefi!
Edi Rama: Hë mo si duket?
Arben Keshi: Po mirë tek pritshmëritë jemi.
Edi Rama: E ke realizuar objektivin thua?
Arben Keshi: Them se po, bazuar në ato që po na thonë komisionerët.
Edi Rama: Ashtu është?
Arben Keshi: Po them që po.
Edi Rama: Po ata maskarenjtë, kishin bërë presione mbrëmë e?
Arben Keshi: Po deshën të më kapnin mua, punë dy minutash sa u futa tek shtabi sepse ishin duke më pritur tek hoteli ku fleja.
Edi Rama: Çfarë do të bënin ty ata?
Arben Keshi: Ishin 50 veta. Asgjë besoj, këtë pjesën e presionit mendoj, jo kështu jo ashtu. Ai është legen ai, Flamur Noka.
Edi Rama: Po ku ta del dot ty Flamur Noka mo!
Arben Keshi: Edhe djali sa doli më la mua, ata kujtuan se isha edhe unë në makinë. Rreth 50 veta. Jo se i bënë ndonjë gjë, sa e goditën. Ai iku dhe ata nuk e kapën dot.
Edi Rama: Më mirë mo, hajt se ç’i do sherret. Dëgjo, po ti mendon se e kemi realizuar objektivin?
Arben Keshi: Po këtu tek unë po. Mund të lëvizë me më pak më shumë. Nga ato që na kanë thënë komisionerët kemi pritshmëri të mëdha.
Edi Rama: Komisionerët i ke pasur top e?
Arben Keshi: Po po në rregull.
Edi Rama: Okay, mirë vllai, hajt ciao.
Arben Keshi: Ishalla, faleminderit.