James Pallotta i shtrin dorën Francesko Tottit. Duket se në shtëpinë e Romës, situata mes presidentit Pallota dhe kapitenit Totti është drejt normalizimit. Përpara disa ditëve në mediat italiane u raportua se sulmuesi 39-vjeçar do të nisej drejt Bostonit për t’u takuar me Alex Zeccën, krahun e djathtë të Pallotës. E prej andej vinë lajme pozitive mbi të ardhmen e Francesko Tottit. Presidenti i Romës tashmë është i bindur që t’i ofrojë një rinovim kontrate kapitenit legjendar, e cila pritet të jetë dhe kontrata e fundit e një karriere të jashtëzakonshme e të gjatë me fanellën e Romës. Paraqitjet e mira në takimet e fundit dhe pesha që ka kapiteni në dhomat e zhveshjes, kanë qenë arsyet që e bindën presidentin Pallota për të zgjatur bashkëpunimin me Tottin.
Zyrtarizimi i marrëveshjes pritet të bëhet gjatë ditëve në vazhdim ose ndoshta javën e ardhshme. Kontrata e parë e Francesko Tottit është firmosur në shtator të 1996, ku president në atë kohë ishte Franco Sensi, ndërsa 20 vite më pas pas një karriere të jashtëzakonshme me skuadrën kryeqytetase, ai është në pritje të kontratës së fundit. Pas përfundimit të saj, 39-vjeçarit pritet t’i ofrohet një post drejtuesi tek verdhekuqtë.