Komiteti Shqiptar i Helsinkit organizoi të martën një tryezë advokimi ku prezantoi disa prej rekomandimeve kryesore lidhur me procesin e digjitalizimit të administratës publike dhe mbrojtjes së të dhënave personale në Ballkanin Perëndimor dhe në Shqipëri.
Ekspertët e kësaj tryeze parashtruan disa prej problematikave kryesore që ka Shqipëria për sa i përket procesit të digjitalizimit, teksa institucionet e pavarura nënvizuan mungesën e kapaciteteve në mbrojtjen e privatësisë dhe sigurisë kibernetike në vend.
Drejtuesja e Komitetit Shqiptar të Helsinkit theksoi se në Shqipëri kultura e mbrojtjes së të dhënave vijon të mbetet në nivele të ulëta.
“Në vitin 2021 kemi pasur katër precedent të rrjedhjeve masive të të dhënave në Shqipëri. Nga numri shumë i ulët i ankesave që pasuan këto rrjedhje, u vu re që kultura e mbrojtjes së të dhënave personale në vendin tonë nuk është akoma në nivelin e duhur”, tha Erida Skëndaj, drejtuese ekzekutive e Komitetit Shqiptar të Helsinkit.
Sipas ekspertëve, kalimi i ofrimit të shërbimeve të administratës publike online nëpërmjet portalit “e-albania” solli sa lehtësi, aq edhe problematika për shtresat vulnerabël.
“Mungesa e aftësive digjitale, mundësitë e pakta ekonomike, si edhe mungesa e shërbimeve për personat me aftësi të kufizuar e bën më të vështirë gjithëpërfshirjen e popullatës në aksesin e këtyre shërbimeve digjitale”, tha ekspertja Blerina Bulica.
Pavarësisht zhvillimeve të fundit për sa i përket legjislacionit të ri për mbrojtjen e të dhënave personale, apo risive të përdorimit të aplikacioneve të Inteligjencës Artificiale, institucionet publike akoma vijojnë të kenë mangësi për sa i përket respektimit të të drejtave themelore të njeriut.
Edhe Komisioneri për Mbrojtjen e të Dhënave dhe të Drejtën e Informimit, Besnik Dervishi u shpreh se mungesa e buxhetimit dhe e burimeve njerëzore si specialistë për mbrojtjen e të dhënave e vështirëson në praktikë zbatimin e ligjit për këto të drejta të qytetarëve.
“Buxhetimi dhe burimet njerëzore mbeten sfida jonë më e madhe, si edhe krijimi i një kulture të mbrojtjes së të dhënave”, tha Besnik Dervishi.
Ngjashëm, Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi, Robert Gajda u shpreh se jo rrallë herë ata kanë konstatuar raste të diskriminimit në aksesin e shërbimeve digjitale për shkak të një statusi të caktuar të aplikantit.
“Kryesisht ata me probleme ekonomike, apo të moshuarit e kanë të pamundur të kenë akses në shërbimet digjitale”, u shpreh Gajda.
“Do duhej që vetë strukturat apo institucionet shtetërore të ofrojnë ndihmë për këto shërbime, qoftë në mënyrë të centralizuar apo të decentralizuar”, vijoi Gajda.
Përfaqësuesi i Avokatit të Popullit, Besnik Deda referoi më tej shqetësimet dhe ankesat e shumta të qytetarëve lidhur me mungesën e privatësisë në administrimin e të dhënave të tyre personale nga institucione të ndryshme.
“Një sondazh i yni ka gjetur se pothuajse 60% e të intervistuarve besojnë se të dhënat e tyre nuk përdoren sic duhet”, tha Deda.
“Mungesa e protokolleve të sigurta për përdorimin e të dhënave të qytetarëve është një prej shqetësimeve kryesore që ka konstatuar institucioni ynë” përfundoi ai./BIRN