BIRN: Ish-shoqëruesi i ministrit të Brendshëm dënohet me 8 vjet burg për trafik droge

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar vendosi të premten më 20 shtator deklarimin fajtor për trafik të narkotikëve dhe grup të strukturuar kriminal për ish-truprojën e ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri si dhe dy të pandehur të tjerë të hetuar prej vitit 2017 në kuadër të operacionit të koduar “Shpirti”, të kryer nga autoritetet e drejtësive shqiptare dhe italiane.

Paul “Agustin” Deda, i cili ka shërbyer më parë si ish-truprojë u dënua me 12 vjet burg për trafikim të narkotikëve dhe 3 vjet për grup të strukturuar kriminal. Ai u dënua me një vendim të vetëm prej 12 vitesh heqje lirie dhe në aplikim të gjykimit të shkurtuar, do të vuajë përfundimisht me 8 vjet burg. Dënime të njëjta u dhanë dhe për dy anëtarë të tjerë të këtij grupi të strukturuar kriminal me aktivitet trafikimin e lëndëve narkotike, dy të pandehurit Leonidha Sejdiaj dhe Hamid Seferi, të cilët dhe këta kishin kërkuar gjykim të shkurtuar.

Vendimi u mor nga trupi gjykues i përbërë nga gjyqtarët Aurel Arapi, Ilir Përdeda dhe Ardit Mustafaj.

Rezultatet e hetimit disa vjeçar të zhvilluar nga autoritetet shqiptare me ato italiane të koduar si operacioni “Shpirti” u njoftuan gjatë një konference për shtyp të zhvilluar nga SPAK dhe Antimafia italiane më 4 korrik 2021. SPAK njoftoi atëherë se mes të akuzuarve ishin edhe dy oficerët e policisë që bënin pjesë në grupin e shoqërimit të ish-Ministrit të Brendshëm, që në atë kohë ishte Saimir Tahiri, edhe pse ky i fundit nuk u përmend me emër. Tahiri u gjykua për trafik ndërkombëtar droge por u gjet i pafajshëm për këtë vepër penale dhe u dënua për “shpërdorim detyre”.

Operacioni “Shpirti” lidhet me valën e kultivimit dhe trafikimit masiv të kanabisit në Shqipëri para zgjedhjeve të vitit 2017 dhe hedh dritë për kriminalizimin e përgjithshëm të Policisë së Shtetit deri në nivelet e saj më të larta në atë kohë. Sipas prokurorisë, katër grupet kriminale që u goditën merreshin jo vetëm me trafik marijuane, por edhe me trafik heroine e kokaine/Birn

Exit mobile version