Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin, nisi të mërkurën shqyrtimin e nismës ligjore të 12 deputetëve socialistë, që i hap rrugë zhvillimit ekonomik dhe industrial brenda Zonave të Mbrojtura.
Projekti kundërshtohet ashpër nga aktivistët mjedisorë, të cilët e konsiderojnë atë një “zhvillim skandaloz” në shkatërrimin e mëtejshëm të natyrës.
Megjithatë, për deputetët e Partisë Socialiste, ky është një zhvillim i nevojshëm i nxitur nga nevoja për rritjen e turizmit.
“Në disa bashki bregdetare shtohet një problematikë tjetër përplasje e dy vendimeve të Këshillit Kombëtar të Rregullimit të Territorit,” tha njëri prej propozuesve, Fadil Nasufi, duke sqaruar se vendimi i 2018 që përcakton zonat priorioritare për zhvillimin e turizmit bie ndesh me vendimin e përcaktimit të kufirit të Zonave të Mbrojtura.
Nasufi tha se “Shqipëria nuk e ka luksin që të tkurret në zhvillimin e saj në 21% të territorit duke i konceptuar Zonat e Mbrojtura si ishuj të izoluar”. Ky zhvillim sipas tij nuk lejohet nga ligji aktual, të cilin e quajti “konservator” dhe të “ngurtë”.
Propozimet parashikojnë heqjen e neneve që përbëjnë thelbin e ligjit aktual, ku përjashtohen mundësitë e shfrytëzimit me “aktivitete intensive nga ana e njeriut” dhe ndryshim i formës së menaxhimit të tyre duke lënë bashkive në administrim jo me pak se 20% të sipërfaqes së zonave te mbrojtura qe jane ne territorin e tyre.
PS e prezantoi këtë ligj si të nxitur pikërisht nga kryebashkiakët socialistë, të cilët kërkojnë që qeverisja lokale të ketë përfitime nga admionistrimi i Zonave të Mbrojtura dhe ato t’i nënshtrohen planeve vendore të zhvillimit.
Duke iu referuar kësaj kërkese nga bashkitë, Nasufi tha se, “Agjencia Kombëtare për ZM që prej 2015 nuk ka marrë parasysh shumë nga realitetet gjatë procesit të hartëzimin e shpalljes së ZM-ve”.
Edhe deputeti i qarkut të Gjirokastrës, Laert Duraj mbrojti ndryshimet e propozuara si një mundësi ekonomike për qeverisjen vendore dhe turizmin.
“Është jetik jo vetëm për ato zona, po për gjithë Shqipërinë sepse turizmi është faktori kryesor i stabilitetit ekonomik,” tha ai.
Sipas Durajt, ndryshimet ligjore lejojnë edhe ndërhyrjet industriale brenda zonës, “por gjithmonë duke ruajtur karakterin e saj si zonë e mbrojtur.
I vetmi deputet që ngriti pikëpyetje për nismën ishte Ismet Beqiraj, i cili tha se formimi i tij akademik e bënte që të ishte kundërshtar ndaj çdo nisme që prek biodiversitetin dhe natyrën.
“Më ngacmoi nervin kjo industria e naftës dhe gazit, për çfarë e keni fjalën?”- pyeti ai kolegët nismëtarë duke kërkuar që të gjendet një balancë shumë e kujdesshme dhe të ketë kritere të forta për ndërtimet në këto zona.
Pavarësisht pikëpyetjeve, edhe Beqiraj iu bashkua qëndrimit politik të partisë ku bën pjesë duke shtuar se “janë ndërhyrje të domosdoshme”.
Kryetari i komisionit, Arben Pëllumbi tha se për nismën kanë shprehur shqetësime dhe aktorë të mbrojtjes së mjedisit dhe se komisioni do të zhvillonte dëgjesa publike me të gjithë palët e interesuara.
Edhe pse u prezantua si një nismë ligjore e hartuar në Kuvend me kërkesë të disa kryetarëve të bashkive, ligji u mbrojt fuqimisht nga kryeministri Edi Rama. Gjatë një aktiviteti për Vjosën javën që shkoi, ai argumentoi se “turizmi i luksit duhet për njerëzit e zakonshëm”, ndërsa shtoi se qeveria nuk i pranon leksionet morale të ndërkombëtarëve për natyrën.
Në dy vitet e fundit nëpërmjet vendimeve të kontestuara Komiteti i Investimeve Strategjike ka miratuar të paktën 5 projekte brenda territorit të Zonave të Mbrojtura ose pranë Monumenteve Natyrore, duke anashkaluar shqetësimet e Agjencisë Kombëtare për Zonat e Mbrojtura./BIRN