Nga Vladimir Karaj
Mëngjesin e së enjtes në orën 9:56, ministrja e Infrastrukturës dhe drejtuesja politike e Partisë Socialiste për qarkun e Fierit, Belinda Balluku, shpërndau nga faqja e saj në Facebook një poster me premtime elektorale.
“Brenda mandatit të katërt. Bypassi i Elbasanit. Bypassi i Sarandës,” shkruhet me kapitale në një sfond me ngjyrë vjollcë, mbi foto që paraqesin makineri në punë. Në poster shtohet: “Shqipëria 2030” dhe “#PartiaSocialiste”.
Dy minuta më vonë, i njëjti postim u nda nga faqja zyrtare e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjetikës, MEI. Në minutat dhe orët që pasuan, faqe të tjera zyrtare në Facebook dhe Instagram të institucioneve të varësisë së Ministrisë së drejtuar nga Balluku shpërndanë të njëjtin postim.
BIRN gjeti se posteri elektoral u nda nga Autoriteti Rrugor Shqiptar, Task Forca e Transportit Rrugor, Agjencia Shtetërore për Shpronësim dhe Albgaz, një kompani 100 për qind publike në varësinë e MIE. Ai u pëlqye gjithashtu nga Autoriteti i Aviacionit Civil dhe Spitali Memorial Fier.
Faqet zyrtare të institucioneve publike në varësinë e ministres Belinda Balluku po shërbejnë si një mur për posterat virtualë të fushatës së saj elektorale, edhe pse Kodi Zgjedhor dhe një rregullore e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve e ndalojnë kategorikisht këtë praktikë, duke e konsideruar “përdorim të burimeve publike në mbështetje të subjekteve zgjedhore”.
Për ekspertët e shoqërisë civile që monitorojnë përdorimin e administratës publike në fushatë, këto postime bëhen në shkelje të legjislacionit dhe janë tregues i funksionimit të “partisë-shtet”.
“Këto postime apo ripostime, edhe pse në mënyrë të tërthortë, bëhen qartazi për qëllime politike, pasi i rrisin dukshmërinë në rrjetet sociale titullarit të institucionit si dhe krijon në publik perceptimin mbi njësimin e shtetit me një parti të caktuar politike,” tha Dhimitër Zguro, aktivist pranë organizatës “Qëndresa Qytetare”.
Zguro theksoi se veprime të tilla binin ndesh edhe me një rregullore të Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve, por shtoi se ato tolerohen për shkak se institucionet nuk sanksionohen.
“Për shkak të praktikës administrative të këtij organi, duket sikur institucionet nxiten që të postojnë apo ripostojnë postime me përmbajtje politike apo elektorale, për shkak të mungesës së sanksioneve, duke qenë se Komisioneri mjaftohet me fshirjen e postimeve, duke e konsideruar të përmbushur qëllimin e ligjvënësit për ndalimin e shpërdorimit të burimeve publike”, tha Zguro.
Një përfaqësuese e kompanisë publike “Albgaz”, që u përgjigj në numrin publik të kontaktit, këmbënguli që shpërndarja e posterit ishte gabim.
“Duhet të jetë postuar gabimisht. Më lër kohë të rakordoj,” i tha ajo këtij gazetari, ndërkohë që pak minuta pas bisedës telefonike, postimi u fshi.
Florion Serjani, këshilltar për Median dhe Komunikimin i Ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, i tha BIRN po ashtu se postimi në fjalë ishte gabim dhe se për këtë do merreshin masa. Por ai këmbënguli se postimet e tjera, ku fushata nuk përmendet specifikisht, ishin pjesë e punës së përditshme të institucioneve dhe ishin diçka që kryhej prej vitesh në vazhdimësi.
“Nuk e kanë me detyrim, por për të mbajtur gjallë rrjetet sociale të institucioneve, mund të postojnë edhe jashtë fushës së tyre, sigurisht postime që janë brenda fushës së përgjegjësisë së MIE. Në fund të fundit është pjesë e aktivitetit të tyre të informojnë publikun për punët e bëra”, tha Serjani.
Pavarësisht posterit elektoral të shpërndarë nga MEI dhe një sërë institucionesh varësie, Serjani këmbënguli se në faqet e “Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë dhe agjencive të saj të varësisë nuk ka publikime që janë pjesë e fushatës elektorale”.
Rrjetet sociale janë kthyer prej kohësh në mjete të rëndësishme të propagandës elektorale, me kandidatë dhe parti që harxhojnë qindra mijëra në reklama dhe me stafe të dedikuara për të menaxhuar përmbajtjen e tyre. Në betejën për të dominuar rrjetet sociale, partia në pushtet avantazhohet nga administrata publike dhe dhjetra institucione shtetërore, të cilat shërbejnë për të shpërndarë, pëlqyer dhe komentuar mesazhet elektorale.
Gjatë periudhës së fushatës elektorale për zgjedhjet e 11 majit, BIRN gjeti se postimet e ministres Balluku shpërndahen gjerësisht nga institucionet e varësisë dhe vetë faqja e Ministrisë, ndërsa justifikohen si postime që kanë të bëjnë me informimin për punët e institucionit.
Për Zguron nga “Qëndresa Qytetare”, shumë prej këtyre postimeve lidhen indirekt me fushatën dhe i përkasin kategorisë së aktiviteteve të ndaluara.
“Në vlerësimin tim, këto veprimtari përfshihen në ndalimin që lidhet me përdorimin e tërthortë të llogarive zyrtare për qëllime partiake. Ndonëse nuk ka asnjë element në përmbajtjen e përshkrimit të postimit, qëllimi i postimit është partiak,” vlerësoi Zguro.
KQZ nuk iu përgjigj pyetjeve për koment deri në publikimin e këtij shkrimi./BIRN