Nga Blerina Gjoka
Ministrja e Shtetit për Integrimin, Majlinda Dhuka, informoi mediat se në javët në vijim priten vendimet e vendeve anëtare të BE-së dhe thirrja e Konferencës së Dytë Ndërqeveritare, momente që i cilësoi si hyrjen në një fazë te re “dinamike dhe komplekse” në procesin e integrimit.
Ndërsa ministri i Drejtësisë Ulsi Manja shtoi se ky dokument përmbante masat që do të ndërmerren nga Shqipëria bazuar në detyrat e shtëpisë të lëna nga Brukseli.
“Udhërrëfyesi i institucioneve demokratike ka 148 masa. Këto janë detyra shtëpie që ne për një periudhë 2023 – 2030 i kemi marrë përsipër për t’i kryer në raport me pozicionin tonë për integrimin”-tha ai.
Por në dokumentin prej 172 faqesh, i lexuar nga BIRN, nuk ka një listim masash konkrete sipas kapitujve, por një përshkrim të përgjithshëm të 5 kapitujve themelorë për të cilët kërkohet çelja e negociatave dhe ndër rrjeshta përmenden angazhime të mjegullta për përmirësimin e dispozitave ligjore, përafrimin e tyre me legjislacionin europian (“acquis”), duke caktuar afate kohore që nisin nga 2025 deri në 2030 për realizimin e tyre.
Dokumenti i konsideruar “konfidencal” nga qeveria nis me një kërkesë për integrim të përshpejtuar për disa kapituj, ku përfshihet: 1) Funksioni i Institucioneve Demokratike; 2) Reforma në Administratën Publike, 3) Kapitulli 23, Gjyqësori dhe të Drejtat Themelore; 4) Kapitulli 24, Drejtësia, Liria dhe Siguria dhe 5) Kapitulli 5, Prokurimet Publike.
Angazhimet e përmendura në këtë dokument janë të njohura për publikun pasi ripërsëriten prej vitesh si kushte nga Brukseli ndaj vendit tonë i cili pret prej një dekade që të çelë zyrtarisht negociatat për anëtarësim.
Një nga më të rëndësishmet lidhet me garantimin e zgjedhjeve të lira dhe krijimin e mekanizmave për realizimin e standardeve zgjedhore.
Në kapitullin e parë disa faqe i kushtohen procesit zgjedhor, ku shumë prej rekomandimeve të lëna nga misioni i OSBE-ODIHR-it pas zgjedhjeve të vitit 2021 mbeten të paplotësuara dhe në dokumentin negociues qeveria shqiptare merr angazhimin t’i plotësojë duke nisur nga viti 2025 deri në 2030.
Kështu, qeveria merr përsipër rritjen e kapaciteteve zgjedhore, “duke përfshirë dhe zbatimin e kuadrit ligjor të rishikuar mbi përdorimin e burimeve shtetërore në kuadër të zgjedhjeve”, të rrisë transparencën e procesve zgjedhore, sigurinë e të dhënave personale, zgjerimin e votimit elektronik, etj..
Një nëndarje e veçantë i kushtohet monitorimit të rolit të medias në proceset zgjedhore, ku merret përsipër që duke nisur nga 2025 “do të rritet monitorimi sasior dhe cilësor dhe profesionalizmi në raportimin mediatik (përfshirë dhe materialet e gatshme të partive)”.
Angazhimi parashikon një rritje të rolit të Autoritetit të Mediave Audiovizive për të luftuar dezinformimin në proceset zgjedhore.
Për transparencën e financimit të partive politike sugjerohet se kërkon ‘konsensus politik’ dhe do të realizohet deri më 2027.
“Deri në vitin 2030, auditimet mbi financimin e partive politike do të forcohen ndjeshëm”- thuhet në dokument, ndërsa parashikohet se “sanksionet do të jenë efektive dhe proporcionale dhe do të zbatohen sistematikisht në rastet e shkeljeve të dispozitave mbi financimin e partive politike në çdo cikël zgjedhor, duke filluar nga zgjedhjet e vitit 2025”.
Në këtë kapitull po ashtu merret angazhim për rritjen e integritetit në punën e Kuvendit duke zbatuar metodologji apo mekanizma (siç është ai i shërbimit ligjor në Kuvend) që do të identifikonte rrezikun për korrupsion në procesin ligjbërës.
Qeveria gjen rastin të mburret me ligjin e kontestuar “për bashkëqeverisjen”, i cili i dha formë ligjore një platforme elektorale të Partisë Socialiste në pushtet.
Në dokumentin që do të paraqitet në tryezë me vendet anëtare të BE-së thuhet se, kjo platformë ofroi zgjidhje për ankesat e qytetarëve dhe bizneseve “për të reduktuar në mënyrë efektive stokun që mund të krijohet në gjykata”.
Për lirinë e medias premtohet rritje e dialogut dhe nxitje e vetrregullimit, rritje e sigurisë së gazetarëve si dhe gjurmimi i pronarëve fundorë për sipërmarrjet mediatike.
“Zbatimi i të drejtave të punës në praktikë do të përmirësohet për të siguruar ushtrimin të lirë të profesionit ë të gazetarëve nga viti 2025 e në vazhdim duke i bërë ata më rezistencë ndaj kërcënimeve dhe dezinformimit”- është një prej angazhimeve të qeverisë në këtë drejtim.
Në fushën e drejtësisë premtohet angazhimi për të ruajtur reformën e arritur në vitin 2016 dhe përmirësimin e saj me “ndryshime ligjore që i përmbahen parimeve të reformës në drejtësi”.
Ndërsa në fushën e Prokurimeve Publike angazhimet lidhen me problematika që qeveria i konsideron legjislative, por që lidhen me afera korruptive të mëdha, si ajo për ndërtimin e inceneratorëve, për të cilën dhjetëra ish-funksionarë të lartë dhe të mesëm janë nën akuzë.
Ajo premton rishikim të ligjit për Konçensionet dhe kontratat me partneritet publik-privat sipas direktivave të BE-së.
“Kërkohet përafrim i mëtejshëm për të trajtuar çështje si propozimet e pakërkuara, rrezikun operacional, fushën e zbatimit”- thuhet në dokument duke iu referuar kontratave konçensionare dhe PPP-ve.
Masat kryesore për të luftuar korrupsionin në Prokurimet Publike do të përfshijnë miratimin e një dokumenti të përbashkët mes Agjencisë së Prokurorime Publike dhe Inspektoriatit të Deklarimit të Pasurive (ILDKPKI) mbi integritetin, shtimin e funksionit të flamurit të kuq, bashkëpunimi me Prokurorinë e Posaçme dhe dispozita të reja ligjore.
“Pozicioni Negociues për Grupimin 1 të kapitujve “Themelorët” për negociatat për anëtarësimin në BE” kaloi një miratim formal në Komisionin parlamentar për Çështjet Europiane, ndërsa opozita kërkoi që atij t’i bashkangjiteshin edhe qëndrimet e saj duke akuzuar qeverinë për mungesë vullneti në plotësimin e kushteve për anëetarësim.
Kryetarja e këtij komisioni Jorida Tabaku kërkoi që procesi të mos ishte “fasadë” apo “teorik” dhe qeveria të mbante përgjegjësi për dëshmin në plotësimin e standardeve demokratike, që nga shteti i së drejtës, balancën e pushteteve, zgjedhje të lira./ BIRN