Nga Gjergj Erebara
Deputeti socialist, Vullnet Sinaj, një biznesmen i suksesshëm dhe deputet përgjithësisht i heshtur, po detyrohet këto ditë të flasë më shpesh se sa zakonisht dhe për një çështje personale.
Ai është vënë nën shënjestrën e opozitës, e cila pretedon se disa shitje rastësore nga rrjeti i tij i supermarketeve te disa agjenci blerëse shtetërore, pavarësisht shumave të parëndësishme, bëjnë që ai të ketë shkelur pikën 3 të nenit 70 të Kushtetutës së Shqipërisë, e cila thotë: “Deputetët nuk mund të kryejnë asnjë veprimtari fitimprurëse që buron nga pasuria e shtetit ose e pushtetit vendor dhe as të fitojnë pasuri të këtyre.” Argumenti joligjor i Sinës se ai bën bamirësi me rrogën e deputetit, ka gjasa që nuk hyn shumë në punë në çështjen konkrete.
Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë hasi për herë të parë në nevojën për marrjen e një vendimi mbi këtë nen në vitin 2011. Në tetor të atij viti, gjykata përzuri deputetin socialist, Ilir Beqaj nga parlamenti pasi kompania nën pronësi maxhoritare të tij, Intech+ pati fituar një tender me vlerë 24 milionë lekë nga Bashkia Durrës, e cila qeverisej në atë kohë nga një kryebashkiak socialist. Akrobaci të ndryshme juridike të avokatëve të deputetit nuk pinë ujë.
Kushtetuta, shënon gjykata në vendimin në fjalë, “ka preferuar të vendosë ndalimin në rang kushtetues dhe ta cilësojë si të papajtueshëm me funksionin e deputetit ushtrimin e aktivitetit fitimprurës prej tij, kur të ardhurat nga ky aktivitet burojnë nga buxheti i shtetit. Ky ndalim është i shprehur qartë dhe pa ekuivok nga kushtetutbërësi, i cili ka patur si qëllim eliminimin e plotë të mundësive për ta konsideruar funksionin e deputetit si një mundësi e mirë për të shtuar burimin e të ardhurave private nëpërmjet pozitës së favorshme që ka ai si anëtar i organit më të lartë përfaqësues.”
Gjykata Kushtetuese u përball edhe një herë me një çështje të tillë në vitin 2015, kësaj here me rastin e deputetit tjetër socialist, Koço Kokëdhima. Në këtë rast, çështja ishte me të vërtetë periferike. Kokëdhima ka qenë (dhe vijon të jetë), pronar i një kompanie që ofron akses në internet. Pasi u bë deputet, ai hoqi dorë nga pronësia e kësaj kompanie, por jo para se një kontratë e vetme shërbimi interneti me një ent publik të nënshkruhej. Dikush mund të thotë se përfitimi indirekt i Kokëdhimës nga fakti që një agjenci shtetërore pagoi për atë muaj një shumë minimale prej vetëm 2 mijë lekësh për shërbim interneti, nuk është argument moralisht shumë i fortë sa për të rrëzuar mandatin e deputetit. Por Gjykata Kushtetuese, njësoj si në rastin e Beqajt, vuri në dukje ndalimin e prerë që ka caktuar kushtetuta (dhe nuk duhet të harrojmë se kushtetutën aktuale e kanë miratuar votat e deputetëve socialistë në vitin 1998), për konfliktin e interesit mes deputetit dhe pronës apo parave publike.
I pakënaqur me vendimin, Kokëdhima iu drejtua Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, e cila njihet më së shumti si Gjykata e Strasburgut. Kjo e fundit i dha përgjigje Kokëdhimës në qershor të këtij viti me një vendim në të cilin mes të tjerash, vëren se deputeti, si një figurë mbi të zakonshmit, duhet të jetë në dijeni, nga njëra anë, për të drejtat e tij dhe nga ana tjetër, për detyrimet.
“Z. Kokëdhima duhej të dinte mbi ligjet e aplikueshme dhe për rrjedhojë duhej ta kishte parashikuar se vijimi i përfitimit nga të ardhurat e krijuara nga kontratat me autoritetet publike në rolin e tij të ri si deputet mund të përbënte konflikt interesi,” shkruan vendimi i Gjykatës së Strasburgut.
Aktualisht, deputetja socialiste Olta Xhaçka dhe deputeti Vullnet Sinaj përballen me të njëjtin telash si Beqaj dhe Kokëdhima dhe mënyra e prerë se si kushtetuta shprehet në këtë rast si dhe vleftësimi i vendimit për përjashtimin e Kokëdhimës nga Gjykata e Strasburgut lënë pak mundësi që rezultati për këto dy raste të jetë i ndryshëm.
Xhaçka akuzohet se ka përfituar një sipërfaqe plazhi përmes një kompanie të lidhur, ku sipërfaqja e plazhit do të mund të shërbejë për planet e biznesit të bashkëshortit të saj për hotel. Ndërsa Sinaj akuzohet se, me apo pa dijeninë e tij, disa institucione shtetërore, kanë bërë blerje në një apo disa nga kompanitë e një rrjeti supermarketesh.
Pavarësisht nëse përfitimi i parave publike apo i pronave publike është në përmasa “të mëdha” apo të “vogla”, dhe pavarësisht nëse deputeti ka qenë apo jo në dijeni të këtyre përfitimeve, kushtetuta vijon të shkruajë se “deputetët nuk mund të kryejnë asnjë veprimtari fitimprurëse që buron nga pasuria e shtetit ose e pushtetit vendor dhe as të fitojnë pasuri të këtyre.”
Është shumë tregues i faktit se sa socialistë janë socialistët, një parti që vetëdeklarohet e majtë, por që deri më sot ka pasur katër biznesmenë, dy të përjashtuar nga parlamenti dhe dy në proces, për përfitime të parregullta. Dhe përveç deputetëve në fjalë, të cilët janë kapur në mënyrë të drejpërdrejtë, një numër shumë i lartë biznesmenësh socialistë kanë arritur të shmangin teknikisht konfliktin e interesit duke dhuruar kompanitë te familjarët e vet më të afërt, por jashtë certifikatës familjare.
Prania e lartë e biznesmenëve në parlament, por edhe niveli i përgjithshëm i pasurisë së deputetëve në krahasim me gjendjen ekonomike të vendit, flet shumë për llojin e demokracisë që po zhvillohet në Shqipëri, ku Kuvendi ngjan si një klub sipërmarrësish se sa përfaqësuesish të popullit.
Në rastin e Xhaçkës, deputetët socialistë kanë ndërmarrë tentativa për të bllokuar apo zvarritur diskutimin e çështjes në Gjykatën Kushtetuese, një nismë që ka marrë mes të tjerash kritikë, jo vetëm nga Gjykata Kushtetuese por edhe nga Bashkimi Evropian apo diplomacia amerikane.
Pika 4 e nenit 70 të Kushtetutës thotë: “Për çdo shkelje të paragrafit 3 të këtij neni, me mocion të kryetarit të Kuvendit ose të një së dhjetës së anëtarëve të tij, Kuvendi vendos për dërgimin e çështjes në Gjykatën Kushtetuese, e cila konstaton papajtueshmërinë.” Është një fjali kaq e thatë, që nuk lë hapësirë për diskutime. Megjithatë, sipas socialistëve, deputetët gjithsesi kanë të drejtë “të mos vendosin” ose të “votojnë kundër” dërgimit të çështjes në Gjykatë Kushtetuese. Së fundmi, kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali ka deklaruar dëshirën për të kërkuar një opinion nga Komisioni i Këshillit të Evropës për Demokracinë përmes Ligjit, që njihet gjerësisht si “Komisioni i Venecias” për ta pyetur nëse deputetët kanë apo jo të drejtë të mos i binden Kushtetutës. Është një shpërdorim shumë i pacipë i kohës dhe ekspertizës së institucionit të Komisionit të Venecias, një institucion i cili ofron këshilla miqësore mbi çështje kushtetuese jo vetëm në Evropë, por edhe për shumë vende të tjera në të katër anët e botës.