BIRN: Qindra protestues kërkojnë përgjegjësi për vrasjen e 14-vjeçarit

Duke tërhequr këmbët zvarrë, si të ngarkuar me një barrë të rëndë, qindra qytetarë, prindër, të rinj e nxënës shkolle marshuan të enjten nga shkolla “Fan Noli” drejt Ministrisë së Arsimit. Marshimi i heshtur i ngjante një kortezhi mortor, ndërsa protestuesit e përlotur mbanin në duar karafilë të bardhë dhe pankarta.

Protesta nisi në rrugën ku u vra 14-vjeçari Martin Cani dhe vijoi përmes qytetit deri para dyerve të Ministrisë së Arsimit, e cila ishte e rrethuar me punonjës policie.

Para ministrisë, organizatorët shënuan derën me bojë të kuqe, ndërsa kërkuan që institucionet të merrnin përgjegjësi.

“Duhet dikujt t’i pështiroset vetja e të japë dorëheqjen,” tha një i ri që u prezantua si gjimanzist nga Lezha. Në kor, protestuesit bënë thirrje për dorëheqjen e ministres së Arsimit, Ogerta Manastirliu.

Martin Cani humbi jetën në moshën 14-vjeçare të hënën, pasi u godit me thikë nga një tjetër nxënës i shkollës “Fan Noli” në Tiranë. Gjatë sulmit mbeti i plagosur edhe një tjetër adoleshent. Ngjarja shënoi tronditje dhe revoltë, ndërsa riktheu vëmendjen tek nevoja për siguri në shkolla.

“Unë kam një vëlla në gjimnaz e sot jam e tmerruar, sepse kam frikë se vëllai im nuk do të vijë i gjallë në shtëpi. Të flasim për cilësi arsimi sot ne na duket luks, në momentin që nuk jemi të sigurtë në shkolla dhe në rrugë,” tha Sidorela Vatnikaj, aktiviste dhe qytetare e Tiranës.

“Familjet shqiptare ndihen tmerrësisht të rrezikuar për fëmijët e tyre, por ministrja duket sikur donte të hiqte përgjegjësinë për ngjarjen që ndodhi. Ajo do duhet të zgjedhë moralin dhe të kuptojë se arsimi po vdes, dhe bashkë me të edhe kombi,” tha një qytetare, e cila iu bashkua protestës.

Qytetarja shtoi se përgjegjësia bie mbi institucionet dhe drejtuesit, të cilët nuk I japin mbështetjen e duhur si fëmijëve, ashtu edhe prindërve të cilët kanë vështirësi ekononike për t’i rritur.

“Familjet tona nuk kanë kohë të merren me fëmijët e tyre, sepse punojnë tërë ditën për të siguruar bukën e gojës, të shtyjnë muajin”, tha ajo.

Edhe Migen Qiraxhi, aktivist i organizatës Qëndresa Qytetare u shpreh se duhet një reagim i menjëhershëm, pasi siguria e jetës nuk pret. Ai akuzoi institucionet e arsimit se po kthehen në vatra që i shërbejnë qëllimeve elektorale të partive.

“Presim që prindërit të ndërgjegjësohen, sepse siguria e fëmijëve nuk pret. Kemi ardhur shumë vonë sot këtu. Të gjitha këto probleme që ne ndodhemi sot këtu ne i kemi ditur”, tha Qiraxhi.

“Shkolla duhet të edukojë fëmijët përpara se të kthehen në vatra votash dhe punësimesh”, përfundoi Qiraxhi.

Per Martinin
Një zonjë loton teksa mban në duar pankartën me foton e Martin Canit. Foto: Nensi Bogdani/ BIRN.
Qindra protestues kërkuan dorëheqjen e ministres së Arsimit pas vrasjes tragjike të 14-vjeçarit në shkoll♪7n “Fan Noli”.
Exit mobile version