BIRN: Rama nuk arrin të sqarojë pikëpyetjet mbi eksportin e mbetjeve të rrezikshme

Kryeministri Edi Rama pretendoi të enjten se bëhej fjalë për një eksport normal mbetjesh lidhur me rastet e dyshuara për transport të mbetjeve të rrezikshme në mënyrë të paligjshme nga Porti i Durrësit.

Në fillim të gushtit ‘Basel Action Network”, një organizatë mjedisore me qendër në Shtetet e Bashkuara, ngriti alarmin se 100 kontejnerë me mbetje të rrezikshme, që del nga hiri i oxhaqeve metalurgjike elektrike, ishin ngarkuar në korrik në Portin e Durrësit me destinacion Tajlandën.

Por kryeministri tha se nuk kishte asnjë analizë apo provë të faktuar për pretendimet e ngritura nga BAN, ndërsa hoqi përgjegjësinë e organeve ligjzbatuese në rast dyshimet vërtetoheshin si të vërteta.

“Në çdo deklaratë e në çdo dokument të paraqitur nga subjektet private, si pjesë e procedurave të eksportit, është shumë e qartë se eksporti i mallrave në fjalë nuk është eksport mbetjesh të rrezikshme”, tha Rama i thirrur në interpelancë urgjente nga opozita.

Më tej ai pretendoi se “autoritetet shqiptare nuk kanë miratuar, në këtë rast, asnjë autorizim specifik për eksport mbetjesh të rrezikshme për ngarkesën e dyshuar”.

Sipas Ramës, përgjegjësia për të deklaruar ngarkesën si mall i rrezikshëm është detyrim ekskluziv i eksportuesit apo i importuesit dhe se do jenë hetimet që do të tregojnë nëse ka pasur ‘mashtrim” nga kompanitë e përfshira në proces.

Kryeministri lexoi pasazhe të ligjit në fuqi për “Menaxhimin e integruar të mbetjeve” që parashikojnë mënyrat e rikuperimit, asgjësimit, apo transportimit të mbetjeve të rrezikshme, por nuk qe në gjendje të përgjigjej nëse në Shqipëri prodhohen këto mbetje, sa prodhohen, ku shkojnë, a përpunohen apo jo, etj..

Rama gjithashtu nuk u dha përgjigje pyetjeve të ngritura nga opozita si; “kujt i përkasin mbetjet e rrezikshme, si janë krijuar apo kanë mbërritur në Shqipëri, si janë trajtuar, çfarë veprimesh, kontrollesh apo aktesh mbikëqyrëse kanë ndërmarrë institucionet, si janë lejuar të eksportohen pa lejet përkatëse nga Porti i Durrësit, etj..”

Nga ana tjetër, ai solli të dhëna që tregonin për një eksport të vazhdueshëm të mbetjeve nga Shqipëria drejt vendeve të tjera.

“360 njësi kontejnerike të tilla janë pranuar nga autoritetet doganore të vendeve aziatike në 10 muajt e fundit”, tha ai, duke shtuar se edhe Spanja, Franca, Belgjika, Izraeli dhe Turqia kishin pranuar ngarkesa të ngjashme në 5 vitet e fundit.

“Vlen të theksohet se njëra prej këtyre kompanive, aktualisht pjesë e këtij rasti që po hetohet në bashkëpunim me Agjencinë Europiane kundër mashtrimit, ka eksportuar ngarkesa të tilla drejt Spanjës dhe Turqisë”- pretendoi ai.

Kreu i grupit parlamentar demokrat, Gazment Bardhi, duke iu referuar deklaratave të kësaj organizate, tha se ka dyshime se Porti i Durrësit është përdorur edhe më parë për eksport të paligjshëm të mbetjeve toksike.

Sipas tij, neglizhenca e organeve qeverisëse në mbikëqyrjen e kompanive të përfshira në këtë aktivitet ka cënuar sigurinë kombëtare dhe shkeljen e konventave ndërkombëtare.

Alarmi i parë i BAN bënte fjalë për një anije gjigande kontejnerësh prej 175 mijë tonësh e linjës ‘Maersk‘ e cila u zhduk në fund të korrikut nga radarët afër Cape Toën në Afrikën e Jugut, pas një sinjalizimi të bërë prej saj tek autoritetet vendase.

Bazuar në të dhënat e ofruara nga një sinjalizues, “Basel Action Netëork”, beson se anija ‘Maersk Campton’ dhe një anije e dytë kontenjerësh e së njëjtës linjë, ‘Maersk Candor’, kanë ngarkuar në portin e Durrësit në fillim të korrikut rreth 100 kontenjerë me mbetje të rrezikshme, e cila vjen nga hiri i oxhaqeve metalurgjike elektrike (EAFD) me destinacion Tajlandën.

Autoritet portuale i kanë bllokuar në Singapor kontenjerët e nisur nga Shqipëria dhe ato pritet të rikthen në Durrës në muajt e ardhshëm. Prokuroria ka identifikuar kompaninë “Sokolaj” shpk, një kompani import-eksporti mineralesh me qendër në Durrës në pronësi të shtetases Gjovana Sokolaj si eksportuese të kontejnerëve dhe kompaninë turke “Kurum International” sh.a si burimin e këtyre produkteve./BIRN

Artikulli paraprakHapja e Kutisë së Pandorës nëpërmjet votave me postë të diasporës
Artikulli tjetërKurvi im