Nga Blerina Gjoka
Disa organizata të shoqërisë civile, që monitorojnë proceset zgjedhore, në një deklaratë të përbashkët të premten bënë thirrje për respektimin e një gare të ndershme dhe të barabartë midis subjekteve zgjedhore, e cila, sipas tyre, “cënohet nëse do të përsëriten problematikat e konstatuara në zgjedhjet e kaluara lidhur me keqpërdorimin e burimeve shtetërore, shitblerjen e votës dhe çdo formë presioni apo ndikimi të papërshtatshëm që prek dinjitetin dhe deformon vullnetin e lirë dhe të pavarur të zgjedhësit”.
Deklarata e nënshkruara nga “Qëndresa Qytetare‘, Komiteti Shqiptar i Helsinkit dhe Instituti i Studimeve Politike, nënvizon që “çdo njeri ka të drejtë të trajtohet me respekt dhe dinjitet, por në çdo rast duhet respektuar standardi që kategoritë ose grupe sociale të mos bëhen objekt i keqpërdorimit të të drejtave të tyre për qëllime elektorale”.
Sipas organizatave fushata zgjedhore ka filluar shumë herët në cënim të parashikimeve të Kodit Zgjedhor që sanksionon që fushata nis 30 ditë para datës së zgjedhjeve dhe përfundon 24 orë para datës së zgjedhjeve.
Ato po ashtu kërkojnë transparencë për financimet e kësaj fushate të parakohshme dhe pse ligji është i kufizuar në llogaridhënien financiare vetëm brenda afateve 30-ditore.
“Ne kërkojmë transparencë dhe llogaridhënie publike mbi financimin e aktiviteteve me natyrë elektorale për zgjedhjet e ardhshme parlamentare, të cilat janë zhvilluar deri më tani si dhe planifikohen të zhvillohen në vijimësi, brenda dhe jashtë vendit”- thuhet në deklaratë.
Organizatat po ashtu ngrenë shqetësimin e përdorimit të administratës publike për fushatë zgjedhore dhe kërkojnë një angazhim të KQZ-së dhe prokurorinë në drejtim të denoncimit të shkelësve të detyrimeve të legjislacionit zgjedhor dhe legjislacionit penal, të cilët zgjedhin të shpërdorojnë në kundërshtim me legjislacionin burimin publik për qëllime elektorale.
“Në zgjedhjet e kaluara, organizatat tona kanë vërejtur raste kur hetimet administrative dhe veçanërisht ato penale për denoncimet lidhur me ndalimin e përdorimit të burimeve publike janë zgjatur apo zvarritur në kohë, çka dobëson besimin e qytetarëve në mekanizmat raportues dhe rezultatin e pritur ndaj tyre”- vërejnë organizatat duke i rekomanduar KQZ-së që të përdorë të gjitha burimet dhe instrumentet e mundshme njerëzore e ligjore, për të trajtuar me prioritet shqetësimët si dhe indicjet publike që janë të verifikueshme, lidhur me keqpërdorimin e burimeve shtetërore dhe jetësimin e standardeve që kërkon Kodi Zgjedhor për mbrojtjen e tyre.
Apeli i shoqërisë civile shkon dhe për partitë politike që të jenë transparente në raport me burimet shtetërore, në retorikën elektorale dhe zbatuese më të praktikave të mira që lidhen me votën, me zgjedhjet dhe me demokracinë përfaqësuese.