BIRN: Shpesh pa u vënë re, prokurorët e posaçëm shënjestrojnë edhe kryebashkiakët

Nga Fjori Sinoruka

Vitin e kaluar, prokurorët e posaçëm në Shqipëri hetuan tetë kryebashkiakë dhe dërguan pesë në gjykatë, një reflektim, thonë ekspertët, i lidhjeve midis strukturave të pushtetit vendor dhe grupeve kriminale.

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, e njohur gjerësisht si SPAK-u, u krijua si pjesë e një reforme të gjerë të sistemit të drejtësisë në Shqipëri nën Partinë Socialiste në pushtet.

Hetimet e SPAK-ut për dy ish-presidentë dhe disa ministra kabineti kanë tërhequr vëmendjen e shumicës së publikut, por ekspertët thonë se puna e tij për të ekspozuar korrupsionin në nivel bashkiak është po aq e rëndësishme.

“Pushteti vendor ka një nivel të lartë korrupsioni, por edhe kriminalizimi, për shkak të një sërë faktorësh që përfshijnë decentralizimin, i cili krijon kushtet për krijimin e rrjeteve të pavarura të ndikimit që sfidojnë ligjet dhe institucionet shtetërore”, tha sociologu nga Tirana Ergys Mërtiri.

“Në një sërë bashkish si Elbasani, Shkodra, Durrësi etj., grupet kriminale janë faktori dominues në përcaktimin se kush do të fitojë pushtetin vendor dhe në këmbim të kësaj mbështetjeje ata marrin pjesën e tyre të pushtetit nga bashkitë, e përkthyer në tendera, koncesione, leje ndërtimi apo edhe poste në administratë, që i vënë ata në shërbim të interesave të tyre korruptive e kriminale.”

Afrim Krasniqi, kreu i Institutit për Studime Politike në Tiranë, tha se Shqipëria kishte vendosur një rekord në vitet e fundit për sa i përket numrit të kryetarëve të bashkive dhe zyrtarëve të lartë të pushtetit vendor të vënë nën hetim, të arrestuar ose dënuar për korrupsion dhe krime të tjera.

“Arsyeja pse ata nuk marrin vëmendjen e publikut dhe medias është se në Tiranë janë kryer hetime në nivelet më të larta, duke përfshirë dy ish-presidentë që kanë qenë edhe kryeministra, zv/kryeministrin e qeverisë aktuale dhe ministra të tjerë”, tha Krasniqi për BIRN. “Pra, nuk është lajm kur zyrtarët komunalë vihen nën hetime apo arrestohen.”

Analizë financiare më e thellë

erion veliaj e1736708615462
Kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj inspekton punën në rrjetin e ujësjellësit në vitin 2017. Foto: Bashkia Tiranë.

Në nëntor, SPAK e shpalli Vangjush Dakon, ish-kryetarin e bashkisë së qytetit të dytë më të madh të Shqipërisë, Durrësit, fajtor për shpërdorim detyre në dy raste dhe e dënoi atë me dy vjet e tetë muaj burg.

Kryebashkiaku më jetëgjatë i Partisë Socialiste në Durrës, në korrik 2019 Dako u shpall persona non grata nga Departamenti Amerikan i Shtetit, i cili e akuzoi atë për përfshirje në “korrupsion madhor”.

Së fundmi, më 6 dhjetor, SPAK tha se po hetonte kryebashkiakun e Tiranës Erion Veliaj, gjithashtu anëtar i socialistëve në pushtet. Prokurorët saktësuan se po hetonin për origjinën e pasurive të Veliajt dhe të të afërmve të tij.

Rigels Xhemollari, kreu i OJQ-së Qëndresa Qytetare  me qendër në Tiranë, tha se kishte më shumë raste që përfshinin zyrtarë bashkiakë sepse KLSH-së tani i kërkohet të kryejë auditime financiare të institucioneve bashkiake; kur konstaton parregullsi, ai duhet t’i dërgojë ato në prokurorinë publike.

“Para së gjithash, kryetarët e bashkive i nënshtrohen hetimeve të SPAK-ut dhe duke pasur parasysh numrin e çështjeve të depozituara në prokurori, për shkak të besimit të lartë të qytetarëve në këtë strukturë, kjo ka rritur numrin e kryebashkiakëve nën hetim”, tha Xhemollari për BIRN.

“Së dyti, në dy vitet e fundit KLSH-ja ka audituar financat e 61 bashkive; disa gjetën shkelje të barazisë në tenderët publik dhe kështu referimi i tyre te prokurori i posaçëm e bën përgjegjës drejtpërdrejt kryetarin e bashkisë.”

Akuzat shtohen

Pamje e Tiranës. Foto: LSA.

Lista e kryebashkiakëve nën vëzhgimin e SPAK është rritur muajt e fundit.

Në shtator, Rexhë Byberi, kryebashkiaku i Tropojës në Shqipërinë veriore, dhe zëvendësi i tij, Abedin Kraja, u akuzuan për shpërdorim detyre për dy projekte për ndërtim rrugësh.

Në dhjetor, prokurorët dërguan në gjyq një çështje kundër Eduard Duros, kryebashkiak i Devollit në juglindje, me akuzën e shpërdorimit të detyrës për licencimin e një pike karburanti.

Në vitin 2023, Edison Memolla, kryebashkiak i Rrogozhinës, pjesë e qarkut të Tiranës, doli në gjyq me akuzën e korrupsionit gjatë zgjedhjeve vendore të 2022.

Nën hetim nga SPAK është edhe ish-kryebashkiaku i qytetit bregdetar jugor të Himarës, Jorgo Goro.

Xhemollari tha se mungesa e vëmendjes mediatike për raste të tilla reflekton një preokupim me zhvillimet në kryeqytet.

“Mendoj se raportimi dhe diskursi mediatik fokusohet te ministrat dhe deputetët, duke shmangur organet vendore, të cilat kanë përgjegjësi të drejtpërdrejtë dhe marrëdhënie me shërbimet civile”, tha ai për BIRN.

“Shpesh, lajmet që ndodhin në Tiranë dhe jo aty ku qytetarët kanë nevojë, marrin më shumë vëmendje nga media.”

Exit mobile version