BIRN/ SPAK thellon hetimet ndaj kryebashkiakut Erion Veliaj, avokati konfirmon sekuestrimin e telefonit të Ajola Xoxës

Për më shumë se një orë mëngjesin e të premtes, oficerë të Byrosë Kombëtare të Hetimit, BKH, u filmuan teksa qëndronin në hyrjen e pallatit ku banon kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj në zonën e njohur si “Kodra e Diellit”, mes rrugicës së Trëndafilave dhe Jaseminëve.

Me vendime të gjykatës në duar, oficerët e BKH-së ushtruan kontrolle në Kodrën e Diellit si dhe në Sky Tower, duke avancuar një hetim të nisur nga kryebashkiakut Veliaj dhe rrethit të tij familjar.

“Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar informon se janë ndërmarrë disa veprime hetimore në kuadër të një procedimi penal,” tha SPAK përmes një njoftimi për shtyp, ndërsa pretendoi se nuk mund të jepte më shumë detaje.

Avokati i Xoxës, Shkëlzen Selimi konfirmoi për BIRN se hetuesit e BKH-së kishin bllokuar telefonin e Ajola Xoxës, por mohoi që të kishte pasur kontroll në shtëpinë e kryebashkiakut Veliaj.

Një punonjës i kompleksit rezidencial ku ndodhet edhe banesa e kryebashkiakut Veliaj i tha BIRN se punonjësit e BKH qëndruan gati “dy orë në godinë”. Bashkia e Tiranës njoftoi se gjatë procedurës, Veliaj ndodhej në një vizitë zyrtare në Hamburg.

SPAK ndërkohë ushtroi kontroll edhe në zyrat e biznesit të bashkëshortes së Veliaj në Sky Tower në kryeqytet, ku ndodhet Qendra Harabel, një fondacion me objekt promovimin e artit e themeluar nga Xoxa.

SPAK nuk bëri me dije se për cilin hetim bëheshin veprimet hetimore, por ndaj Veliajt dhe personave të lidhur me të ka një sërë kallëzimesh dhe hetimesh. Ndër më të njohurit, ku përmendet emri i tij, janë hetimet mbi atë që njihet si afera e inceneratorëve dhe ai ndaj drejtuesve të Bashkisë së Tiranës të arrestuar kohë më parë në atë  që njihet si çështja “5D”. Po ashtu ne hetim janë edhe pasuritë e kryebashkiakut dhe të afërmve të tij.

Ndërkohë, Veliaj u thirr më 30 prill në SPAK ku dëshmoi për rreth 7 orë në lidhje me aferën e inceneratorit të Tiranës.

Në shtator këtë vit, gazetari holandez Vincent van Gerven Oei publikoi një shkrim të gjatë që lidhte qendrën Harabel me kompaninë Integrated Energy BV SPV e hetuar nga SPAK për korrupsion në të ashtuquajturin “inceneratori i Tiranës”.

Veliaj vetë nuk ka reaguar ende ndaj kontrolleve. /Reporter.al/

Artikulli paraprak‘Berisha nuk e ka luftën me Edi Ramën’, ish-presidenti Topi: Ka hallin të dominojë partitë e tjera në opozitë
Artikulli tjetërBuxheti/ Babloku me thasë në shpinë për Bechettin, Zoton, Vilmën, Rrapajn, Karathanon, Rrokun e Bankers