Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK njoftoi të hënën më 11 nëntor përfundimin e hetimeve ndaj grupit të strukturar kriminal me bazë në Lushnjë të drejtuar nga Laert Haxhiu, që akuzohet se ndërmori një seri krimesh të rënda në shenjë hakmarrjeje për vrasjen e kushëririt të tij.
Prokuroria i ka kërkuar gjykatës kalimin për gjykim të çështjes penale në ngarkim të nëntë të pandehurve, Lulzim Spahija (Arapi); Artan (Marjus) Tafani; Ligor Romacka; Bledar Berberi; Erisiano Abedini; Bujar Abedini; Mariglen Topuzi; Idriz Manej dhe Enriko Xhahysa, të akuzuar për bashkëveprim në formën e veçantë të grupit të strukturuar kriminal dhe kryerjen e veprave të rënda penale.
Sipas SPAK, në krye të këtij grupi qëndron i hetuari Laert Haxhiu, i cili e drejton dhe organizon veprimtarinë kriminale. Si pjesëtarë të bandës, prokuroria cilëson pesë nga nëntë të pandehurit, Artan (Marjus) Tafanin, Lulzim Spahija (Arapin), Ligor Romaçkan, Bledar Berberin dhe Erisiano Abedinin. Të tjerët akuzohen se kanë bashkëpunuar në këto ngjarje me anëtarët e grupit kriminal.
Të pandehurit akuzohen për kryerjen e 15 krimeve gjatë periudhës prill 2021 – maj 2023, konkretisht për pesë vrasje, nga të cilat një ka mbetur në tentativë; katër raste të shkatërrimit të pronës me eksploziv; vjedhje me armë në dy raste; në një rast për sigurim të kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje; si dhe dy herë mbajte pa leje të armëve e municioneve.
“I drejtuar dhe e organizuar nga Laert Haxhiu, grupimi i tij kriminal ndërmori akte konkrete kriminale për vrasjen e personave, të cilët i mendonte si pjesëtarë të grupimit kriminal të Aldo Bares, për të cilët besonte se kishin qenë të përfshirë në vrasjen e kushëririt të tij”, thotë SPAK dhe shton se aktet kriminale nuk synuan vetëm jetën dhe shëndetin e kundërshtarëve të supozuar, por dhe shkatërrimin e pronës së tyre. Përveç dy vrasjeve, prokuroria vlerëson se të gjitha krimet e tjera janë organizuar, shtyrë dhe ekzekutuar në shenjë hakmarrjeje dhe për të njëjtat motive.
Laert Haxhiu u arrestua në Greqi në muajin Maj dhe më 3 korrik u ekstradua në Shqipëri, ku dhe po vijojnë hetimet ndaj tij./ BIRN