Bisedimet mes BE-së, Ukrainës dhe Rusisë për furnizimin me gaz

Përfaqësuesit e Bashkimit Evropian, Ukrainës, dhe Rusisë, kanë mbyllur ditën e parë të bisedimeve në Bruksel me një dialog “konstruktiv”, ndërsa synojnë të shtyjnë afatin e kontratës së Kievit me Rusinë për tranzitin e gazit, njoftoi sot Komisioneri evropian Maros Sefcovic.

Autoritetet ukrainase shqetësohen se Moska mund të ndalë furnizmin nëpërmjet Ukrainës, kur të skadojë më 1 janar kontrata e tanishme, duke rrezikuar kështu lënien pa gaz të një pjese të vendit gjatë stinës së dimrit.

“Trajtuam një nga një të gjitha aspektet kryesore, në veçanti se si duhet të reflektohen në kontratën e ardhshme rregullat energjitike të BE-së; cila duhet të jetë jetëgjatësia e duhur e kontratës, volumi i duhur dhe fleksibiliteti; si dhe si duhet të trajtojmë çështjen e rregullimit të furnizimit”, tha në një konferencë për shtyp zoti Sefcovic, menjëherë pas bisedimeve të shumëpritura.

Sipas zotit Sefcovic, të gjitha palët ranë dakort se kontrata e ardhshme duhet të bazohet në ligjet e BE-së dhe se duhet të shpërbëhet kompania ukrainase Naftogaz, për të mundësuar krijimin e një kompanie të tretë private që do të menaxhonte tranzitin e gazit përmes Ukrainës.

Ai gjithashtu tha se palët ranë dakort të rifillojnë bisedimet në nivel ministerial brenda tetorit dhe se përfaqësuesit e niveleve më të ulëta nga kompanitë e përfshira në realizimin e kontratës të vazhdojnë negocimin e detajeve të marrëveshjes së përgjithshme të arritur të enjten.

Bisedimet pasuan vendimin e datës 10 shtator të gjykatës evropiane në Luksemburg për të rivendosur kufizimet ndaj gazit që vjen nëpërmjet tubacionit Opal, i cili lidh Gjermaninë me gazsjellësin Nord Stream, të menaxhuar nga kompania shtetërore ruse Gazprom.

Kompania “Gazprom” po nxit përfundimin e projektit të gazsjellësit Nord Stream 2 brenda vitit 2020. Nga ky moment, asaj mund të mos i nevojitet më gazsjellësi i Ukrainës për tranzitin e gazit drejt Evropës. Ukraina do të humbiste kështu 3 miliardë dollarë të ardhura nga tranziti i gazit, rreth 3% e GDP-së së saj. Kjo do të ishte një goditje e konsiderueshme për ekonominë ukrainase.

Moska përmbush aktualisht një të tretën e nevojave për gaz të Evropës. 14 vende të BE-së marrin rreth 50 për qind të gazit të tyre nga Rusia. Pjesa më e madhe e këtij gazi kalon përmes Ukrainës, në tubacione të epokës sovjetike.

Kompania Gazprom pati kërkuar qasje të plotë tek gazsjellësi Opal dhe përfitoi 80 për qind të kapacitetit të tij nëpërmjet një vendimi të dhënë nga Komisioni Evropian në vitin 2016.
Vendimi i dhënë më 10 shtator në Luksemburg, do të reduktojë me 12.4 miliardë metra kubikë në vit volumin e furnizimit nga Gazprom nëpërmjet gazsjellësit Nord Stream, njoftoi PGNiG, kompania shtetërore polake e naftës dhe gazit.

Exit mobile version